🌤️
Tiranë 30°C · Kryesisht kthjellët 06 July 2026
S&P 500 7,528 ▲0.6%
DOW 52,870 ▼0.06%
NASDAQ 26,114 ▲1.09%
NAFTA 68.87 ▲0.26%
ARI 4,147 ▲0.53%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1437 EUR/GBP 0.8567 EUR/CHF 0.9192 EUR/ALL 93.9209 EUR/MKD 61.6697 EUR/RSD 117.3491 EUR/TRY 53.5560 EUR/JPY 184.59 EUR/CAD 1.6244 EUR/USD 1.1437 EUR/GBP 0.8567 EUR/CHF 0.9192 EUR/ALL 93.9209 EUR/MKD 61.6697 EUR/RSD 117.3491 EUR/TRY 53.5560 EUR/JPY 184.59 EUR/CAD 1.6244
₿ CRYPTO
BTC $62,084 ▼ -1.15% ETH $1,752 ▼ -1.08% XRP $1.1243 ▼ -1.11% SOL $80.3300 ▼ -1.31%
S&P 500 7,528 ▲0.6 % DOW 52,870 ▼0.06 % NASDAQ 26,114 ▲1.09 % NAFTA 68.87 ▲0.26 % ARI 4,147 ▲0.53 % S&P 500 7,528 ▲0.6 % DOW 52,870 ▼0.06 % NASDAQ 26,114 ▲1.09 % NAFTA 68.87 ▲0.26 % ARI 4,147 ▲0.53 %
EUR/USD 1.1437 EUR/GBP 0.8567 EUR/CHF 0.9192 EUR/ALL 93.9209 EUR/MKD 61.6697 EUR/RSD 117.3491 EUR/TRY 53.5560 EUR/JPY 184.59 EUR/CAD 1.6244 EUR/USD 1.1437 EUR/GBP 0.8567 EUR/CHF 0.9192 EUR/ALL 93.9209 EUR/MKD 61.6697 EUR/RSD 117.3491 EUR/TRY 53.5560 EUR/JPY 184.59 EUR/CAD 1.6244
06 Jul 2026
Breaking
Opinion

Dorëheqja nuk është fundi i demokracisë, por prova që demokracia funksionon

 

Një nga debatet më të rëndësishme që ka nxitur Revolucioni i Flamingove nuk është vetëm ai për korrupsionin apo qeverisjen, por për vetë kuptimin e dorëheqjes së një qeverie apo kryeministri në demokraci.

Në kulturën tonë politike është ende e ngulitur ideja se qeveritë largohen vetëm në ditën e zgjedhjeve dhe se kërkesat për dorëheqje janë antidemokratike.

Dorëheqja konsiderohet si akt ekstrem, lëkundje e stabilitetit politik, madje ndonjëherë si cenim i rendit demokratik.

Nga ana tjetër, në perceptimin e shumë udhëheqësve, dorëheqja konsiderohet si dështim personal apo turp publik.

Në demokracitë perëndimore, dorëheqja është një instrument i zakonshëm i përgjegjësisë politike dhe nuk kufizohet vetëm te humbja e zgjedhjeve. Kryeministra dhe ministra kanë dhënë dorëheqjen pas humbjes së besimit publik, skandaleve politike, akuzave për korrupsion, shkeljeve etike, menaxhimit të dobët të krizave, dështimeve të mëdha administrative apo humbjes së shumicës parlamentare.

Në Perëndim, dorëheqja nuk shihet si turp apo si rrëzim i rendit kushtetues, por si një mekanizëm normal për të marrë përgjegjësi, për të ulur tensionet politike dhe për t’i hapur rrugë një faze të re të jetës demokratike.

Janë të panumërt kryeministrat si Keir Starmer para pak ditësh dhe thuajse çdo kryeministër britanik që nga viti 1991, Mark Rutte në Holandë, Sebastian Kurz në Austri, Silvio Berlusconi në Itali—janë vetëm disa nga dhjetëra kryeministra që kanë dhënë dorëheqjen për humbje të besimit të publikut pas skandaleve apo dështimeve në qeverisje.

Edhe monarkët në vendet demokratike abdikojnë kur krizat politike, skandalet apo humbja e legjitimitetit ja u bënë të vështirë vazhdimin me dinjitet të sundimit të tyre. Alberti II i Belgjikës dhe Huan Karlosi i Spanjës janë shembujt më të fundit.

Në Shqipëri, numri i skandaleve për të cilat një kryeministër perëndimor do të kishte dhënë dorëheqjen, është tronditës. Kanabizimi i vendit dhe skandali Tahiri, çështja Becchetti, dosjet 339 dhe 184 për përfshirjen e krimit në zgjedhje, skandali i inceneratorëve, skandali McGonigal, skandali i Portit të Durrësit, skandali i Tunelit të Llogarasë dhe i tenderëve të rrugëve, kriminalizimi i AKSHI-t, dhjetëra PPP-të me kosto të larta, etj.

Secila prej këtyre çështjeve ka sjellë dëme të mëdha financiare e institucionale, hetime apo arrestime të zyrtarëve të përfshirë, dyshime për lidhje me krimin e organizuar, shkelje të rënda ligjore apo pasoja serioze për interesin publik.

