Ekonomia

Ciko: Çmimet e ulëta në tregjet ndërkombëtare nuk e justifikojnë uljen e eksporteve

Çmimet e ulëta në produktet minerare dhe energjetike në tregjet globale kanë ndikuar në ecurinë e dobët (dhe së fundmi, rënien) e eksporteve shqiptare, por ky argument është i pamjaftueshëm, për ekspertin e çështjeve të tregtisë, Ilir Ciko. Ai e sheh problemin tek bizneset shqiptare, të cilat nuk ditën të përfitojnë nga çmimet e favorshme në tregjet ndërkombëtare për të përmirësuar nivelin e produktivitetit të tyre dhe për të sjellë produkte të reja në treg.

Ndërkohë që eksportet shqiptare janë ulur me -4.9%, gjatë vitit 2015 eksportet e Maqedonisë u rritën me 8.3%, ato të Kroacisë me 11.6%, të Serbisë me 8.4%, ndërkohë që të gjitha këto vende të rajonit, jo vetëm që kanë nivel të krahasueshëm zhvillimi me Shqipërinë, por njëkohësisht ato përballen në masë të ngjashme me të gjithë faktorët e kërkesës në tregjet ndërkombëtare, shpjegon Ciko.

Pas rënies me 5% të eksporteve më 2015-n dhe përfshirjes në faliment dhe shitje të kompanive më të mëdha të sektorit, a jemi para një situate alarmante për eksportet?

Gjatë dy viteve të fundit, Shqipëria përballet me një ecuri aspak të kënaqshme të zhvillimit të eksporteve, situatë kjo e cila u përkeqësua mjaft, veçanërisht vitin e fundit, përgjatë të cilit eksportet shënuan një rënie të konsiderueshme, me rreth -4.9% krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e para të 2016-s konfirmojnë sërish një tendencë të theksuar të rënies së eksporteve, duke mos premtuar shenja pozitive për muajt në vijim.

Natyrisht një ecuri e tillë, që nuk duket më e përkohshme, është shqetësuese dhe meriton të ketë vëmendjen e duhur me analizën e faktorëve dhe natyrisht, orientimin e politikave ekonomike. Është përmendur shpesh se çmimet e ulëta në produktet minerare dhe energjetike në tregjet globale kanë ndikuar në ecurinë e dobët (dhe së fundmi, rënien) e eksporteve shqiptare, por ndonëse bie dakord me ndikimin e këtij faktori të rëndësishëm ndaj të cilit ekonomia shqiptare është plotësisht e ekspozuar, ky argument është i pamjaftueshëm për të shpjeguar se përse për shembull eksportet shqiptare nuk kanë pësuar ndryshime në strukturën e tyre. Përse bizneset shqiptare nuk kanë përfituar nga çmimet e favorshme në tregjet ndërkombëtare për të përmirësuar nivelin e produktivitetit të tyre dhe për të sjellë produkte të reja në treg. Përse ndërkohë që eksportet shqiptare janë ulur me -4.9%, gjatë vitit 2015 eksportet e Maqedonisë u rritën me 8.3%, ato të Kroacisë me 11.6%, të Serbisë me 8.4%, ndërkohë që të gjitha këto vende të rajonit, jo vetëm që kanë nivel të krahasueshëm zhvillimi me Shqipërinë, por njëkohësisht ato përballen në masë të ngjashme me të gjithë faktorët e kërkesës në tregjet ndërkombëtare.

Për të vazhduar më tej, në rajon ne jemi vendi me tregti më të orientuar drejt Bashkimit Europian – në çdo tre produkte që tregtohen përmes kufirit shqiptar, dy prej tyre shkojnë ose vijnë nga Bashkimi Europian.

Por gjatë vitit 2015, eksportet e përgjithshme të Bashkimit Europian u rritën me 5% (dhe importet me 3%) ndërkohë që partnerët tanë kryesorë tregtarë europianë Italia, Gjermania dhe Greqia, patën rritje të kënaqshme të tregtisë së tyre të jashtme. Atëherë si mund të shpjegohet që në këto kushte, Shqipëria sërish nuk ka përfituar nga kjo rritje e tregtisë së Bashkimit Europian, pasi shifrat tregojnë që gjatë vitit 2015, eksportet shqiptare drejt BE-së pësuan në fakt një rënie me -7.6%, përkundrejt një rritjeje mesatare prej +8.6% gjatë viteve 2010-2014?

Pasqyra e mësipërme e marrëdhënieve tregtare të vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian, dëshmon se efekti i çmimeve të produkteve energjetike dhe minerare në tregjet ndërkombëtare, ka ndikim të pjesshëm në ecurinë e dobët të eksporteve shqiptare.

