Degradimi i parlamentit/ Gati rregullorja që flak opozitën jashtë sallës
Kur një figurë kontroverse e spektaklit dhe politikës italiane si Vitorio Sgarbi e quajti “fashist” kreun e parlamentit italian, pasi ky i kërkoi të mbante maskën në muajt e pandemisë, atë e ngritën nga duart dhe këmbët dhe flakën jashtë sallës. Shumica e deputetëve italianë miratonin me thirrjet e tyre, ndërsa Sgarbi bërtiste “Kriminelë, kriminelë”.
Rastin e Sgarbit në Itali e përdori sot kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi për të treguar se në Shqipëri po tregohen shumë tolerantë me opozitën.
“E kemi parë parlamentin Italian se si e kapin Zgarbin ata punonjësit, dy prej komësh, dy prej duarsh” u tha Çuçi gazetarëve, duke paralajmëruar ashpërsimin e rregullores së kuvendit.
Pamjet e seancës ku kaloi buxheti për vitin e ardhshëm
Seanca e sotme parlamentare zgjati vetëm pak minuta, pasi socialistët nuk janë të qetë të mbajnë fjalimet e tyre. Deputetët e opozitës ndezën flakadanë dhe shpërthyen shashka në shenjë proteste pasi u mohohen komisionet hetimore. Në anën tjetër deputetët e mazhorancës ngritën kartonat dhe miratuan buxhetin pa mbajtur asnjë fjalim dhe pa thënë asnjë fjalë.
Seancat parlamentare janë në ngërç për më shumë se një muaj. Protestat e opozitës e kanë detyruar Lindita Nikollën të shmangë fjalimet propagandistike që përgatit Rilindja. Seancat mbyllen në pak minuta, mes pirgut me karrige që bllokojnë foltoren dhe skenave të përplasjes me gardistët.
Qëllimi i protestës është transparenca për çështje si afera McGonigal, si marrëveshja për ndërtimet në Portin e Durrësit, si fatura e udhëtimeve të Edi Ramës me charter etj.
“Imagjino sikur ata deputetë të mos ishin në mosbindje civile në parlament, por të kishin bojkotuar parlamentin? Do dëgjonin qytetarët kakarisjet e deputetëve socialistë nga mëngjesi gjer në darkë për suksese imagjinare, për mashtrime, falsifikime, çdo gjë tjetër. Iku tani. Tani kohërat i kanë të shkurtra, maksimumi 7 minuta, pa zë. Një parlament pa zë. Një parlament automatësh, që ngrenë dhe ulin kartonat” tha Berisha duke komentuar seancën.
Por socialistët refuzojnë të pranojnë hetim nga komisionet e opozitës. I vetmi që pranuan vitin e kaluar, ishte ai për inceneratorët. Në vend të transparencës, socialistët propozojnë “disiplinimin” e opozitës nëpërmjet rregullores së re të parlamentit.
Lexo edhe: Degradimi i parlamentit/ Si po “noterizohen” ligjet në pak minuta në kuvend
Lapsi.al ka parë ndryshimet që do t’i bëjnë socialistët rregullores së kuvendit. Aty parashikohet që përjashtimet për deputetët e opozitës të shkojnë deri në 30 ditë apo 60 ditënë varësi të mënyrës së si protestohet.
Kur deputeti përdor dhunë fizike ndaj gardistëve apo ndaj kolegëve dhe kur dëmton orenditë dhe pajisjet në kuvend do të dënohet me 30 ditë përjashtim.
Nëse deputeti shpërthen flakadanë apo hedh bojëra dhe materiale të tjera, veprime që mund të parashikohen nga Kodi Penal dënimi është 60 ditë përjashtim.
Nëse opozita vazhdon të protestojë siç po bën tani, për një ose dy javë shumica e deputetëve të saj do të jenë jashtë parlamentit. Me këtë rregullore të re merr fund protesta.
Si shembull, Çuçi solli parlamentin italian ku siç u shpreh ai të përjashtojnë për 15 javë. Kjo mund të jetë e vërtetë. Por në anën tjetër të dhënat tregojnë se në një legjislaturë të parlamentin italian zhvillojnë punimet disa komisione hetimore, (12 në legjislaturën e kaluar, 15 në legjislaturën e mëparshme) që nga çështje të përgjithshme si antimafia, deri tek hetime të ngjarjeve konkrete. Por sigurisht që nga italianët nuk po kopjohet hapësira dhe mekanizmat që i ofrohen opozitës, por vetëm masat represive për ta ndëshkuar atë.