Opinion

Drama e dramës shqipe

Kiço Blushi
Kiço Blushi

Po flitet e po debatohet këto kohë për vdekjen e dramës shqipe në teatrot tona. Thuhet se nuk ka dramaturgë për të qenë, se nuk gjenden vepra cilësore, por mbi të gjitha se, sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar të kryeqytetit, “Teatri Kombëtar nuk është i dramës shqipe, por i fjalës shqipe”…Kështu justifikohet vënia në skenë vetëm e dramaturgëve të huaj, mundësisht ndonjë Shekspir, Molier, Breht, Çekhov (nuk e shkruajnë më nëpër afishe Çehov!), Pirandelo e sidomos autorë bashkëkohorë amerikanë… Drama e dramës shqipe në fakt është skena, po të perifrazohet Shekspiri, ku gëlojnë snobizmi dhe amatorizmi, ku mund të “preket me dorë” gjendja mjerane jo vetëm e dramaturgjisë, por e të gjithë artit dhe institucioneve kulturore/artistike. Mjafton të shohësh një shfaqje për të kuptuar tablonë.
Për mbarëzhvillimin e artit kombëtar nuk ka strategji, as përpjekje minimale për të sjellë/mbjellë Rilindjen e premtuar, për të kryer ndryshime rrënjësore, për t’u shkëputur e për të dalë njëherë e përgjithmonë, nëpërmjet lirisë së krijimtarisë, nga skemat, klishetë, dogmat dhe organizimet e institucioneve sipas metodës të “realizmit socialist”. Instalacionet dhe koncertet me këngëtarë të huaj, të financuara me bujë e me pagesa të majme, sipas tarifave ndërkombëtare, nuk mund të mbushin këtë vakum. Përkthimet vetëm në diktaturë kishin fuqi, kurse në liri ato nuk janë ushqim i mjaftueshëm për cilindo popull.

Në kolltukun e ministrit të Kulturës deri më sot janë ulur dhjetëra personalitete, por asnjë syresh nuk ka kryer reforma në përputhje me kërkesat e kohës. Teatrot tona, si në qendër e në periferi, janë simotra të RTSH e QKKSH (Qendra e kinematografisë), apo edhe si spitalet e ambulancat: ato kanë vartësi shtetërore (pasi financim-emërimet jepen ose nga pushteti lokal, ose nga ai qendror), ndërsa në fakt funksionojnë (veprojnë) si veprimtari private, me një ndryshim: mbi to nuk vepron falimenti, as dorëheqja, as shkarkimi i drejtorëve, edhe kur spektatorët i kanë braktisur….

Për një çerek shekulli ish-vatrat dhe shtëpitë e kulturës shërbyen si trualle për ndërtime, ndërsa ato që rezistuan u lanë në duart e ca drejtorëve partiakë, të emëruar nga partitë-shtet për të administruar “një mall pa zot”. Bordet apo këshillat “e zgjedhur” pranë drejtorëve shërbejnë si ambalazh “demokratik” për të maskuar vjedhjet, abuzimet, mediokritetin dhe keqpërdorimet, njëlloj si VKM-të e qeverisë, për të cilat nuk vepron ligji meqë quhen “vendime kolektive”. Kryetarët e bashkive, si ata të qeverive, edhe pse i financojnë teatrot 100%, “nuk kanë të drejtë” të kërkojnë llogari (por ndoshta edhe pse nuk e vrasin hiç mendjen!) përse mungon repertori kombëtar. Institucionet artistike e kulturore nuk vlerësohen as si shtetërore, as private, janë institucione deledash që nuk pjellin, që nuk shtohen….

