Çmimet, ndotja, zhurma, rrugët, ndërtimet; Shqipëria pa filtra në sytë e turistëve
Çfarë po thonë turistët në nisje të sezonit veror
Në fillim të sezonit veror, komentet online po japin një pamje më të drejtpërdrejtë të bregdetit shqiptar sesa çdo fushatë promovuese. Turistët nuk po flasin më vetëm për detin e natyrën, por për gjithçka që vjen bashkë me to si çmimet, pastërtinë, zhurmën, rrugët, shezlongët, ndërtimet dhe cilësinë e shërbimit. Ksamili edhe këtë herë shfaq kontrastin më të fortë mes bukurisë natyrore dhe mbipopullimit. Saranda po matet gjithnjë e më shumë me çmimet, trafikun dhe karakterin urban. Himara fiton pikë për qetësinë dhe ritmin më të ngadaltë, ndërsa Golemi mbetet zgjedhja praktike, familjare dhe më e përballueshme. Në tërësi, sezoni 2026 po nis me një mesazh të qartë nga turistët: Shqipëria nuk mund të mbështetet pafund vetëm te deti. Reputacioni i saj do të vendoset nga përvoja që lë pas.
Nertila Maho
Shqipëria e fitoi betejën për të hyrë në hartën turistike të Mesdheut. Sfida tani është një tjetër: të ruajë reputacionin. Komentet e turistëve gjatë muajve të parë të sezonit 2026 tregojnë se vlerësimi i destinacioneve shqiptare po zhvendoset nga peizazhi te përvoja. Deti mbetet arsyeja pse vizitorët vijnë, por mënyra si menaxhohet destinacioni po përcakton nëse ata do ta rekomandojnë atë.
Në pothuajse të gjitha destinacionet, turistët vazhdojnë ta konsiderojnë detin dhe peizazhin si asetin kryesor të Shqipërisë. Por komentet tregojnë se vlerësimi nuk ndalet më te ngjyra e ujit apo pamja e bregdetit. Vizitorët peshojnë njësoj menaxhimin e plazheve, raportin mes çmimit dhe shërbimit, pastërtinë, infrastrukturën dhe aftësinë e destinacioneve për të përballuar fluksin në rritje të turistëve.
Ky ndryshim shfaqet më qartë në Rivierë në Jug të vendit. Ksamili mbetet simboli i plazheve shqiptare dhe vazhdon të tërheqë turistë falë ujit të kristaltë. Por në të njëjtën kohë, ai është edhe destinacioni ku kontrasti mes potencialit natyror dhe mënyrës së menaxhimit del më qartë në pah.
Komentet për shezlongët që dominojnë vijën bregdetare, mungesën e hapësirës publike, çmimet dhe, në disa raste, pastërtinë, tregojnë se për shumë vizitorë, problemi nuk është vetë destinacioni, por mënyra se si administrohet.
Saranda përballet me një sfidë tjetër. Ndryshe nga Ksamili, ajo nuk gjykohet vetëm si plazh, por si qytet turistik. Pikërisht për këtë arsye, turistët i kushtojnë po aq rëndësi atmosferës urbane, çmimeve, trafikut dhe karakterit të qytetit sa edhe detit.
Për shumë vizitorë, avantazhi i pozicionit dhe shëtitores vazhdon të jetë i padiskutueshëm, por rritja e kostove dhe perceptimi se qyteti po bëhet më pak autentik po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën si vlerësohet përvoja.
Në të kundërt, Himara duket se po përfiton pikërisht nga ajo që destinacionet më të njohura po humbasin. Komentet e turistëve nuk fokusohen te çmimet apo mbipopullimi, por te qetësia, ritmi më i ngadaltë i jetës dhe plazhet më pak të ngarkuara. Edhe kur shfaqen kritika, ato lidhen kryesisht me aksesin, rrugët apo terrenin dhe jo me cilësinë e vetë eksperiencës.
Vlora hyn në sezonin turistik 2026 me një kontrast të dukshëm mes tërheqjes së saj bregdetare dhe kostove të zhvillimit të shpejtë urban. Në komentet e turistëve gjatë periudhës mars–qershor, përsëriten shqetësime për pastërtinë e plazheve, mbetjet në hapësirat publike, zhurmën dhe kantieret e ndërtimit.