Ato janë gëlltitur gradualisht si normalitet, por në shumicën e demokracive perëndimore secila do të mjaftonte për të rrëzuar çfarëdo qeverie.

Natyrisht, nuk mund të kërkohet dorëheqja nga çdo protestë apo pakënaqësi e përditshme. Por po ashtu është e papranueshme ideja se një qeveri nuk duhet të japë kurrë dorëheqjen para përfundimit të mandatit.

Demokracia funksionon pikërisht sepse di të dallojë mes pakënaqësive normale dhe krizave të jashtëzakonshme të legjitimitetit, kur pesha e skandaleve, humbja e besimit publik dhe konsumimi i autoritetit politik e bëjnë të domosdoshme marrjen e përgjegjësisë.

Kundër kësaj të drejte demokratike për të kërkuar dorëheqjen—e cila është kërkesa kryesore e Revolucionit të Flamingove—qeveria po përpiqet të argumentojë se nuk mund të japë dorëheqjen sepse qytetarët “na votuan para një viti”.

Ky pretendim bie ndesh me standardin themelor demokratik se zgjedhjet japin mandat për të qeverisur, por nuk e zerojnë detyrimin e qeverisë për të dhënë llogari çdo ditë të mandatit.

Zgjedhjet janë burimi fillestar i legjitimitetit, por jo fundi i procesit të llogaridhënies.

Thelbi i demokracisë është kontrolli mbi pushtetin, prandaj pakicat kanë të drejtë të dëgjohen, të informohen, të kërkojnë llogari dhe të sinjalizojnë kur ka krizë të besimit.

Në demokraci ka dallim mes ligjshmërisë dhe legjitimitetit. Një qeveri është plotësisht e ligjshme nëse është zgjedhur sipas Kushtetutës dhe ligjit. Por, në të njëjtën kohë, ajo mund ta humbasë legjitimitetin politik, domethënë besimin e mjaftueshëm publik për të qeverisur në mënyrë efektive.

Ligjshmëria lidhet me procedurën, ndërsa legjitimiteti lidhet me pranimin politik dhe shoqëror. Legjitimiteti varet nga mënyra si ushtrohet pushteti, nga transparenca e qeverisjes, nga respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve, nga mbrojtja e të drejtave të njeriut.

 

Një tjetër argument kundër dorëheqjes është se ajo do të krijonte pasiguri dhe precedent destabiliteti—do të sillte paqëndrueshmëri ekonomike, do të ndërpriste reformat, do t’i nxiste opozitat të synonin pushtetin para zgjedhjeve, etj.

Përvoja e demokracive parlamentare tregon se pasiguria shpesh krijohet nga zgjatja e krizave politike, jo nga ndryshimi i qeverisë. Biznesi dhe investitorët kërkojnë mbi të gjitha institucione të besueshme dhe sundim të ligjit.

Ndërsa, reformat nuk janë pronë e një qeverie apo e një kryeministri, por politika shtetërore që duhet të vazhdojnë pavarësisht rotacionit politik.

Stabiliteti nuk është thjesht qëndrimi i së njëjtës qeveri në pushtet, por aftësia e institucioneve për të menaxhuar paqësisht krizën dhe për të ruajtur besimin publik. Pikërisht për këtë arsye, demokracitë nuk mbështeten vetëm te zgjedhjet periodike, por edhe te mekanizma të tjerë të përgjegjësisë politike, si mocionet e mosbesimit, dorëheqjet dhe zgjedhjet e parakohshme, kur rrethanat e kërkojnë.

Nga ana tjetër, dorëheqja nuk nënkupton domosdoshmërisht marrjen e pushtetit nga opozita, pasi çdo zgjidhje kalon përmes procedurave kushtetuese dhe, kur është e nevojshme, përmes zgjedhjeve të reja ku vendosin sërish qytetarët.

Precedenti demokratik është se çdo qeveri duhet të japë llogari kur përballet me një krizë të thellë legjitimiteti.

Qeverisja është privilegji më i madh që një shoqëri mund t’i japë dikujt dhe, si çdo privilegj, duhet justifikuar vazhdimisht.

Historia na mëson se pushteti korrupton, krijon arrogancë dhe tenton të identifikojë interesin e vet me interesin publik.

Për këtë arsye, barra e legjitimitetit bie mbi qeverinë. Ajo duhet të bindë çdo ditë se ende qeveris me pëlqimin e të qeverisurve.

Në fund, pavarësisht se si do të përfundojë Revolucioni i Flamingove, ai tashmë ka arritur një fitore të rëndësishme duke e risjellë idenë e harruar se pushteti nuk është i paprekshëm.

Ai ka vetëdijësuar shoqërinë se pushteti nuk është pronë, por një mandat i përkohshëm që nuk mbahet vetëm me votën e djeshme, por edhe me besimin e sotëm.

Për rrjedhojë, kur ky besim humbet, dorëheqja nuk është dobësi, por forma më e lartë e përgjegjësisë demokratike.

Demokracitë nuk vdesin kur një kryeministër jep dorëheqjen.

Demokracitë fillojnë të vdesin kur krijohet bindja se një kryeministër nuk duhet të japë dorëheqjen, pavarësisht sa skandale grumbullohen, sa bie besimi publik apo sa thellohet kriza e legjitimitetit.

 

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.