Ky absurd “institucional” ka ndërzyer e drejtuar në këta 25 vjet artin dhe kulturën, duke e përkequr e shkombëtarizuar art-kulturën kombëtare më zi se ai “misionari” italian te filmi “Gjeneral Gramafoni”, i cili donte të tjetërsonte kabanë e Përmetit…


Kam vënë re se shumëkush që i dhimbset fati dëshpëronjës i artit kombëtar, teatrit, filmit, letërsisë, duke ngritur zërin nëpër debate televizive, bie, pa dashje, në kurthin e atij që kërkon të gjejë gurin e hedhur në lumë nga budallai i katundit. Kaq larg ka shkuar kjo mbrapshti, sa tani ngjan e pamundur “rilindja”, qoftë edhe duke shtërzuar. Të botosh një libër duhet të paguash botuesin; të shkruash një dramë apo skenar, është e kotë, se nuk ka fonde dhe, për më tepër, nuk gjen një derë ku mund të trokasësh; të mbarosh Universitetin e Arteve për aktor apo regjisor nuk gjen punë…Këngëtare me famë sot mund të bëhesh në vartësi të formës së gjoksit e të shalëve, pa qenë e domosdoshme të kesh zë e të dish të lexosh notat muzikore…Publiku i moshës së re është rritur duke u ushqyer me tallava dhe me silazh “artistik” të importuar.

Në Teatrin Kombëtar mund të vërë pjesë Ingrid Gjoni, po jo Mihallaq Luarasi! Çmim kombëtar nga autoritetet më të larta të shtetit mund të marrë “Vrima”, por nuk kemi dëgjuar që Ministria e Kulturës të organizojë konkurse për dramën apo për romanin më të mirë të vitit, për të stimuluar e përkrahur krijimtarinë e vendit. Nuk dihet sa ka kushtuar “Re”-ja e japonezit e ardhur nga Londra që po instalohet para Galerisë, paçka se me atë “financim” në Tiranë mund të ndërtohej një librari për të qenë në mënyrë që librat të shpëtonin nga llamarinat e kioskave…Në Kosovë çmimin për dramën e paska fituar para ca ditësh Bashkim Hoxha. Ish-Pallati i Kulturës në qendër të Tiranës, apo edhe qendra kulturore “Pjetër Arbnori” mbi të cilën bëjnë “ski” fëmijët, flasin vetë.

Çështja pra është sa e thjeshtë, aq edhe vulgare. Njëlloj si në të gjitha fushat e tjera, – të ekonomisë dhe të politikëbërjes, – veçanërisht në institucionet e artit dhe kulturës injoranca është nakatosur me snobizëm e me justifikimin e pakundërshtueshëm: “kështu e ka bota!”…Ky është argumenti që ua mbyll gojën “në mënyrë demokratike” kritikëve. Arkitekti gjerman që projektoi kullën në Korçë paska bërë edhe projektin për parkun e lodrave te Liqeni! Fakti që është i huaj, gjerman, përdoret si tampon për kundërshtarët.

Në Teatrin Kombëtar aplikohet leximi i dramës para se ato të vihen në skenë. (“Se kështu e ka Franca”)… Regjisori M.Luarasi paraqiti vjet në TK një dramë timen, e cila pati fatin të lexohej. Nuk doja të merrja pjesë në lexim, por Luarasi këmbënguli…Habia e parë ishte se pas leximit nuk diskutoi kurrkush; nuk pashë madje asnjë anëtar të bordit…Disa syresh më thanë se as nuk e kishin lexuar dramën…Interesante në këtë histori nuk ishte fakti që për miratimin ose jo të një drame do të vendoste vetë drejtori (kjo dihej!…), por se deri më sot nuk ka asnjë komunikim me regjisorin që paraqiti dramën, as përgjigje zyrtare, qoftë edhe formale, nga Teatri Kombëtar…

Shembulli që dhashë nuk do t’ia vlente po të kishte lidhje vetëm me mua, por më së pari me mungesën e respektit për ata që i kanë kushtuar jetën teatrit, konkretisht për mjeshtrin e skenës, Luarasi, si dhe me të gjithë autorët e tjerë…E pra, në këto kushte, të një moskomunikimi kaq “të institucionalizuar” autor-regjisor – teatër nuk ka se si të ketë dramë shqiptare!…Por tashmë dilema është zgjidhur: “TK nuk është i dramës shqipe, por i fjalës shqipe”!


