De Maizière ndalon IS
Një flamur i zi me shkrim të bardhë arab është simboli i “Shtetit Islamik”. Ky flamur nuk lejohet të përdoret më në Gjermani. Sepse ministri i Brendshëm i Gjermanisë e ka ndaluar këtë organizatë terroriste.
“Organizata terroriste “Shteti Islamik” është kërcënim, edhe për sigurinë publike në Gjermani. Këtë kërcënim ne sot e kundërshtojmë me vendosmëri.” Me këto fjalë e ndaloi Ministri Federal i Brendshëm, Thomas de Maiziére, “Shtetin Islamik”. Gjermania është një demokraci që mund të mbrohet, në të cilën nuk ka vend për një organizatë, që drejtohet kundër rendit të lirisë së një vendi, tha Thomas de Maiziére në Berlin.
Në Gjermani vërtet që nuk ka ndonjë organizatë me emrin “Shteti Islamik”. Por organizata terroriste konsiderohet si një shoqatë e huaj sipas ligjit dhe prandaj mund të ndalohet nga ligji gjerman i shoqatave dhe organizatave. Me këtë ndalohet edhe që të bëhet propagandë për “Shtetin Islamik” dhe që të mblidhen para ose materiale për organizatën. Të gjitha këto konsiderohen që sot si vepra penale.
Ndalim i flamurit dhe simboleve
Ndalimi përfshin çdo pjesëmarrje në “Shtetin Islamik”, qoftë kjo në mediet sociale apo në demonstrata. Edhe përdorimi në publik i simboleve të “Shtetit Islamik” që tani ndalohet. Kjo vlen veçanërisht për flamurin e zi me shkrimin arab. Vetëm ky flamur, që mbahet nga luftëtarët dhe që tregohet herë pas here në fotografi dhe në video propagandistike është i ndaluar. Kësaj i shtohen edhe simbole të tjera, të cilat janë specifike për “Shtetin Islamik” dhe organizatat e tij.
Islamistët gjermanë për Xhihadin
Deri tani këto simbole mund të tregoheshin hapur dhe publikisht në Gjermani. Herë pas here ato shfaqen edhe në demonstrata të salafistëve ose në manifestime në zonat e këmbësorëve në Gjermani. “Duhet të pengohet që islamistët e radikalizuar ta sjellin Xhihadin e tyre në shtetet gjermane”, tha ministri i Brendshëm Thomas de Maiziére. Po kështu duhet të ndalohet që burra dhe gra nga Gjermania të luftojnë në krah të “Shtetit Islamik”.
Sipas vlerësimit të organeve të sigurisë, deri tani janë 400 vetë, kryesisht meshkuj, por midis tyre edhe gra nga Gjermania që janë bashkuar me milicinë terroriste të IS. Rreth 100 prej tyre janë kthyer sërish në Gjermani, tha ministri i Brendshëm, disa të deziluzionuar dhe të zhgënjyer, kurse të tjerët me synimin që të bëjnë për vete mbështetës të tjerë. Rreth 40 luftëtarë nga Gjermania besohet se janë vrarë tashmë në Irak, midis tyre edhe atentatorë vetëvrasës.
Rekrutim përmes internetit
Shumica e përkrahësve të “Shtetit Islamik” në Gjermani rekrutohen në internet, për shembull në rrjetet sociale. Për këtë shkak, organizata terroriste ka qendra të saj mediale, që nxjerrin në internet video dhe tekste edhe në gjuhën gjermane. Skena veçanërisht mizore, si vrasja e të burgosurve, duket se i motivojnë në mënyrë të veçantë mbështetësit e islamistëve.
Ato u drejtohen si migrantëve myslimanë të radikalizuar, ashtu edhe gjermanëve, të cilët janë konvertuar në fenë islame. Sipas ekspertëve kjo prek veçanërisht të rinjtë, të cilët jetojnë në periferi të shoqërisë, kanë një nivel të ulët arsimor dhe nuk ndihen të kuptuar.
Ndalim i shoqatave
Për ta ndaluar punën e këtyre ekstremistëve të rinj, partia e Majta pati kërkuar para shumë javësh një ndalim të “Shtetit Islamik” në Gjermani. Deputetja e të Majtëve, Ulla Jelpke tërhoqi vëmendjen në mes të gushtit se luftëtarët gjermanë për Xhihadin udhëtojnë me ndihmën e personave ndërlidhës për në Siri dhe në Irak dhe personat që i mbështesin ata në sfond veprojnë të lirë në Gjermani.
Që ndalimi zgjati deri tani, kjo kishte të bënte me kufizimet juridike dhe me reflektimet e taktikave hetimore. Veç kësaj, autoritetet u përpoqën që në përcaktimin se cilat simbole ndalohen që të bëjnë një ndarje të rreptë midis islamistëve të gatshëm për dhunë dhe besimtarëve myslimanë që respektojnë ligjin. Kjo u arrit me ndalimin e IS, tha ministri i Brendshëm. Dhe kjo, tha de Maiziére njihet edhe nga komunitetet myslimane në Gjermani.