Çmimi i karburanteve, Berisha: Të përgjysmohet taksa e qarkullimit dhe lëvizja e akcizës
Kreu i PD-së, Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale duke iu përgjigjur interesit të tyre për çështje të ndryshme.
I pyetur nëse ka propozuar ndonjë draft për uljen e çmimit të naftës, Berisha tha se “kemi përgatitur draftin me të cilin ne kërkojmë menjëherë përgjysmimin e taksës së qarkullimit dhe lëvizjen e akcizës”.
“Ligji ynë propozon përgjysmimin e taksës së qarkullimit dhe lëvizjen e akcizës. Ne do të kërkojmë dhe të vendoset sistemi fiskal që ekziston në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, vende në të cilat nafta rritet, kur rritet në tregun botëror, por kjo rritje përsëri bën që në këto vende përsëri çmimi të jetë 70% më i ulët në Shqipëri”, tha Berisha.
I pyetur për rritjen e çmimeve, kreu i PD-së tha se “është një spekulim i madh në Shqipëri, mbasi qeveria shqiptare vendos mbi litrin e naftës taksat prej 1.1 euro si asnjë vend tjetër”.
“Zotimi ynë është dhe ka qenë, i prerë që në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk mund të shitet një litër naftë më shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, çka do të thotë se ne do të barazonim taksat me këto dy vende dhe pastaj gjithçka tjetër do të goditej me dorë të hekur si spekulim”, u shpreh ai.
Sipas tij, këto dy vende naftën e marrin nga Durrës apo Selaniku dhe naftën e shesin rreth 70% ndën çmimin e Shqipërisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.