Vulgariteti dhe mediokriteti bëjnë ligjin e po na shiten për përparim, për evropianizim e modernizim. Mbulesa, mbrojtja, përkrahja dhe financimet që u bëjnë qeveritë kësaj kaste shërbëtorësh është arsyeja themelore përse liria e krijimtarisë nuk na ka dhënë ato fryte që ëndërronim dikur në diktaturë. Sepse liria ka dalë në treg si plaçkë gabi, dhe shërben si kafshatë, sa për të mbijetuar.

Mund të duket e pabesueshme, por që nuk ka dramë shqipe ndikon edhe fakti që nga fondi i mangët që jepet për një vënie në skenë, TK detyrohet të paguajë edhe autorin shqiptar. Kjo do të thotë që pjesa e fondit që mbetet do të jetë më e pakët për të tjerët…Kurse autorët e huaj nuk kërkojnë honorar…Ata nuk ankohen as për cilësinë, as për deformimet “moderniste” që i bëhen tekstit. Shekspiri nuk ankohet që një kryevepër e tij nuk ka spektatorë. Autorët e huaj janë të preferuar se shërbejnë që amatorët dhe diletantët të pasurojnë CV-të e tyre: “Unë kam vënë/kam luajtur Shekspirin, Brehtin, Çehovin”…Askush nuk kërkon llogari që pas dy a tri shfaqjesh autorët e huaj “paketohen”, meqë as për ta nuk ka spektatorë…

Nuk ka pikë lidhjeje shitja ose jo e biletave me funksionimin e teatrit. Dihet se për të përshtatur teatrin me kohën do të duhej që një pjesë e të ardhurave të sigurohej nga vetë teatri…Kështu e ka bota. Ky është mekanizmi që sjell përparim, cilësi e ndryshim. Por as për këtë mekanizëm të ekonomisë së tregut nuk flet kurrkush. Dikush ka thënë se për një dramë kombëtare nuk gjenden dot kaseta në internet që t’i imitosh, ndaj origjinaliteti dhe vështirësia e krijimtarisë “e vrasin” që në lindje dramën shqipe. Le po, ka rrezik që veprat e autorëve vendorë mund të hapin probleme me qeverinë, mundësi kjo shumë më e pakët me autorët e huaj.


Ne jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi një gazetë letrare, një revistë kritike, një sindikatë artistësh me autoritet, sepse të gjithë krijuesit e Shqipërisë, pa përjashtim, si të kryeqytetit, aq më tepër të periferive, janë shkërmoqur, janë vënë në kushtet e mbijetesës. Në kohën e Zogut ka pasur disa të tilla, edhe pse 90% e popullsisë ishte analfabete. Sot po kundërshtove, nuk ke kontratë, nuk ke rol, je jashtë loje. Për artistët, që nuk kanë tjetër zgjedhje, mbijetesa është shumë më e vështirë se për të gjitha profesionet.

Në Teatrin Kombëtar “reformë” quhet heqja nga borderoja e emrave të aktorëve që jetonin jashtë dhe merrnin rrogë si të pranishëm; reformë quhet edhe vendosja e sistemit të kontratave. Reformë quhet absolutizimi i fuqisë së drejtorit. Kështu, po nuk të firmosi kontratë drejtori, po hape gojën e po dole hapur kundër tij, sigurisht që nuk futesh në burg “për shfaqje të huaja”, por mbetesh pa projekte të miratuara, pa rol, pa çmime, pa bukë…Kjo quhet “reformë”. E po të zuri kjo lloj “reforme”, nuk ka kishë e xhami ku mund të falesh!

Nuk besoj të ketë kund Teatër qendror kombëtar nëpër botë që të mos ketë një bërthamë të paprekshme e të qëndrueshme artistësh, të cilët i japin institucionit jo vetëm emrin dhe “fytyrën” e vet, por edhe identitetin kulturor dhe artistik. Drejtorët janë menaxherë, administratorë. Kurse te ne ka ndodhur e kundërta. Drejtorët mund të jenë edhe aktorë, edhe regjisorë, edhe kritikë arti, edhe skenografë…Janë ata që vendosin për repertorin, për autorët dhe për kontratat, d.m.th. për mënyrën si do të shpërndahen rolet dhe financimet.

