Rajoni

Donatorët duan të bindin grekët

greqiKatastrofa e re financiare për Greqinë është në prag të derës. Në takimin e nivelit të lartë në Berlin u shkruan dokumenta. Athina përgjigjet me një listë të re. Për sa kohë do të zgjasë gjendja jep e merr?

Deri në 18 qershor i lënë vetes kohë përfaqësuesit evropianë të “grupit të Brukselit”. Më e vonta atëherë, në mbledhjen e rregullt të ministrave të financës së eurozonës në Luksemburg do të gjendet një kompromis. Ata besojnë se Greqia është akoma në gjendje që t’ia paguajë këstin tjetër të radhës FMN të premten e ardhshme, në shumën prej 300 milionë euro dhe se mund t’i shtyjë për në fund të muajit pagesat e tjera.

Ekonomisti Zsolt Darvas nga Instituti Kërkimor “Bruegel” në Bruksel mendon se shteti grek ka ende mjaftueshëm fonde dhe mund t’i paguajë këstet, po ta dojë këtë politikisht. “Greqia ka një pasuri prej 78 miliardë eurosh. Midis tyre janë pjesëmarrje në banka, të cilat me siguri janë të vështira të shiten. Por krahas pjesëmarrjeve në banka ka edhe fonde të tjera, hua dhe llogari, që ende kanë njëfarë vlere.”

Ndalim apo pritje?

Nëse qeverie greke vendos që të mos ia paguajë paratë FMN, për arsye taktike ose të negociatave, do të varet si do të reagojë Banka Qendrore Evropiane, tha Darvas në bisedë me DW. “Nëse BQE mendon se Greqia është e falimentuar, atëherë ajo mund të ndalojë kreditë e emergjencës për bankat greke. Sistemi bankar do të pësonte menjëherë kolaps, do të shpërthente një krizë e rëndë financiare dhe Greqia mund të dilte nga Eurozona”. Por Darvas nuk beson se BQE do të vepronte kështu për momentin. “Mendoj se BQE do të presë nëse bie dakord Greqia dhe Eurozona. Këtë ajo e ka bërë prej katër muajsh e do ta bëjë me siguri edhe për dy javë.”

Cipras: kemi dorëzuar listën e plotë

Ajo që diskutuan me saktësi donatorët në Zyrën Kancelarore në Berlin të hënën në darkë nuk dihet zyrtarisht. Diplomatët në Bruksel bënë të ditur se Komisioni i BE, BQE dhe FMN e koordinuan së bashku me Kancelaren Angela Merkel dhe me Presidentin francez François Hollande dhe kanë shkruar parime për zgjidhjen e krizës së borxheve, të cilat Greqia duhet t’i pranojë. Ky pozicion do t’i përcillet qeverisë greke në ditët e ardhshme, u bë e ditur. Të martën në mëngjes, qeveria greke la të kuptojë se asaj nuk i ishin paraqitur dokumenta nga Berlini.

Kryeministri grek, Alexis Cipras tha të martën në drekë në Athinë se qeveria greke u pati përcjellë që të hënën 40 faqe me propozime për reforma, një “listë komplete” donatorëve.

Komisioni Evropian deklaroi në Bruksel se ka “shumë muaj që jepen e merren letra”. “Nëse ekziston një listë e re me 40 faqe, ne nuk kemi pasur kohë ta lexojmë ose verifikojmë”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian. Komisari i BE për Bashkimin Monetar, Pierre Moskovici konfirmoi në një intervistë në radio në Francë se janë paraqitur propozime të reja nga Athina. “Ne po punojmë me intensitet të madh në reformën e pensioneve. Grekët kanë bërë propozimet e para. Ne tani po peshojmë pro-të dhe kundrat”. Ministri grek i Punës, Panis Skourletis tha në Athinë se ai nuk shikon më hapësirë për kompromise të reja.

Do të aktivizohet ombrella e shpëtimit ESM?

Në Berlin, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker ka paraqitur në bazë të të dhënave të pakonfirmuara të diplomatëve një dokument, që nuk përmban lëshime të reja për Athinën. Nuk është një “ofertë e fundit”, por një paraqitje e pozicionit të përbashkët të kredidhënësve, e cila do t’i përcillet fillimisht kryeministrit grek Cipras.

Më e vonta në korrik dhe në gusht Greqia do të ndodhet ngushtë. Atëherë duhet t’i kthehen 8,5 miliardë Euro FMN dhe BQE. Nevojitet një plan, i cili e kapërcen programin e dytë të ndihmave, që përfundon në fund të qershorit. Diplomatë të BE besojnë se edhe për të u fol në takimin e krizës në Berlin të hënën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button