Kronika

Censi i Popullsisë dhe Banesave, nis trajnimi i punonjësve të terrenit

Instituti i Statistikave nisi sot trajnimin e punonjësve të terrenit (anketuesve) për Censin e Popullsisë dhe Banesave. Sipas INSTAT-it, trajnimi do të zgjasë deri më 8 shtator 2023. Në të gjithë vendin po trajnohen 5240 anketues, të cilët do të trokasin në çdo derë për të grumbulluar informacionin e nevojshëm mbi popullsinë dhe banesat.

Anketuesit po trajnohen mbi metodologjinë, logjistikën, komunikimin, gjeoinformacionin (GIS) dhe teknologjinë e informacionit (TI) në kuadër të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023.

INSTAT thekson se roli i anketuesit në procesin e Censit është thelbësor dhe ndikon drejtpërdrejtë në suksesin e mbledhjes së të dhënave statistikore të popullsisë.

Anketuesit janë persona të autorizuar që Instituti i Statistikave i ka rekrutuar dhe tani po i trajnon me të gjitha modulet e domosdoshme për të kryer një punë të saktë dhe të plotë në terren.

Përpos plotësimit të pyetësorit dhe mbledhjes së të dhënave në çdo njesi ekonomike familjare, anketuesi ka përgjegjësi të sqarojë çdo individ që ka paqartësi apo pyetje rreth censit dhe qëllimit të tij.

Anketuesi ka për detyrë të sigurojë çdo qytetar se përgjigjet e grumbulluara në tabletë nga ata, do të transferohen elektronikisht në INSTAT dhe do të kodohen menjëherë në mënyrë që asnjë subjekt të mos jetë i identifikueshëm. Kjo procedurë zbatohet në mbështetje të ligjit 140/2020 “Për censin e popullsisë dhe të banesave” i cili citon se të dhënat e grumbulluara nga censi janë konfidenciale dhe mbrohen sipas legjislacionit në fuqi për statistikat zyrtare dhe legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Censi i Popullsisë dhe Banesave do të fillojë më 18 shtator të këtij viti.

Sipas INSTAT-it, Censi i Popullsisë dhe Banesave për mbledhjen e të dhënave në terren do të zgjasë 6 javë.

Synimi i Cens është t’i sigurojë Parlamentit, qeverisë, autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile një informacion të besueshëm statistikor të nevojshëm për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për kërkime shkencore, si dhe për të kuptuar situatën demografike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Bizneset, po ashtu, kanë nevojë për të dhëna të Censit për të përcaktuar se, ku mund të lokalizojnë dyqanet, për të vlerësuar forcën e mundshme të punës dhe për të vlerësuar tregjet e blerësve etj.

Censi është i rëndësishëm sepse prodhimi i rezultateve të Censit çdo dhjetë vjet është një kërkesë në nivel botëror dhe ndihmon procesin e integrimit për t’u bashkuar me BE-në.

Të dhënat e Censit do të bëjnë të mundur zhvillimin e një regjistri statistikor ndërtesash dhe banesash dhe një regjistër statistikor të popullsisë banuese, i cili mund të shërbejë në të ardhmen si bazë për kryerjen e Censit bazuar në regjistra.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ishte planifikuar të zhvillohet në vitin 2020, por fillimisht u shty prej situatës së krijuar nga pandemia, dhe një tjetër shtyrje u bë për në vitin 2021 për shkak të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa në gusht të vitit 2022 u shty për shkak të mossigurimit në kohë të mjeteve të nevojshme, në rastin konkret tabletat për grumbullimin e informacionit në terren.

Censi i fundit është zhvilluar në vitin 2011, ku rezultoi se popullsia ishte 2,821,977, me një rënie prej 8%, nga Censi 2001.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button