Nëse nëpër ministri e dikastere ku luhet para e madhe nëpërmjet tenderave ka një farë vëmendjeje nga media, nga organet e hetimit e KLSH, në institucionet artistike dhe kulturore as që bëhet fjalë. Në art e në kulturë nuk ndëshkohet kush nëse publiku ka braktisur skenat, aq sa biletat shiten, në ditë jave, 150 lekë, sa një gjysmë paketë cigaresh, për të thënë që publiku “po i mbush sallat” si asnjëherë tjetër…

Depersonalizimi i figurës së artistit, me sa duket ka qenë qëllim i mbrapshtë i të gjitha partive në pushtet. Tani, po të prishet TK, aktorët nuk do të guxojnë të ngrihen, si para disa vitesh…Përse? Sepse ata nuk jetojnë në një komunitet artistik, me qëllime e synime dhe ide të përbashkëta, por si individë që institucionin e shohin si një qendër pune dhe jo si një qendër arti. Nëse për nëpunësin civil ka një status, për artistët nuk ka. I vetmi “status” i pëlqyeshëm e i pranueshëm që shpërblehet bajagi mirë materialisht, po edhe me tituj nga qeveria (pensionet speciale) dhe nga presidenti, është ai i sazexhiut, i klounit, i atij që di të thotë lepepeqe “me dinjitet”.
Duke qenë se pasiguria në fushën e artit dhe kulturës është më e madhe se po të jesh i punësuar si kamerier, edhe deformimet morale në këtë sektor janë më të dukshme, për hir të aksesit që kanë artistët në media. Artistë që firmosin peticione, që rreshtohen si mercenarë, që marrin tesera, që recitojnë e këndojnë nëpër tubime partiake, që bëjnë hosana publike për të siguruar një rol a një kontratë, për t’i hyrë në zemër filan udhëheqësi të radhës…fatkeqësisht e jo rastësisht nuk janë të paktë.
Në vitin 1991 kujtuam se morën fund këngët “popullore” për udhëheqësit e lavdishëm, por e paskëshim pasur gabim!


Duke qenë popull i vogël, më i varfri e më i fundit për nga standardet demokratike në Ballkan, ne nuk po tjetërsohemi, por po të hajtëzohemi. Spektaklet televizive, të cilat për nga luksi e shkëlqimi shpesh ua kalojnë dhe atyre të Italisë e Greqisë, duke qenë në kontrast të thiktë me nivelin dhe me mënyrën e jetesës të shumicës së shqiptarëve, dëshmojnë për bukuri për theqafjen morale, për atë që duam të dukemi sikur jemi, sesa për atë çka në të vërtetë jemi.
E ç’të keqe ka kjo, – mund të më kundërshtojë, me të drejtë, dikush. Si mund të ndalohet ky proces tjetërsimi në një botë të hapur, ku interneti, moda e dafrunga janë bërë zotër të plotfuqishëm të botës? Njerëzimi për këtë qëllim ka shpikur artin, i cili shërben jo vetëm si një patentë identifikimi dhe argëtimi për popujt, por edhe si një masë mbrojtëse për të garantuar identitetin dhe shëndetin shpirtëror nga rreziku i konsumizmit. Qeveritë e mençura hartojnë programe dhe kanë platforma të qarta e të sakta për të përkrahur e mbrojtur “kombëtaren”. Por te ne, në art e në kulturë nuk shihet as përpjekje minimale për “rilindje” të artit dhe kulturës kombëtare. Nuk mjaftojnë pedonalet nëpër qytete dhe instalacionet e qeverisë…. Së paku për profilaksi, makar edhe për një “mamografi” apo chek-ap falas për të mbrojtur dhe stimuluar artin kombëtar.
Pikërisht kjo mungesë, ky kontrast i thiktë mes artit botëror dhe atij shqiptar, e bën tablonë më të zymtë e më të pashpresë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button