Del udhëzimi: Si do fshihen dhe shuhen detyrimet
Në Fletoren Zyrtare nr. 99/2017, dt.8.05.2017, është publikuar Udhëzimi i Ministrit të Financave Nr.14, datë 3.5.2017 “Për zbatimin e ligjit nr. 33/2017 “Për pagesën dhe fshirjen/ shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore”.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
SUBJEKTET QË NUK PËRFITOJNË
– Nga fshirja/shuarja e detyrimeve nuk përfitojnë subjektet që kanë detyrime tatimore/doganore, të cilët janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës.
Organi tatimor brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi e këtij udhëzimi, duhet të përgatisë listën e tatimpaguesve që nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve. Kjo listë përditësohet çdo muaj.
Njoftimi zyrtar i tatimpaguesve të cilët përjashtohen nga zbatimi i ligjit, do të bëhet në faqen zyrtare të organit tatimor brenda 45 ditëve nga data e hyrjes në fuqi e këtij udhëzimi. Ky njoftim përditësohet çdo muaj sipas vendimeve të gjyqësore të formës së prerë për veprat penale në fushën tatimore të marra pas këtij afati.
FSHIRJA E DETYRIMEVE TATIMORE (FSHIRJA PA KUSHT)
-Fshihen/shuhen automatikisht detyrimet tatimore të papaguara sipas përcaktimit në pikën 1 të nenit 2 të ligjit që i përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë dhe që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Këtu përfshihet çdo detyrim tatimor i regjistruar në sistemin informatik ose jashtë sistemit, por që është i regjistruar në kontabilitetin e Drejtorive Rajonale Tatimore.
-Fshihen/shuhen detyrimet e akcizës të administruara nga ana e organit tatimor që i përkasin periudhave deri në 31 dhjetor 2010.
-Fshihen/shuhen detyrimet e papaguara të përcaktuara sipas ligjit nr. 9632/2006 “Për taksat vendore” i ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë sipas regjistrimeve të pushtetit vendor.
-Fshihen/shuhen automatikisht dënimet administrative (gjobat) dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që i përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit.
Sqarim:
Për rastet kur data e njoftim vlerësimit apo akt konstatimit mban datën 31.12.2010 dhe më parë, ndërsa data e kontabilizimit është bërë pas kësaj date, fshirja/shuarja bëhet manualisht nga strukturat përkatëse.
FSHIRJA/SHUARJA PJESORE E DETYRIMEVE TATIMORE ME KUSHT PAGIMIN E TATIMIT/TAKSËS/TARIFËS/KONTRIBUTIT (FSHIRJA ME KUSHT).
– Fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të regjistruara në llogarinë e subjektit, me kushtin që deri më 31.12.2017, të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi, për:
a) detyrimet tatimore, që i përkasin periudhave tatimore Janar 2011 deri Dhjetor 2014, duke u aplikuar sipas llojit të tatimit;
b) kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore Janar 2011 deri Dhjetor 2014;
c) taksat/tarifat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014.
Ky përcaktim zbatohet edhe në rastin kur tatimi/taksa/tarifa/kontributi është paguar përpara hyrjes në fuqi të ligjit.
Nëse subjekti për një periudhë të caktuar nuk ka tatim për të paguar për periudhat tatimore sipas llojit të tatimit që i përkasin periudhave Janar 2011 deri në Dhjetor 2014, duke qenë se e ka paguar më parë ose tatimi ka qenë zero, atëherë atij i aplikohet fshirja/shuarja e kamatëvonesave dhe gjobave sipas përcaktimeve në nenin 6 të ligjit dhe kësaj pike të udhëzimit.
Për rastet kur data e njoftim vlerësimit apo akt konstatimi mban datën 31.12.2014 dhe më parë, ndërsa data e kontabilizimit është bërë pas kësaj date, fshirja/shuarja bëhet manualisht nga strukturat përkatëse.
Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të dërgojë zyrtarisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave detyrimet e tatimpaguesve për akcizë/gjobë/ kamatëvonesë e dënim administrativ për periudhën tatimore Janar 2011 deri Dhjetor 2014 sipas periudhave që i përkasin. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për këtë tatim do të zbatojë procedurën e fshirjes/shuarjes pjesore të detyrimeve të akcizës, në zbatim të dispozitave të nenit 6 të ligjit.
FSHIRJA/SHUARJA E DETYRIMEVE TATIMORE TË TJERA.
Fshihen/shuhen automatikisht detyrimet tatimore përfshirë tatimin/kontributin/taksën/tarifën, kamatëvonesën dhe dënimet administrative për subjektet persona fizikë ose juridike, të cilët rezultojnë të çregjistruar në QKB, me vendim gjykate, ose që janë të çregjistruar në administratën tatimore deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit.
Organi tatimor qendror përgatit listën e subjekteve sipas përcaktimeve të mësipërme, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të udhëzimit.