Në bregdetin e Adriatikut, prioritetet ndryshojnë. Durrësi vazhdon të përfitojë nga trashëgimia historike, shëtitorja dhe aksesi i lehtë, por për shumë turistë, cilësia e plazhit mbetet pika më e dobët e destinacionit. Kritikat për pastërtinë dhe mirëmbajtjen shfaqen më shpesh sesa ato për vetë qytetin.
Golemi, nga ana tjetër, nuk konkurron me rivierën për spektakël natyror. Avantazhi i tij qëndron te raporti mes kostos dhe përfitimit. Turistët e përshkruajnë si një destinacion praktik, familjar dhe më pak të mbingarkuar, ku pritshmëritë janë më modeste dhe, pikërisht për këtë arsye, përvoja rezulton më shpesh në përputhje me to.
Edhe në veri, modeli përsëritet. Shëngjini dhe Velipoja vlerësohen për plazhet e gjera ranore, qetësinë dhe përshtatshmërinë për familje, ndërsa kritikat përqendrohen te zhvillimi urban. Në të dy rastet, natyra mbetet pika më e fortë.
Në fund, panorama që del nga komentet e turistëve nuk është një vlerësim i bukurisë së bregdetit shqiptar, por i mënyrës se si ai administrohet. Potenciali natyror rrallë vihet në diskutim. Ajo që po ndryshon është standardi me të cilin matet suksesi i një destinacioni.
Në një treg mesdhetar gjithnjë e më konkurrues, diferenca nuk do të krijohet vetëm nga plazhet apo peizazhi, por nga aftësia për t’i kthyer ato në një përvojë që justifikon çmimin dhe përmbush pritshmëritë e turistëve. Ky është testi që bregdeti shqiptar po përballet të kalojë në sezonin 2026.
Ksamili, bukuria përplaset me mbipopullimin
Ksamili mbetet një nga destinacionet më të kërkuara të rivierës shqiptare, por komentet e turistëve gjatë vitit 2026 tregojnë se reputacioni i tij po vihet gjithnjë e më shumë në provë nga përvoja reale e vizitorëve. Në pothuajse të gjitha platformat e vlerësimit, turistët bien dakord për një pikë: bukuria natyrore nuk vihet në diskutim.
Por kritikat për mbipopullimin, çmimet, mungesën e hapësirave publike dhe pastërtinë po shfaqen me një frekuencë që nuk mund të konsiderohet më rastësore.
Vlerësimet në Tripadvisor tregojnë se deti mbetet arsyeja kryesore pse turistët zgjedhin Ksamilin. Një vizitore e përshkruan ujin si “të mrekullueshëm, ngjyrë turkeze”, por në të njëjtin koment shton se plazhi ishte “shumë i mbushur” dhe se shezlongët ishin “të shtrenjtë” ende pa hyrë mirë vera. Ky kontrast mes asaj që ofron natyra dhe asaj që përjeton vizitori është motivi që përsëritet më shpesh në komentet e këtij sezoni.
Mbipopullimi shfaqet si kritika më e zakonshme. Në Tripadvisor, turistët e përshkruajnë Ksamilin si “të ngjeshur” dhe “të mbushur me njerëz”, duke shtuar se në plazh pushuesit qëndrojnë “bërryl më bërryl me turmën”.
I njëjti perceptim përsëritet edhe në Reddit, ku vizitorët ankohen se plazhet janë “të mbushura me shezlongë”, ndërsa hapësirat për të vendosur një peshqir pa pagesë po bëhen gjithnjë e më të kufizuara.
Në thelb, kritika nuk është vetëm për dendësinë e turistëve, por për mënyrën si është organizuar vetë bregdeti. Një turist në Tripadvisor shkruan se “uji rreth Ksamilit është i bukur”, por se “të gjesh një metër katror për të shtrirë peshqirin është e pamundur”.
