Çelësi i Beogradit
FADIL LEPAJA
Serbët i ka kapur historia. “Histeria” do të më korrigjoni ju, në përpjekje krejtësisht të arsyetuar për të më shpëtuar nga turpi publik i ngatërrimit të nocioneve kaq elementare. Jo or vëlla! S’ka të bëjë kjo veç me histerinë. Histeria të kap dhe të lëshon. Është sëmundje kaluese. Por, po të kapë historia… të kap madhështia! Ideja mesjetare e madhështisë dhe kujtesa për betejat e mëdha, kryesisht të humbura. E kanë ndarë mendjen top se vetëm edhe me një disfatë të madhe mund të hyjnë në Europë. Por jo të tipit të “Betejës së Kosovës”, pas së cilës gati pesë shekuj mësuan turqisht nëpër shkolla. E duan edhe një disfatë sikur ajo e Luftës së Parë Botërore, kur ikën me gjithë shtet në Greqi. Ikën nëpër Shqipëri, ku lanë kockat maleve tona më shumë ushtarë sesa në krejt betejat e kësaj lufte. Pastaj u kthyen në fund të luftës me anije angleze. E sollën shtetin përsëri në shtëpi.
Pas disa vitesh e strehuan Zogun në Beograd, pikërisht atëherë kur Noli bëri një revolucion demokratik. E keqja e këtij revolucioni ishte se Noli ishte ortodoks dhe nuk e akuzonin dot për të tjera gjëra të papranueshme. Por Zogun e Parë, më të mirin prej krejtve, e gatitën dhe e kthyen në Tiranë. Prej atëherë kanë dobësi për Tiranën. Kushdo që don ta ketë mirë me serbët, duhet të dorëzojë “çelësat” e Tiranës.
Te “çelësat” e Tiranës e madje edhe të Beogradit, do të kthehemi prapë, sepse Kryeministri Rama ka shprehur publikisht qëllimin e tij që të marrë çelësin e kryeqytetit serb. Ose do ta marrë çelësin e Beogradit, ose do t’u thotë: më ktheni çelësin e Tiranës! E japin, thoni? As e japin e as nuk e kthejnë, prognozon dikush. Por, pa merak… këtë do ta marrim vesh më 10 nëntor, nëse vizita nuk shtyhet sërish apo nuk anulohet krejt. Sepse serbët mitikë janë të (pa)parashikueshëm. “I ka kapur historia!” Janë eksituar duke parë muskujt e vet në pasqyrë. Por, të ndjekim rrëfimin!
Flitet se një kroat i paska provokuar rëndë serbët, kur në qendër të Beogradit ka klithur: “Unë jam kroat!” E paskan bërë sallatë, të shkretin djalë. Me thika. Mezi e ka shpëtuar kokën duke ikur. Serbët si serbët, të provokuar rëndë vendosën të hakmerren dhe të sakrifikojnë një djalë të ri për “çështjen” kombëtare. Të kuptohemi, kjo nuk ka të bëjë asgjë me kolonelin Apis e as me konspiracionin e famshëm, i cili e filloi Luftën e Parë Botërore, pra me Gavrillo Principin dhe atentatin e Sarajevës. Kjo ishte një hakmarrje krejt moderne dhe urbane. Vendosën që ky çuni të vejë në qendër të Zagrebit, e të klithë: “Unë jam serb!” Pak a shumë, ky ishte plani. Kur të bjerë në fushën e nderit, serbët do të këndojnë me shekuj, i premtuan atij.
“Unë jam serb” klithi ai, trimërisht, në sheshin kryesor të Zagrebit. Kalimtarët e rastit, të hutuar po e ngushëllonin heroin fatkeq, e disa më dashakeq edhe po i thoshin: “e kush të ka faj more djalë?”
Kështu u krye hakmarrja e madhe, në mes të Zagrebit, në mes të Kroacisë. Serbi i ri u kthye në shtëpi shëndoshë e mirë dhe i dëshpëruar që shpëtoi. Ah, ai nuk do të këndohej në këngët “dhjetëshe”! Nuk do të mësohej në histori.
