Opinion

Delegjitimimi i publikes si strategji pushteti

Nga KOSTANA MORAVA

Dikush duhet t’ia shpjegojë kryeministrit tonë të shqetësuar se media publike nuk ekziston sepse është e përsosur, por sepse është e domosdoshme.

Ajo krijon një hapësirë ku informacioni nuk matet vetëm me audiencë dhe fitim, por me përgjegjësi publike. Nëse kryeministri synon t’i privojë shqiptarët nga kjo hapësirë dhe ky është qëndrimi i tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, atëherë problemi nuk është RTSH-ja.

Sot, teksa Edi Rama e shpalli hapur panevojshmërinë e Radio Televizionit Shqiptar dhe artikuloi idenë se tregu privat e kryen më mirë funksionin e medias publike, m’u kujtuan dy detaje shumë konkrete nga përvoja ime në Shqipëri. Dy detaje që, të vendosura krah për krah, nuk duken më si rastësi.

I pari lidhet me tërmetin e vitit 2019. Tërmeti më gjeti duke punuar në Radio Televizionin Shqiptar. Pas tij, nuk ishte vetëm nëpër korridore që filloi të qarkullonte gradualisht ideja se godina ishte e pashpresë dhe se duhej shembur. Këtë mendim nuk e përhapnin vetëm zëra informalë, por edhe vetë drejtues të Institutit të Ndërtimit, të cilët rastisi t’i kisha të ftuar në emisionin që drejtoja në atë kohë, emisionin e pasdites. Ata flisnin hapur se godina e RTSH-së ishte dëmtuar aq rëndë sa nuk kishte zgjidhje tjetër veç shembjes.
Për përforcim strukturor, për rikonstruksion apo për investim serioz nuk u fol kurrë. Fjala që u përsërit vazhdimisht ishte vetëm një: “shembje”.

Detaji i dytë që më erdhi sot në mend lidhet me ligjin e ri për arsimin e lartë. Një ligj që nuk i forcoi institucionet publike, por ndryshoi vetë logjikën e financimit. Deri atëherë, mbështetja publike ishte e lidhur drejtpërdrejt me universitetin shtetëror. Pas këtij ligji, financimi u shkëput nga institucioni dhe iu kalua studentit, duke hapur rrugën që para publike të përfundonin edhe në universitete private.

U tha se kjo ishte reformë, konkurrencë, modernizim.
Në praktikë, ajo që ndodhi ishte dobësimi i përgjegjësisë shtetërore për ndërtimin e një sistemi publik të fortë dhe krijimi i një precedenti të rrezikshëm: shteti nuk mban më barrën e institucionit publik, por shpërndan para dhe tërhiqet.

Këto dy përvoja më janë rikthyer sot me forcë në memorie, jo rastësisht, por sepse së bashku formojnë një model: një mënyrë të menduari dhe vepruari ku institucionet publike nuk rregullohen, por delegjitimohet ekzistenca e tyre.

Ajo që jemi mësuar të shohim është se fillimisht institucionet publike shpallen të dështuara, më pas të panevojshme dhe, në fund, hapet rruga për shpërndarjen e buxhetit të tyre dhe, padiskutim, të truallit të tyre.

Kështu e lexoj unë edhe deklaratën e sotme për RTSH-në.

Aspak si kritikë për cilësinë e programeve apo për mungesën e reformave, por si shpallje politike e panevojshmërisë së një institucioni publik.

Për ta çmontuar sado pak këtë maskaradë maskarenjsh, duhet kuptuar se kur thuhet se televizioni publik nuk ka më arsye të financohet dhe se tregu privat e bën më mirë këtë punë, nuk po propozohet përmirësimi i tij, por po propozohet zëvendësimi.

Mos mendoni se buxheti i RTSH-së do të zhduket ose do të kthehet në arken e shtetit .
Ai do të rishpërndahet.

Në një treg mediatik si ai shqiptar, ku televizione private nuk janë struktura të pavarura, por pjesë e ekosistemeve politike dhe financiare, kjo rishpërndarje dihet se nuk prodhon pluralizëm, por forcon varësinë.
Heqja e financimit publik nuk e çliron median, por e dorëzon atë në duart e atyre që kanë prodhuar propagandë të sofistikuar.

Mos të harrojmë elementin që në Shqipëri nuk është kurrë dytësor: toka. Trualli. RTSH nuk është vetëm një institucion mediatik. Trualli i RTSH-së është një hapësirë fizike me vlerë të jashtëzakonshme në një qytet të mbingarkuar nga ndërtimi. Përvoja jonë kolektive është e qartë: kur një institucion shpallet i dështuar, shumë shpejt fillon të shihet si pengesë për zhvillim. Ky është mekanizmi tipik i manipulimit të popullit, përveç vënies së zjarrit.

Në rastin e RTSH-së, godina nuk trajtohet më si infrastrukturë publike, por si potencial ndërtimor.

Kështu që vijmë te nisja e këtij shkrimi: historia e “godinës së dëmtuar” pas tërmetit nuk ishte thjesht debat teknik ose zëra korridoresh, por një lloj hyrjeje në narrativën e sotme të kryeministrit.

Fillimisht problematizohet godina, më pas shembja paraqitet si zgjidhje dhe, në fund, hapet rruga për shfrytëzimin e hapësirës publike.

Këtu nuk flasim për rindërtim institucional, por për ndërtim mbi truall publik.
Kështu mbyllet rrethi: buxheti shpërndahet, toka ndërtohet, institucioni zhduket.

Por pasoja më e rëndë nuk është as financiare dhe as urbanistike.
Pasoja më e rëndë është politike.

Një vend pa media publike është një vend ku e vërteta nuk ka më detyrim ndaj publikut, por vetëm interesa klienteliste.

Një vend pa media publike është një vend ku informacioni filtrohet nga marrëdhënie force dhe jo nga interesi publik.

Në një shoqëri ku mafia ka hyrë në ekonomi, në politikë dhe në administratë, heqja e medias publike nuk është reformë por çmontim i mbrojtjes më minimale.

Qoftë edhe formalisht, kur qytetari mbetet pa zë institucional, jemi përballë legjitimimit të një pushteti pa kufi, qoftë edhe simbolik.

Si përfundim, sot nuk u shpall thjesht panevojshmëria e RTSH-së, por u artikulua një ide shumë më e thellë, ajo se shteti nuk ka më detyrim të mbajë hapësira publike që nuk prodhojnë fitim.

Kjo ide nuk flet vetëm për një televizion, por për një mënyrë të të menduarit ku vlera ngatërrohet me çmimin dhe ku çdo gjë që nuk kthehet në të ardhura shihet si barrë.
Media publike, arsimi, kultura dhe kujtesa kolektive nuk ekzistojnë për të prodhuar fitim, por për të mbajtur lidhjen mes shoqërisë dhe vetvetes.

Nqs këto hapësira trajtohen si kosto, qytetari pushon së qeni pjesë e një publiku dhe shndërrohet në konsumator, ndërsa e vërteta humb detyrimin ndaj shoqërisë dhe fillon të matet me leverdi.

Në një vend të kapur, ku tregu nuk funksionon si hapësirë e lirë, por si zgjatim i pushtetit, kjo logjikë nuk sjell liri dhe as pluralizëm, por vetëm varësi të maskuar.

Nqs kjo mënyrë e të menduarit normalizohet, nuk është se mbyllet vetëm një institucion, por mbyllet vetë ideja e publikut si themel i bashkëjetesës shoqërore.

“Dhe jeta ju dhurua robotit”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button