Dy faktorë të tjerë po aq të rëndësishëm për këtë çështje lidhen, i pari me nivelin e ulët të produktivitetit të ekonomisë vendase, e cila mbetet e dobët për t’u përballur me tregjet ndërkombëtare, dhe i dyti, me ambientin për të investuar në Shqipëri, i cili për një mori shkaqesh përgjithësisht perceptohet si më pak i favorshëm. Duke iu referuar këtij të fundit, rënia e eksporteve shqiptare është pasojë edhe e ngurrimeve të investitorëve të huaj për të përzgjedhur Shqipërinë kundrejt vendeve të tjera të rajonit, nivelit minimal të investimeve private, kreditimit të ulët të ekonomisë, investimeve publike në infrastrukturë, paqartësisë, paqëndrueshmërisë dhe paparashikueshmërisë së legjislacionit fiskal dhe zbatimit të tij, si dhe ekzistencës së një perceptimi të gjerë mbi mungesën e një partneriteti të qëndrueshëm për zhvillimin e ekonomisë mes shtetit dhe sektorit privat dhe zëvendësimin e tij me modele të padobishme, e shpesh konfliktuale.

Çfarë masash të shpejta duhet të ndërmarrë qeveria për të frenuar hendekun që po krijohet këtë vit në eksporte dhe çfarë politikash afatgjata duhen ndjekur?

Mendoj se qeveria ka rol të rëndësishëm, ndonëse të kufizuar, në drejtim promovimit të aktivitetit ekonomik në vend, e për pasojë edhe të eksporteve shqiptare. Një vëmendje e tepruar i është kushtuar gjatë muajve të fundit çështjes së koncesioneve (apo emërtimeve ‘inovative’ të tyre), duke lënë mënjanë faktin që koncesionet në thelb kanë natyrë përjashtuese, madje dyfish përjashtuese: së pari, frytet e tyre përfitohen vetëm nga një operator i vetëm në treg (që rëndom na vjen nga vende të largëta) dhe së dyti, për shkak të kufizimeve në kapacitetet administrative, angazhimi i institucioneve në trajtimin e koncesioneve, lë jashtë vëmendjes së punës së tyre problemet me të cilat ndeshen pjesa më e madhe e bizneseve shqiptare.

Në thelb, vlerësoj se është e nevojshme të përmirësohet balanca prej kujdesit të veçantë ndaj rasteve të izoluara të koncesioneve, drejt kuptimit dhe adresimit të nevojave dhe problemeve me të cilat përballet pjesa dërrmuese e bizneseve shqiptare. Koncesionet janë një mënyrë efektive për të zhvilluar segmente të caktuara të ekonomisë por ato nuk mund të funksionojnë, nëse pjesa tjetër mbetet pa frymëmarrje dhe aq më pak, nuk mund ta zëvendësojnë dot atë.

Siç e përmenda edhe më parë, ana tjetër e medaljes së eksporteve lidhet me nivelin e dobët të produktivitetit të bizneseve shqiptare. Nëse vështroni strukturën e eksporteve shqiptare dhe përjashtoni prej saj produktet që rrjedhin prej avantazhit parësor të zotërimit të burimeve natyrore, përfshirë mineralet, naftën, energjinë, produktet bujqësore dhe fasonët që bazohen thuajse krejt në krahun e punës, ajo çka mbetet e që duhet të përfaqësojë pjesën e shëndetshme të eksporteve ku Shqipëria realisht konkurron me rajonin dhe botën, mbetet shumë e varfër, besoj nën 3% të eksporteve aktuale. Fuqizimi i kësaj pjese të eksporteve që kombinon produktivitetin me teknologjitë e reja, investimet dhe forcën e kualifikimit, mund të arrihet përmes politikave afatgjata që në radhë të parë kërkojnë hapjen dhe derregullimin e tregut të brendshëm, çmontimin e monopoleve të pranishëm thuajse në çdo sektor të ekonomisë, rritjen e konkurrencës mes operatorëve vendas dhe mbështetjen e tyre për fuqizimin dhe zgjerimin e aktivitetit në rajon e në vendet e Bashkimit Europian.

Çfarë sektorësh duhet të prioritizohen për rritjen e eksporteve dhe vlerës së tyre?

Do të ishte përherë e rekomandueshme që qeveria të ishte neutrale ndaj ‘përzgjedhjeve’ të sektorëve të preferuar apo premtues për ekonominë, dhe në kushtet e Shqipërisë, ku deformimet e tregut për shkak të influencave dhe lidhjeve politikë-biznes kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë problematike, mendoj se neutraliteti në klasifikimin e sektorëve bëhet edhe më i domosdoshëm. Një biznes mund të jetë shkëlqyeshëm konkurrues dhe kontribuues në eksporte apo punësim, si në bujqësi, ashtu dhe në prodhimin e produkteve të teknologjive më të përparuara, apo në prodhimin e veshjeve shqiptare. Realiteti shqiptar e vërteton më së miri këtë gjë, pasi në çdo fushë mund të ndeshen biznese që me strategji të mirëformuara dhe investimet e duhura, kanë arritur të jenë të suksesshme në tregjet ndërkombëtare, sikurse nga ana tjetër ka dhe plot raste të tjera që kanë përfituar nga mbështetje dhe kanë dështuar në konkurrimin në treg të hapur. Shqipëria ka mjaft biznese të suksesshme apo që me pak mbështetje mund të jenë të suksesshme dhe asnjëri prej tyre nuk duhet të ndihet i diskriminuar në mbështetjen që mund të përfitojnë për shkak të zgjedhjeve që kanë kryer duke ushtruar aktivitet në fusha të caktuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button