Sipas tij, shezlongët dhe çadrat që zënë pothuajse të gjithë vijën bregdetare “e prishin përvojën turistike” dhe ndikojnë negativisht në dëshirën për ta rekomanduar destinacionin.
Në Reddit, kritika shkon edhe më tej dhe e lidh Ksamilin me një problem më të gjerë të aksesit publik në bregdet. Një përdorues shkruan se “Saranda dhe Ksamili nuk janë të hapura për publikun”, ndërsa me ironi shton se, për të zënë rreshtin e parë me çadër, “legjenda thotë se duhet të zgjohesh në orën 3:00 të mëngjesit dhe të mbash radhë”.
I njëjti koment sugjeron Gjipenë, Dhërmiun dhe Drimadhën si alternativa ku mund të gjendet ende hapësirë e lirë dhe ujë i kristaltë, duke shtuar se nuk duhen nënvlerësuar as fshatrat e vegjël, pasi “ia vlejnë më shumë sesa të rrish në vijën e plazhit duke mos bërë asgjë”.
Çmimet përbëjnë shtresën e dytë të kritikave. Në disa komente të publikuara gjatë vitit 2026, shezlongët përshkruhen si “të shtrenjtë”, ndërsa disa vizitorë shkruajnë se Ksamili nuk i ngjan më destinacionit me kosto të ulët që kishin imagjinuar përpara udhëtimit.
Për shumë prej tyre, shqetësimi nuk lidhet vetëm me nivelin e çmimeve, por me raportin mes kostos dhe cilësisë së përvojës.
Edhe pastërtia shfaqet si një element që ndikon në perceptim. Disa turistë raportojnë mbetje në plazh gjatë ditëve me fluks të lartë dhe vlerësojnë se mirëmbajtja nuk po ecën me të njëjtin ritëm si rritja e numrit të vizitorëve.
Edhe pse këto komente nuk dominojnë vlerësimet, përsëritja e tyre krijon një perceptim që fillon të ndikojë në reputacionin e destinacionit.
Në tërësi, komentet e turistëve gjatë vitit 2026 japin një sinjal të qartë. Ksamili vazhdon të jetë një nga asetet më të forta falë natyrës së tij, por bukuria nuk po mjafton më për të kompensuar problemet e menaxhimit.

Saranda, një qytet që po bëhet më i shtrenjtë se reputacioni i tij
Nëse Ksamili matet kryesisht me cilësinë e plazhit, Saranda vlerësohet si një qytet. Kjo do të thotë se turistët nuk gjykojnë vetëm detin, por edhe atmosferën urbane, çmimet, shërbimet dhe karakterin e destinacionit.
Komentet e vitit 2026 e paraqesin Sarandën si një destinacion me dy anë të medaljes. E para – e fortë për pamjen, pozicionin gjeografik dhe lidhjen me rivierën, por e dobët kur vlerësohet për raportin mes kostos dhe përvojës.
Në Reddit, një turist që kaloi një javë në Sarandë me familjen shkruan se kishte pritur “një parajsë mesdhetare të përballueshme”, por përvoja i rezultoi ndryshe. Sipas tij, Saranda ndihet më shumë si “qytet turistik me çmime që nuk përputhen më me reputacionin”.
Çmimet janë pika ku zhgënjimi shfaqet më qartë. Në të njëjtin diskutim, një tjetër vizitor pranon se shezlongët ishin “shumë të shtrenjtë dhe të mbipopulluar”, ndërsa një koment tjetër e përshkruan Sarandën si ndoshta vendin më të shtrenjtë që kishte vizituar në Shqipëri.
Megjithatë, kritikat nuk ndalen te kostoja. Disa turistë e konsiderojnë Sarandën shumë turistike dhe më pak autentike se qytete të tjera shqiptare. Një koment në Reddit e përshkruan atë si “një qytet plazhi pa shumë karakter”, duke shtuar se Shkodra, Gjirokastra dhe Berati i kishin lënë përshtypje më të forta.
Në Tripadvisor tabloja është më e balancuar. Një vizitor që e vizitoi shëtitoren në janar 2026 e përshkruan atë si moderne, të gjallë dhe të mirëmbajtur, me pamje nga deti, restorante, kafene dhe hapësira publike që kontribuojnë në cilësinë e përvojës urbane.
