COVID-19/ Ambasada: Kufiri tokësor me Greqinë i hapur për qytetarët që duan të kthehen në Shqipëri
Aktualisht, kufiri tokësor midis Shqipërisë dhe Greqisë (Kakavi, Kapshticë, Qafë Botë) është i hapur për qytetarët të cilët duan të kthehen në Shqipëri, të cilëve u mbaron afati maksimal i qëndrimit 90-ditor në Greqi, ose për raste urgjente/shëndetësore.
Ambasada e Shqipërisë në Greqi ka njoftuar sot se, “duke marrë parasysh situatën e rënduar për shkak të përhapjes së pandemisë së COVID-19, dhe në vijim të shqetësimeve të ngritura lidhur me kthimin në Shqipëri të shtetasve shqiptarë të cilët ndodhen në Greqi në kuadrin e regjimit 90 ditor të qëndrimit në zonën Shengen, sqarojmë se aktualisht, kufiri tokësor midis Shqipërisë dhe Greqisë (Kakavi, Kapshticë, Qafë Botë) është i hapur për qytetarët të cilët duan të kthehen në Shqipëri, të cilëve u mbaron afati maksimal i qëndrimit 90-ditor në Greqi, ose për raste urgjente/shëndetësore”.
“Kalimi i kufirit lejohet vetëm për këmbësorët, duke u kujdesur që nga ana tjetër e kufirit t’i marrë një person/i afërm/i njohur i cili duhet të ketë tërhequr paraprakisht nga Komisariati i Policisë në Shqipëri autorizimin për udhëtimin drejt kufirit. Aplikacioni për Autorizimin personal gjendet në linkun http://autorizime.asp.gov.al”, ka theksuar Ambasada.
“Për lëvizjen drejt pikës kufitare të Kakavijës mund te merret informacion në agjencinë e autobusëve Leoforo Kifisias 100, nr tel 0030215129363 ose 0030 210 5129365, për linjë udhëtimi deri në Janinë dhe nga aty për lëvizje deri në kufi”, ka nënvizuar ambasada shqiptare në Greqi.
“Për të lëvizur brenda territorit grek, në kontekstin e masës së shpallur nga autoritetet greke për ndalimin e lëvizjeve jo të nevojshme, duhet të ndiqen udhëzimet që gjenden në linkun https://forma.gov.gr/. Pas kthimit në Shqipëri duhet të ndiqni udhëzimet e autoriteteve shqiptare dhe të qëndroni në izolim për 14 ditë, për të evituar masa disiplinore”, ka sqaruar Ambasada.
Ambasada ka bërë të ditur se, “mund të kërkoni shtyrje të qëndrimit 90 ditor në Komisariatin e Policisë ku keni vendqëndrimin aktual, vetëm në rast të karantinimit për shkak të virusit COVID-19, ose të problemeve të rënda shëndetësore të vërtetuara me raport mjekësor nga mjeku qe trajton sëmundjen tuaj”.
“Për çdo sqarim të mëtejshëm ose nevojë emergjente, ju mund të kontaktoni në telefonin e emergjencës së Ambasadës i cili funksionon 24/7: +306941658183, ose të dërgoni e-mail në adresën elektronike: embassy.athens@mfa.gov.al”, ka theksuar Ambasada.