Politika

Dixhitalizimi i RTSH-së, miratohet marrëveshja e garancise me “Deutsche Bank”

Komisioni parlamentar i Medias miratoi të martën marrëveshjen e garancisë mes palës shqiptare dhe “Deutsche Bank AG” për projektin e dixhitalizimit të transmetimeve audiovizive të Radiotelevizionit Shqiptar.

Kompania që do ndërtojë dy rrjetet numerike të RTSH-së është Rohde&Schwarz, ndërsa vlera totale e kontratës që do të paguhet nga transmetuesi publik kap shifrën e 21.558.341 euro. Projekti do të financohet nga banka gjermane “Deutsche Bank AG,” përmes një kredie prej 20.064.590. eurosh, me kusht që të ketë garancinë e palës shqiptare.

Sigurimi i fondeve nëpërmjet kësaj skeme do të bëjë të mundur zbatimin e projektit për ndërtimin e rrjeteve numerike (dixhitale) DVB-T2 të transmetuesit publik (RTSH), me qëllim përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga nënshkrimi i akteve finale të Marrëveshjes së Gjenevës (GE 06), e ratifikuar dhe nga parlamenti shqiptar.
Marrëveshja GE-06 përcakton si afat përfundimtar të mbylljes së transmetimeve analoge audiovizive datën 17 qershor 2015.

Ndërkohë, që jo vetëm në Evropë, por edhe në rajonin tonë, pjesa më e madhe e shteteve e kanë përfunduar procesin e dixhitalizimit, Shqipëria mbetet nga vendet e fundit ku ky proces sapo ka filluar.
Fillimi sa më shpejt i zbatimit të këtij projekti merr një rëndësi të veçantë pasi siguron mbylljen e transmetimeve analoge të transmetuesit publik, por edhe të operatorëve ekzistues analogë lokalë/rajonalë, për të cilat strategjia parashikon mbështetjen, si fazë të parë, në rrjetet e RTSH-së, nëse nuk përzgjidhet prej tyre opsion tjetër.
Nisja e zbatimit të projektit për ndërtimin e rrjeteve numerike të RTSH-së lidhet me përfundimin e procedurave të miratimit të marrëveshjeve financiare për kredinë që do të jepet nga Banka Gjermane.

Për këtë arsye, janë bërë përpjekje për të përshpejtuar finalizimin e tyre. Çdo vonesë në përfundimin e procesit të dixhitalizimit të transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë rrezikon cilësinë e transmetimeve televizive deri dhe ndërprerjen e tyre, duke cënuar në këtë mënyrë të drejtën kushtetuese të popullatës për t’u informuar.

Misioni i transmetuesit publik është t’u ofrojë përdoruesve në të gjithë territorin e vendit, pavarësisht nga vendndodhja gjeografike, programe informative, didaktike e argëtuese të transmetuara hapur (pa pagesë). Në këtë mënyrë sigurohet që shtresat e gjera të popullsisë të marrin një minimum të caktuar shërbimesh mediatike. Me qëllim që televizioni publik ta ruajë misionin e tij të pazëvendësueshëm edhe në epokën numerike, është prioritet i qeverisë transferimi i programeve të tij në platforma numerike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button