Pikërisht kjo e bën Sarandën më komplekse sesa një histori suksesi apo dështimi. Ajo vijon të ketë avantazhe të qarta në vendndodhje, jetë nate dhe lidhje me Korfuzin, por komentet e vitit 2026 tregojnë se pritshmëritë e turistëve po rriten më shpejt sesa cilësia e përvojës që qyteti arrin të ofrojë.
Himara, avantazhi i qetësisë në një rivierë gjithnjë e më të ngarkuar
Nëse Ksamili dhe Saranda po përballen me pasojat e suksesit të tyre, Himara duket se po ndërton reputacionin në drejtimin e kundërt. Në komentet e publikuara nga marsi deri në qershor 2026, Himara shfaqet më shumë si një alternativë për turistët që kërkojnë qetësi sesa si një qendër e turizmit masiv.
Vizitorët e përshkruajnë Himarën si një vend me ujë të pastër, peizazh të fortë bregdetar dhe ritëm dukshëm më të ngadaltë se Saranda apo Ksamili. Në Booking, një turiste e cila qëndroi në fillim të qershorit shkruan se e kishte zgjedhur Himarën si bazë për të eksploruar Jugun pikërisht sepse nuk donte të rrinte “diku shumë të mbushur ose të zhurmshëm”. Sipas saj, qyteti kishte “atmosferë të mirë”, ushqim dhe pije pranë detit, por “jo mbipopullim”.
Edhe komentet për plazhet janë kryesisht pozitive. Një tjetër turiste në Booking shkruan se deti dhe plazhet e Himarës janë “ndër më të mirat” që ka vizituar në Ballkan, me ujë “shumë të kthjellët dhe blu”. Vizitorë të tjerë përmendin plazhe “të pastra dhe të sigurta”, ujë të kristaltë dhe një atmosferë më shumë familjare sesa festive.
Elementi që përsëritet më shpesh është qetësia. Turistët e përshkruajnë Himarën si një qytet më të vogël, që mund ta përshkosh lehtësisht me ecje dhe më pak të zhurmshëm. Një vizitore nga Zelanda e Re shkruan se e pëlqeu sepse ishte “më e vogël se të tjerat” dhe “shumë e lehtë për ta përshkuar”, ndërsa një tjetër e vlerëson si një vend me “atmosferë çlodhëse”.
Megjithatë, komentet nuk janë njëzëri pozitive. Disa turistë vërejnë se qendra mund të bëhet kaotike gjatë sezonit dhe për këtë arsye parapëlqejnë akomodime pak më larg. Një turiste që qëndroi në maj shkruan se prona ishte “pak larg zonës kryesore”, gjë që për të ishte avantazh, pasi qendra “mund të bëhet mjaft kaotike”.
Problemi tjetër që përsëritet lidhet me aksesin. Disa turistë ankohen për rrugë të pjerrëta dhe ngjitje drejt hoteleve. Në një koment të majit 2026, një vizitore thotë se përshkrimi premtonte afërsi me plazhin, por nuk përmendte kodrën dhe rrugën me zhavorr, çka e shtyu të anulonte rezervimin.
Në tërësi, komentet e mars–qershorit 2026 e paraqesin Himarën si alternativën më të qetë të rivierës: më pak të zhurmshme, më familjare dhe më të lidhur me peizazhin natyror.

Plazhe, kantiere dhe mbeturina, si e përshkruajnë turistët Vlorën
Komentet e publikuara nga turistët në Tripadvisor dhe Booking gjatë periudhës mars–qershor 2026 tregojnë se sfidat e Vlorës nuk lidhen vetëm me fluksin në rritje të vizitorëve, por edhe me cilësinë e mjedisit urban dhe të infrastrukturës turistike.
Përtej vlerësimeve pozitive për bregdetin dhe akomodimin, një pjesë e vizitorëve nxjerrin në pah probleme që lidhen me pastërtinë, ndërtimet intensive dhe zhurmën.
