Deformoi të dhënat për krimet serbe në Kosovë, Prokuroria speciale bastis shtëpinë e Shkëlzen Gashit
Banesa e Shkëlzen Gashit në Prishtinë u bastis sot nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda e Kosovës, për shkak të veprimeve dhe deklarimeve të tij publike që lidhen me ekspozitën për masakrat në Kosovë që u çel me 24 mars dhe u mbyll brenda ditës për shkak të pasaktësive skandaloze. Vepra penale që rëndon mbi Gashin sipas mediave Kosovare është “nxitje e përçarjes”.
Sipas Prokurorisë në Prishtinë, përmbajtja e publikuar në ekspozitë ka “dëmtuar dhe ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare”, duke krijuar përçarje mes qytetarëve.
Rasti lidhet me ekspozitën “Masakrat në Kosovë ’98-’99”, e hapur në sheshin e Prishtinës pak ditë më parë , e cila ka shkaktuar reagime të forta për shkak të pasaktësive në të dhënat e paraqitura.
Në disa prej tabelave, sipas reagimeve publike dhe dëshmive të të mbijetuarve, janë dhënë shifra dhe përshkrime që nuk përputhen me faktet e njohura për masakrat.
Për shembull, në masakrën e Dubravës u paraqit një numër më i ulët viktimash dhe shqiptarët e vrarë cilësohen si “ njerëz të armatosur”, gjë që është kundërshtuar me forcë nga të mbijetuarit.
Mos përputhje të tjera janë evidentuar edhe për masakrat e Prekazit, Reçakut dhe Krushës së Madhe, ku numri i viktimave rezulton më i ulët krahasuar me raportimet ndërkombëtare dhe dëshmitë në terren.
Hetimet do të fokusohen edhe te burimet e informacionit që ai ka përdorur dhe nëse këto të dhëna janë të sakta apo të pavërteta.
Po ashtu, pritet të merren në pyetje dëshmitarë dhe persona të dëmtuar, për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Ndërkohë, reagimet ndaj ekspozitës së financuar nga Kuvendi, kanë qenë të forta edhe në nivel institucional, çka çoi edhe në pezullimin e lejes nga ana e Komunës së Prishtinës.
Organizatat që mbështetën ekspozitën, Admovere dhe Integra u justifikuan se të dhënat janë siguruar nga libri “Libër Kujtimi i Kosovës” të Natasha Kandiqit si i vetmi burim mbi numrin e të vrarëve.
Nga ana tjetër, vetë Shkëlzen Gashi reagoi duke thënë se mungesa e një liste zyrtare të viktimave nga institucionet e Kosovës e ka detyruar të përdorë burime alternative, konkretisht listën e organizatës Humanitarian Laë Center.
Ai pranoi se mund të ketë pasaktësi, por theksoi se përgjegjësia për mungesën e një liste zyrtare bie mbi institucionet.
Për ekspozitën në fjalë të hënën reagoi edhe qeveria Kurti.
“Sa i përket ekspozitës, me sa mora vesh ajo tashmë është larguar, aty ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, por kishte të tilla që kishin edhe gabime në tekst, ato domosdoshmërisht duhet të përmirësohen e korrigjohen. E vërteta për ne dhe krimet e kryera në Kosovë duhet të ekspozohen sa më shumë, jo vetëm para botës, por edhe para nesh veçanërisht te brezat e rinj. Një ekspozitë e saktë, e drejtë, dhe e plotë, e vërtetë për krimet e Serbisë në Kosovë, duhet të kthehet sa më shpejt. Një datë optimale do të ishte qershori, përvjetori i 27-të kur shënohet çlirimi i Kosovës”, tha ai të hënën.
Kurti tha se kanë filluar përgatitjet për padi civile ndaj Serbisë për gjenocid dhe sipas tij, deri më tani nuk ka pasur Qeveri që është marrë seriozisht me krimet e luftës nga Serbia.
Donika Gërvalla, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë tha se ekspozita ka arritur të ndërgjegjësojë të gjithë Kosovën.
“Shifrat zyrtare nuk mund të jenë arbitrare apo të shpikura, por duhet të jenë të vërteta, të sakta dhe për këto shifra duhet të jenë institucionet e forta” tha Gërvalla.
Arrestimi i Gashit dhe deklaratat e qeverisë Kurti erdhën pak orë para një proteste të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës kundër ekspozitës/ Pakënaqësia e tyre u intensifikua kur nuk u lejuan të hynin në oborrin e Kuvendit, duke u detyruar të futen me forcë përmes hyrjes kryesore.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, deklaroi se ka dyshime se informacionet për ekspozitën janë marrë nga shërbimet sekrete serbe. Ai shtoi se do ta mbrojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri i saj flisnin shumë për bashkimin kombëtar, mbajnë simbolin dhe flamurin kombëtar në xhaketë, kurse në anën tjetër kishin një këshilltar që vazhdimisht përpiqej të degradojë luftën e pastër dhe të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky person është Shkëlzen Gashi”, tha Jashari, duke pretenduar se brenda qeverisë Kurti, ka ministra që janë anti-UÇK.
The post Deformoi të dhënat për krimet serbe në Kosovë, Prokuroria speciale bastis shtëpinë e Shkëlzen Gashit appeared first on Sot News | Lajme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.