Tatimpaguesit përfitues të ligjit sipas listës së përgatitur, pas kryerjes së fshirjes së detyrimeve nga sistemi, në mënyrë automatike do të çregjistrohen nga sistemi me datën efektive të çregjistrimit sipas listës pa qenë e nevojshme dorëzimi i deklaratave dhe listëpagesave të padorëzuara.
– Në zbatim të nenit 7 të ligjit, fshihen/ shuhen në mënyrë automatike dënimet administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar sipas nenit 113 të ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, deri më 31.12.2016, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin.
– Fshihen/shuhen automatikisht dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2016 pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin.
– Fshihen/shuhen automatikisht dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017 pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin.
– Fshihen/shuhen automatikisht dënimet administrative (gjobat) për shoqëritë e autorizuara, të parashikuara në nenin 123 të ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të evidentuara në llogarinë e subjektit nëpërmjet akt konstatimit deri më datën 31.12.2016 pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin.
– Fshihen/shuhen automatikisht dënimet administrative (gjobat) si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit nr.99/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin.
– Fshihen/shuhen detyrimet tatimore të papaguara sipas përcaktimit në pikën 1 të nenit 2 të ligjit, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe të detyrimeve të vetëdeklaruara dhe të papaguara, të shoqërive që operojnë në sektorin elektro-energjitik dhe janë 100 % me kapital shtetëror, që i përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri 31.12.2013. Gjobat dhe kamatëvonesat për kontributet e sigurimeve dhe detyrimet e vetëdeklaruara për këto periudha, fshihen/shuhen, me kusht që brenda dates 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/ taksa/ tarifa/ kontributi.
– Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën janar deri dhjetor 2014, fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që Brenda dates 31.12.2017, të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.
– Në zbatim të referimeve të mësipërme, ngarkohet organi tatimor të evidentojë dhe të përcaktojë subjektet e këtij sektori që përmbushin kushtet. Nga ana e tij duhet të përcaktohet qartë detyrimi tatimor që do të fshihet sipas përcaktimeve ligjore. Për pagesën e detyrimeve të këtij sektori, përcaktohet një plan pagesash periodik i cili shtrihet nga hyrja në fuqi e ligjit deri në Dhjetor 2017, për pagimin e tatimit/taksës/kontributit brenda datës 31.12.2017.
– Informacioni i detajuar me subjektet e këtij sektori dhe detyrimet që do të fshihen/shuhen, do të përgatitet nga ana e Drejtorive Rajonale Tatimore përkatëse dhe do të dërgohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit.
– Fshihen/shuhen detyrimet tatimore të papaguara sipas përcaktimit në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të shoqërive që operojnë në sektorin ujësjellës-kanalizime dhe janë 100 % me kapital shtetëror, që i përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri 31.12.2013. Gjobat dhe kamatëvonesat për kontributet e sigurimeve për këto periudha fshihen/shuhen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë kontributi.
Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën Janar deri Dhjetor 2014, fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.
-Ngarkohet organi tatimor të evidentojë dhe të përcaktojë subjektet e këtij sektori që përmbushin kushtet. Nga ana e tij duhet të përcaktohet qartë detyrimi tatimor që do të fshihet sipas përcaktimeve. Informacioni i detajuar me subjektet e këtij sektori dhe detyrimet që do të fshihen/shuhen, do të përgatitet nga ana e Drejtorive Rajonale Tatimore përkatëse dhe do të dërgohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit.
– Shuhen efektet tatimore për detyrime të papaguara të regjistruara ose jo, apo në proces kontrolli, si pasojë e lëshimit jo brenda së njëjtës periudhë tatimore të kryerjes së furnizimit, të dokumentit që vërteton përjashtimin nga TVSH, ose si pasojë e moslëshimit të këtij vërtetimi, me kusht që në çdo rast aplikimi pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të jetë paraqitur deri më 31.12.2014. Sipas kësaj dispozite përfitojnë ato raste të cilat është aplikuar në AKBN brenda datës 31.12.2014 dhe AKBN nuk ka lëshuar asnjë dokument/vërtetim për rastin.
Për çdo rast për të cilin ka një dokument/vërtetim të lëshuar nga AKBN, i cili nuk ka miratuar përjashtimin nga TVSH, rasti nuk është objekt i dispozitave të pikës “f” të nenit 7 të ligjit.
Sqarim:
-Për çdo subjekt që është në proces kontrolli mbahet një proces verbal i veçantë për këtë qëllim, në të cilin në mënyrë analitike listohen rastet si dhe data e aplikimit në AKBN, ka ose jo vërtetim nga AKBN, është miratuar ose jo/është shprehur AKBN/ose jo, data e miratimit/refuzimit nëse ka. Për këta tatimpagues që janë në proces kontrolli ende të papërfunduar, DRT-të respektive të marrin masat për të përfunduar kontrollet tatimore, duke marrë në konsideratë parashikimet e ligjit.
