Ekonomia

Detyrimet e prapambetura, qeveria i paguan 1.2 mln euro “Bechtel-Enka”-s për tre gjyqe të humbura

aaaQeveria shqiptare ka paguar në formën e detyrimeve të prapambetura ndaj kompanisë Bechtel- Enka e kontraktuar për ndërtimin e aksit me tunel në rrugën e kombit një shumë prej 171 milionë lekë ose 1.2 milionë euro.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave mësohet se shuma në total është paguar nga zbatimi i tre vendimeve të gjykatës që i japin të drejtë konsorciumit amerikano-turk të fitojë çështjet ndaj Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj.

Shuma e qeveria shqiptare ka paguar ndaj Bechtel nuk lidhet me kuotat e papaguara të punimeve, por me përllogaritjen e detyrimeve fiskale.
Tre gjyqet e hapura ndaj tatimeve Bechtel i ka fituar me 12 dhjetor te vitit 2012, por qeveria shqiptare ka shlyer detyrimet që rrjedhin nga këto vendime në fillim të vitit që kaloi.

Një ndër veprat më madhore të realizuara në Shqipëri në vitet e tranzicionit, ai i ndërtimit të rrugës Durrës Kukës, ka rezultuar tepër fitimprurëse për kompaninë kryesore ndërtuese të saj, Bechtel Enka. Të dhënat e tatimeve tregojnë se në periudhën 2008-2009, kur punimet e rrugës ishin në kulmin e tyre, Bechtel Enka ka rezultuar me norma mjaft të larta fitimi, përkatësisht 31% dhe 30% të qarkullimit vjetor të realizuar. Konkretisht, në 2008-n, Bechtel kishte një xhiro vjetore prej rreth 42 miliardë lekë dhe fitim 13 miliardë lekë. Në 2009-n, xhiro ishte rreth 40 miliardë lekë dhe fitimi 11.4 miliardë lekë. Aktiviteti i Bechtel është reduktuar më pas në 11.5 miliardë lekë në 2010-n, por norma e fitimit ka mbetur e lartë, në 36%. Vetëm gjatë vitit 2011, kompania ka rezultuar me një humbje minimale, ndërsa xhiro e saj është reduktuar në 1.6 miliardë lekë, për shkak të mbarimit të punimeve.
Në përgjithësi, fitimet e Bechtel Enka në periudhën 2008-2010 rezultojnë rreth 29 miliardë lekë (rreth 210 milonë euro), me një normë mesatare fitimi prej 31%. Fitimet e Bechtel Enka në tre vjet janë sa 2.3% e prodhimit të brendshëm bruto vjetor të ekonomisë shqiptare.

Kosto e rrugës Durrës Kukës vlerësohet të ketë arritur në 1 miliardë euro, apo gati 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (nga të cilat një e pesta ka shkuar fitim për kompaninë kryesore ndërtuese). Shpenzimet e larta në 2008-2009 çuan në rritjen e borxhit publik të vendit, që arriti në kufirin maksimal, rreth 60% të PBB-së në 2009-n, më i larti në rajon, nga 53% që ishte në 2008-n, sipas të dhënave publike të Ministrisë së Financave. Fillimi i krizës globale, në 2009-n, që ngadalësoi rritjen ekonomike në vend ia vështirësoi punën financave për uljen e borxhit, që dhe sot e vendos Shqipërinë në një nga vendet me nivele më të larta borxhi në rajon dhe si rrjedhojë dhe me risk më të lartë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button