Në një koment të publikuar në Tripadvisor në qershor 2026, një turist shkruan se “qyteti ka një problem real me higjienën, rrugët janë të këqija dhe të mbushura me mbeturina, ndërsa plazhet janë pothuajse njësoj”, duke e lidhur përvojën negative me gjendjen e hapësirave publike dhe të vijës bregdetare.
Edhe në Booking përsëriten shqetësime të ngjashme. Një vizitor i cili qëndroi në Vlorë në qershor 2026 vlerëson se “plazhi është shumë i ndotur, ndërsa mjedisi përreth nuk është i këndshëm”, ndërsa një tjetër shkruan se zona përreth hotelit ishte e mbushur me punime ndërtimi dhe asfaltime, duke ndikuar drejtpërdrejt në përvojën e pushimeve.
Ndërtimet intensive përmenden vazhdimisht edhe në komente të tjera. Një turist raporton se plazhi i hotelit ishte ende në ndërtim dhe se zhurma e kantierit e bënte të vështirë shfrytëzimin edhe të zonës së pishinës. Një tjetër vizitor vëren se, në vend të pamjes së pritshme nga mali, hoteli shihte drejt skelave dhe ndërtesave të shembura, duke argumentuar se kjo ndikonte negativisht në atmosferën e destinacionit.
Ankesat nuk kufizohen vetëm te ndërtimet. Në një tjetër koment, një turist përshkruan zhurmën gjatë natës si “aq të madhe sa dukej sikur ishim në koncert”, duke e renditur atë ndër arsyet kryesore të pakënaqësisë.
Në tërësi, komentet e publikuara gjatë periudhës mars–qershor 2026 tregojnë se shqetësimet e turistëve për Vlorën përqendrohen në katër tema kryesore: pastërtinë e plazheve dhe hapësirave publike, zhurmën, kantieret e ndërtimit dhe ndikimin e zhvillimit të shpejtë urban në cilësinë e përvojës turistike.
Megjithatë, këto vlerësime përfaqësojnë përvoja individuale të vizitorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht përvojën e të gjithë turistëve.

Sazani dhe Zvërneci, kur eksperienca vlen më shumë se destinacioni
Jo të gjitha pikat turistike gjykohen sipas të njëjtave kritere. Për Sazanin dhe Zvërnecin, turistët nuk flasin për çmime, shezlongë apo mbipopullim. Komentet lidhen pothuajse tërësisht me vetë përvojën e vizitës.
Për Sazanin, vlerësimet në Tripadvisor fokusohen te turet me skaf, shpellat dhe plazhet e izoluara. Një koment i majit 2026 për turin Sazan–Shpella e Haxhi Aliut–Karaburun e përshkruan eksperiencën si “e mrekullueshme”, duke shtuar se “shpellat sekrete dhe plazhet ishin madhështore”. Një tjetër vizitor e quan atë “udhëtim perfekt ditor”.
Në një tjetër vlerësim, dita në Sazan përshkruhet si “perfekte”, me pamje “mahnitëse” dhe ujë “të kristaltë”. Ndryshe nga destinacionet e tjera bregdetare, komentet nuk fokusohen te menaxhimi i plazhit, por te natyra dhe përvoja e lundrimit.
Për Zvërnecin, vlerësimet lidhen kryesisht me manastirin, lagunën dhe qetësinë. Një turist e përshkruan vizitën si një “ditë të këndshme”, duke përmendur urën mbi ujë dhe atmosferën relaksuese. Në turet që kombinojnë Zvërnecin me Apoloninë dhe Beratin, një koment i prillit 2026 e cilëson ndalesën në Zvërnec si “ditën më të bukur” gjatë qëndrimit në Shqipëri.
Në komentet e turistëve për mars–qershorin 2026, Sazani shfaqet si një eksperiencë detare e lidhur me ujin, shpellat dhe plazhet e fshehta, ndërsa Zvërneci, si një përvojë natyrore dhe kulturore.

Durrësi, historia dhe shëtitorja nuk mjaftojnë për të fshehur problemet e plazhit
Në komentet e turistëve nga marsi deri në qershor 2026, Durrësi shfaqet si një destinacion me perceptime të ndara. Ndryshe nga Himara, ku dominon një qasje relativisht e unifikuar, këtu turistët bëjnë një dallim të qartë mes qytetit dhe plazhit.
