Cameron, plan me 3 pika kundër “epidemisë” së ekstremizmit
Në fjalimin e tij të parë pas masakrës së Parisit dhe me t’u kthyer nga samiti i Antalias, kryeministri britanik David Cameron deklaroi planin e tij prej 3 pikash për të luftuar ekstremizmin, të cilin e cilësoi “epidemik”.
Duke dhënë më shumë detaje mbi strategjinë e tij në një banket vjetor në Londër, Cameron tha se “kur merresh me myslimanët e radikalizuar të Europes, të lidhur me ISIS në Siri, dhe të frymëzuar nga propaganda helmuese e ekstremizmit, duhet të kesh një qasje që të mbulojë tërë spektrin; fuqinë ushtarake, ekspertizën antiterror dhe mposhtjen e propagandës helmuese, që është edhe shkaku kryesor i kësaj të keqeje djallëzore”.
Në fjalimin e tij, kryeministri sulmoi ashpër udhëheqësin laburist të opozitës, Jeremy Corbin, i cili orë më parë kishte vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e vrasjes së xhihadistit John dhe kundërshtoi politikën e eliminimit të terroristëve në rastin më të parë.
“Ata që thonë se, ne do të duhej ta kishim arrestuar xhihadisitin John, nuk e kuptojnë realitetin në të cilin jetojnë”, tha Cameron.
Në një zhvillim tjetër, një zyrtar i lartë britanik, ministri i Financave George Osborne, në një fjalim në qendrën më të madhe të përgjimit në Europë, GSHQ, do të paralajmërojë se ISIS mund të vrasë qytetarët britanikë përmes sulmeve kibernetike në spitale, si dhe përmes kontrollit të trafikut ajror.
Britania do të shpenzojë dy miliardë paund të tjerë për shërbimet inteligjente, ku bën pjesë edhe qendra e përgjimit në Anglinë Qendrore dhe forcat speciale SAS.