Natyrisht, po e kuptoni se rrëfimi i mësipërm nuk është tjetër veç një barsoletë, e cila përshkruan mendësinë tonë ballkanike. Sidoqoftë, serbët nuk durojnë t’u tregosh në shtëpi të tyre se kush je. Nëse nuk je serb, mos e thuaj këtë në Beograd. E kjo nuk ishte, pra, aspak një rrethanë e favorshme për Kryeministrin Rama, i cili pritej të shkonte pikërisht në Beograd dhe t’u jepte serbëve edhe një rast për të fishkëllyer bashkë me himnin e shtetit shqiptar. Kryeministri nuk deshi të shpallej “tradhëtor” dhe të largohej nga lufta. “Po shkoj në Beograd”, tha. Por…
Kryeministri Rama, me ndihmën e Zotit, shpëtoi edhe kësaj radhe. Dikush po e ruan. Po të shkonte në Beograd më 22 tetor, asnjë skenar nuk e nxirrte të fituar. Se do të shpallej “tradhëtor” ishte e sigurt. Kjo ishte “by default”. Plus mund të merrte edhe epitete të tjera. Akuza për “tradhëtor” i çështjes kombëtare edhe mund të kapërdihet disi, sepse asnjë personalitet i rëndësishëm i historisë sonë nuk ka shpëtuar pa këtë akuzë. Kujtojeni Skënderbeun, Naim Frashërin, Ismail Qemalin! Ahmet Zogun, Enver Hoxhën, Ismail Kadarenë apo Ibrahim Rugovën! Vazhdojeni listën sipas qejfit, të dashur lexues! Pa frikë se gaboni!
E shpëtimtari i Kryeministrit shqiptar, ishte pikërisht “armiku”. E shpëtoi Kryeministri Vuçiç, i dyshuar edhe vetë për shumë krime shumë të rënda e sidomos me aktakuza të shpalosura publikisht në Beograd se ai nuk ishte “çetnik”. Aq më tepër vihej në dyshim edhe ADN-ja e tij nacionale. Dyshohet se ka gjak shqiptari. Nëse i përballon këto akuza, Kryeministri Vuçiç do të sundojë gjatë në politikën serbe.
Kështu, fqinjët tanë i ka kapur, sërish, historia. Aty ndihen më të sigurt sesa në realitet. Nëse nuk e dinë kush janë, me siguri e dinë se çfarë nuk janë. Serbët nuk janë shqiptarë, u pa puna! E as Serbia nuk ka shumë gjasa të bëhet Shqipëri, kështu që kot po e valëvisim flamurin me shqiponjë të zezë nëpër Beograd. Mjaft e bëmë njëherë! Tash, e bëmë apo na e bënë, kjo është një çështje për debat. Ajo çka nuk është për debat është se në Elbasan a Shkodër, edhe nëse nuk valëvitet fare flamuri kuqezi, të gjithë do ta kenë të qartë se aty i thonë Shqipëri. Edhe po të valëvitet flamuri serb dhe të duartrokitet himni serb, askush nuk do të kujtojë se aty është Serbi. Kjo do të tregojë vetëm se ne jemi çliruar nga historia, edhe nga histeria.
Të bëjmë ashtu si e bëjnë edhe të tjerët! Pa shumë zhurmë, këto ditë klubi turk “Beshiktash”, në të njëjtin stadium në Beograd, e “masakroi”, si mysafir ekipin vendës të “Partizanit”. Tifozët turq, shpalosën të gjithë flamujt e mundshëm, përfshi edhe atë shqiptar, por kjo nuk u bë aspak e madhe. Serbët nuk duan të humbin sipas modelit të “Betejës së Kosovës”. E aspirojnë atë pjesë të historisë që i nxjerr fitues. Llogarisin në inatin tonë. E kanë me ne, se pa ne nuk e shkruajnë dot historinë e tyre.
U pa puna! Duhet të sakrifikohemi sërish dhe të ndihmojmë serbët të shërohen nga historia. Duhet të fitojmë pikët në fushë! Me top!
E nga ty, Edi, tifozët kuqezi presin një dhuratë kur të kthehesh nga Beogradi. Një çelës. Të Beogradit apo të Tiranës.