Ekonomia

Çfarë parashikon marrëveshja e Ministrisë së Bujqësisë me BERZH-in për kreditimin e agrobiznesit

Zbardhet marrëveshja e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave me BERZH-in (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim) për kreditimin e fermerëve

Sipas relacionit që shoqëron marrëveshjen, nëse kredia bujqësore nuk kthehet, qeveria dhe BERZH-i do të mbulojnë 50% të shumës që fermerët kanë marrë nga bankat.

Marrëveshja, përmes së cilës do të vendosen vetëm në fazën e parë, rreth 110 milionë euro si garanci, është dorëzuar në Parlament për miratim.

Në bazë të marrëveshjes, do të mundësohen në të ardhmen fonde shtesë, sipas ecurisë së zbatimit, përmes: 1) linjave të kreditimit për agrobiznesin; 2) lehtësimit të agrobiznesit për ndarjen e riskut; 3) asistencës teknike për sektorin e agrobiznesit. Shuma e vënë në dispozicion nga qeveria është 36 milionë euro, nga të cilat 10 milionë euro do të jepen menjëherë pas miratimit të marrëveshjes, 12 milionë euro deri në 31 janar 2017 dhe 14 milionë euro të tjera deri në 31 janar 2018.

BERZH-i do të vendosë 100 milionë euro në fazën e parë të financimit. Linjat e kredisë do të jenë pesëvjeçare dhe do të jepen për subjekte të agrobiznesit që bëjnë investime afatmesme dhe afatgjata. Ky komponent do të nxisë bankat që të aktivizojnë flukset e parave drejt bujqësisë, sepse situata e tyre aktualisht është likuide. Ndërkaq, lehtësimi i agrobiznesit për ndarjen e riskut do të bëhet nga programi i BERZH-it që mbulon 50 për qind të kredisë në rast humbjeje, si dhe çdo rikuperim tjetër në bazë të rrezikut. Çdo lehtësim për ndarje risku do të jetë fond i hapur dhe do të pasqyrojë riskedulimin e kredive.

Portofoli do të jetë i hapur për tre vjet dhe më pas do të mbyllet, ndërsa BERZH-i do të vazhdojë të shlyejë pjesën e tij derisa borxhi në bankë të fshihet. Ndërkaq, BERZH-i parashikon që fondi për agrobiznesin të rritet 200% brenda pesë vjetëve. Zbatimi i lehtësimit, sipas kontratave që do të lidhen me institucionet financiare dhe bankat, do të zgjasë nëntë deri në dhjetë vjet.

Drejtimi i programit të kreditimit do të kryhet nga një komitet i përbërë prej përfaqësues të ministrive dhe të BERZH-it. Vendimi për dhënien e kredive do të jetë i bankave private, por pasi kredia të jetë miratuar duhet që të marrë edhe pëlqimin e BERZH-it për të përfituar nga mbulimi i riskut me 50%. Qeveria parashikon që përmes kësaj skeme, e cila do të zgjasë gati 10 vjet, të gjenerojë të paktën 300 milionë euro kredi për fermerët, çka do të pesëfishonte financimet për sektorin e bujqësisë, duke rritur prodhimin vendas dhe të ardhurat familjare të fermerëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button