Shëtitorja “Vollga” merr vlerësime pozitive. Një turist që e vizitoi në mars 2026 e përshkruan si “shëtitore shumë të bukur kryesore në Durrës”, moderne dhe të përshtatshme për ecje, me pamje nga deti dhe hapësira për familje.
Por i njëjti entuziazëm nuk shtrihet te plazhi. Një vizitor tjetër, në maj 2026, e përshkruan shëtitoren si “të këndshme dhe të gjallë”, por shton se plazhi pranë saj “nuk të bën të ëndërrosh” dhe “nuk ishte i mirëmbajtur” gjatë vizitës.
Kritikat bëhen edhe më të forta për vijën bregdetare. Një koment në Tripadvisor e përshkruan plazhin e Durrësit si “të pistë, të rrënuar dhe të shtrenjtë”, duke shtuar se kishte mbeturina dhe mungesë të dukshme të shërbimit të pastrimit.
Në anën tjetër të bilancit qëndrojnë turet turistike. Vizitorët që kombinojnë Durrësin me Golemin japin vlerësime më të mira, duke përmendur organizimin, guidat dhe gërshetimin mes historisë dhe eksplorimit.
Në përmbledhje, Durrësi shihet si një destinacion me avantazh në histori, akses dhe hapësira urbane, por komentet për plazhin mbeten dukshëm më kritike. Për shumë turistë, problemi nuk është mungesa e atraksioneve, por fakti që cilësia e mirëmbajtjes nuk arrin të ndjekë potencialin e qytetit.
Golemi, kur vlera matet me raportin kosto–përfitim
Nëse Jugu i vendit konkurron përmes peizazhit dhe ekskluzivitetit, Golemi duket se ka ndërtuar një pozicion tjetër në treg. Komentet e turistëve të publikuara nga marsi deri në qershor 2026 e përshkruajnë atë si një destinacion praktik, që tërheq kryesisht familje dhe vizitorë në kërkim të qetësisë, afërsisë me detin dhe kostove më të përballueshme.
Golemi nuk përshkruhet si një vend spektakolar, por si një zgjedhje shumë e përshtatshme për pushime verore.
Komentet në Tripadvisor tregojnë se plazhi shihet si një vijë bregdetare ranore me ujë të cekët, karakteristikë që turistët e lidhin me sigurinë për familjet me fëmijë. Në një koment të qershorit 2026, një vizitor e cilëson plazhin “të zakonshëm”, por shton se deti është i qetë dhe i sigurt për not.
Në të njëjtin koment përmendet se një set me shezlongë kushtonte rreth 500 lekë, një çmim që vizitori e konsideron të arsyeshëm krahasuar me destinacionet më të njohura të Jugut.
Një element që përsëritet në mënyrë të vazhdueshme është atmosfera. Turistët e përshkruajnë Golemin si më të qetë dhe më pak të mbingarkuar, duke vlerësuar mundësinë për të kaluar pushimet larg turmave që karakterizojnë destinacionet më të njohura bregdetare.
Për shumë prej tyre, pikërisht kjo është arsyeja kryesore e zgjedhjes së zonës.
Edhe strukturat akomoduese marrin përgjithësisht vlerësime pozitive. Vizitorët flasin për ambiente të pastra, dhoma të bollshme dhe shërbim miqësor, ndërsa afërsia me plazhin përmendet shpesh si një nga avantazhet kryesore të qëndrimit në Golem. Shumë turistë e konsiderojnë zonën të përshtatshme për familje dhe për pushime disaditore.
Por jo të gjitha komentet janë tërësisht pozitive. Disa turistë theksojnë se plazhi nuk ofron peizazhin apo ujin e kristaltë të Jugut dhe e konsiderojnë më shumë një destinacion funksional sesa një atraksion të veçantë. Në disa raste përmenden edhe mangësi në mirëmbajtjen e hapësirave publike, megjithëse këto ankesa nuk dominojnë vlerësimet.