– Nga ana e organit tatimor, evidentohen tatimpaguesit sipas përcaktimeve të mësipërme për vlerën e detyrimit, llojin e detyrimit, periudhën dhe kushtin e plotësuar. Informacioni i detajuar me subjektet që përmbushin kushtin e mësipërm dhe detyrimet që do të fshihen/shuhen, do të përgatitet nga ana e Drejtorive Rajonale Tatimore përkatëse dhe do të dërgohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit.
KOMPENSIMI I DETYRIMEVE DEBITORE ME GJENDJEN KREDITORE DHE TEPRICËN KREDITORE TË TVSH- SË
Subjektet që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të këtij ligji, pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar pa përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat si dhe detyrimet tatimore të pahedhura në sistem që i përkasin periudhave tatimore deri më 31.12.2010.
Në rastet kur sipas nenit 6, teprica nuk mbulon vlerën e plotë të tatimit të papaguar atëherë duhet të kryhet pagesa për pjesën e mbetur dhe më pas bëhet fshirja e kamatëvonesave dhe e dënimeve administrative.
Përcaktimet për kompensimin zbatohen automatikisht pa kontroll, përveç rasteve të parashikuara në pikën 1 të nenit 11 të këtij ligji, për të cilat ky nen zbatohet kur subjekti heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës kompetente.
-Kompensimi i tepricës kreditore të TVSH- së dhe çdo lloj tatimi duhet të përdoret për të përputhur fillimisht detyrimet brenda llojit të vetë të tatimit dhe më pas tek tatimet e tjera. Nga ky kompensim përjashtohen detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Sqarim:
– Kompensimit nuk i nënshtrohen detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
DETYRIMET TATIMORE DHE DOGANORE QË JANË NË PROCES ANKIMIMI.
-Subjekti i cili është në proces ankimimi administrativ ose gjyqësor për detyrimet tatimore, i nënshtrohet këtij procesi nëse ai heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative kompetente.
-Të gjithë tatimpaguesit për gjobat e parashikuara në nenin 7 të ligjit, pikat b, c, ç, d, dh, përfitojnë nga zbatimi i ligjit të fshirjes, pavarësisht nëse janë në proces ankimimi.
Për këtë qëllim, lista e subjekteve të cilat janë në proces gjyqësor për vlerën dhe periudhën e detyrimit të ankimuar, do të përcaktohen nga ana e organit tatimor/doganor brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit. Lista e subjekteve të cilat janë në proces gjyqësor, do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të administratës tatimore/doganore. Në momentin kur subjekti paraqet pranë organit tatimor/doganor aktin e heqjes dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit, bëhet pjesë e shqyrtimit të ligjit të faljes.
-Çdo Drejtori Rajonale Tatimore, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, do të rishikojë të gjitha marrëveshjet e pagesës me këste të detyrimit të papaguar, me qëllim përfshirjen e këtyre tatimpaguesve në procesin e shqyrtimit të ligjit të fshirjes.
Administrata tatimore apo doganore për detyrimet që fshihen/shuhen sipas këtij ligji, në rastin kur i ka filluar, ndërpret procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve.
Për detyrimet tatimore që nuk përfitojnë nga falja sipas këtij ligji, procedurat e mbledhjes së detyrimeve vijojnë të kryhen sipas përcaktimeve në kreun XI “Mbledhja me forcë i detyrimit tatimor të papaguar” të ligjit nr. 9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, të ndryshuar.
AFATI I ZBATIMIT DHE E DREJTA E ANKIMIT
– E drejta e subjekteve që përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji ushtrohet deri më 31.12.2017.
– Subjektet për të cilët fshirja e detyrimit aplikohet me kusht, nuk përfitojnë fshirje të detyrimit, nëse nuk përmbushin kushtet brenda afateve të përcaktuara në ligj.
– Për çdo subjekt që përfiton ose jo nga fshirja e detyrimeve, organi përkatës nxjerr një akt administrativ për këtë qëllim duke njoftuar edhe subjektin.
– Administrata tatimore pas përfundimit të fshirjes/shuarjes sipas kushteve të përcaktuara në ligjin nr.33/2017, do të njoftojë tatimpaguesit në e-Filing system me anë të një mesazhi i cili në përmbajtje të tij do të informojë se: Në zbatim të ligjit nr. 33 datë 30/3/2017 “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit, pas fshirjes së detyrimeve tatimore “Ju njoftojmë se efekti i tij është përfshirë në Situatën Tuaj Financiare në sistemin informatik”.
– Subjektet të cilët sipas një vendimi të administratës përkatëse, nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në gjykatën administrative sipas legjislacionit të fushës në fuqi.
– Brenda datës 31.12.2017, organet përkatëse fshijnë nga regjistrat e tyre kontabël dhe nga llogaria e subjektit debitor, detyrimet që fshihen sipas këtij ligji.
– Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve me urdhër të brendshëm përcakton detyrat e çdo funksioni dhe njësie të deleguara për zbatimin e këtij ligji.
– Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ngre një grup pune i cili do të monitorojë, zbatimin e ligjit dhe këtij udhëzimi, nga strukturat përkatëse në nivel qendror dhe rajonal.