Në tërësi, komentet e turistëve e paraqesin Golemin si një destinacion ku avantazhi konkurrues nuk është spektakli natyror, por raporti mes kostos dhe përvojës. Ndryshe nga Jugu, Golemi nuk premton shumë, por pikërisht për këtë arsye arrin më shpesh t’i përmbushë pritshmëritë e vizitorëve.

Shëngjini, mes pushimeve familjare dhe hijes së betonit
Shëngjini shfaqet në komentet e turistëve si një destinacion me identitet të qartë familjar, por edhe si një zonë ku zhvillimi urban po bëhet pjesë e përvojës së vizitorëve.
Në vlerësimet e publikuara nga marsi deri në qershor 2026, elementet pozitive lidhen me pushimet pranë detit, qetësinë dhe përshtatshmërinë për familje apo çifte. Kritikat, nga ana tjetër, nuk drejtohen ndaj detit, por ndaj mënyrës si është zhvilluar zona.
Një koment në Tripadvisor për plazhin e Shëngjinit e përmbledh përvojën me fjalët “i mirë për familje ose çifte”, duke e vendosur destinacionin në kategorinë e zgjedhjeve.
Por menjëherë pas kësaj shfaqet edhe ana tjetër e perceptimit. Në maj 2026, një turist shkruan: “Çfarë tmerri! Plot me pallate të larta hotelesh të shëmtuara. Dhe po ndërtojnë edhe shumë të tjera.” Komentin e mbyll me fjalën “pa shije”, duke e lidhur pakënaqësinë me zhvillimin urban.
Interesant është fakti se zonat përreth marrin vlerësime më të mira. Për Baks-Rrjollin dhe Ranën e Hedhun, turistët flasin për qetësi, privatësi dhe afërsi me plazhin. Një vizitor e përshkruan zonën si “të qetë”, pranë detit dhe larg turmave, duke e konsideruar një alternativë ndaj resortit klasik.
Edhe restorantet pranë detit marrin disa komente pozitive. Një turist e përshkruan eksperiencën si “ushqim i shkëlqyer” dhe “vend i mirë buzë detit”, duke përmendur shërbimin miqësor dhe dëshirën për t’u rikthyer.
Në tërësi, komentet tregojnë se Shëngjini vazhdon të jetë një destinacion tërheqës për familjet dhe pushimet tradicionale verore. Megjithatë, mënyra si po zhvillohet zona urbane po bëhet gjithnjë e më e dukshme në mënyrën se si turistët e perceptojnë vendin.

Velipoja, peshë e vogël, por perceptimi mbetet pozitiv
Në periudhën mars–qershor 2026, komentet për Velipojën në platformat kryesore janë të kufizuara, çka lidhet edhe me faktin se destinacioni nuk mbetet ndër ata me peshën më të madhe në vend dhe ende nuk ka hyrë në kulmin e sezonit turistik.
Në Tripadvisor dhe Reddit mungojnë vlerësime të dukshme për këtë interval kohor, ndërsa Booking.com jep sinjalet më të qarta mbi perceptimin e vizitorëve të hershëm.
Komentet në Booking e pasqyrojnë si një destinacion të qetë, të pastër dhe të orientuar drejt akomodimit familjar. Një turist e përshkruan qëndrimin “të këndshëm në Velipojë”, duke theksuar se shtëpia ishte “shumë e pastër”.
Një tjetër e përmbledh përvojën me fjalët: “Gjithçka ishte e përsosur”. Atmosfera e qetë del gjithashtu në pah në një koment tjetër, ku vizitori vëren se zona ishte “e këndshme, e qetë, larg muzikës së lartë të zonës qendrore”, ndërsa hoteli i ri ishte “shumë i pastër”.
Edhe kritikat janë më shumë praktike sesa thelbësore. Një vizitor shkruan se “asgjë nuk ishte keq”, por këshillon të merret “spraj kundër mushkonjave”.
Në tërësi, komentet e kësaj periudhe krijojnë imazhin e një Velipoje ende të qetë, përpara dyndjes së sezonit, ku turistët vlerësojnë pastërtinë, komoditetin, shërbimin dhe distancën nga zhurma e verës së ngarkuar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.