Droga e fshehur mes bananeve/ Lihen në burg tre të arrestuarit! Ende në kërkim presidenti i kompanisë, Trifon Murataj
Tre të arrestuarit kanë mohuar akuzat duke deklaruar se çdo gjë e kanë kryer konform ligjit. Ndonëse mbrojtja e tyre kërkoi lirimin e të arrestuarve nga salla e gjyqit, ose nëse vlerësohet ndryshe “detyrim paraqitjeje” gjykata caktoi arrest në burg me afat si kohë e mjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e palëve, ndërsa prokuroria pritet të sigurojë prova të tjera që mbështesin akuzat.
Të tre të akuzuar për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim kompjuterik”.
Në kërkim u shpall dhe presidenti i kompanisë Trifon Murataj, i cili nuk është ndaluar ende nga policia.
Pasditen e së enjtes në portin e Durrësit policia zhvilloi një operacion antidrogë ku mes bananeve të importuara nga Ekuadori nga kompania “Banaking” u gjetën të fshehura pako me kokainë në peshë totale 33.5 kilogram. Policia kishte marrë informacion në lidhje me ngarkesën e bananeve në të cilat ishte futur drogë. Ngarkesa është nisur më 20 shtator nga Porti “Puerto Bolivar” i Ekuador, 10 ditë më pas është ndalur në Panama. Destinacioni i radhës ka qenë Porti ‘Gioia Tauro’ në Itali ku anija ka qëndruar në këtë Port deri më 21 tetor.
Në Portin e Durrësit ngarkesa mbërriti më 28 tetor, e ndërsa kontrolli I saj me qen antidrogë u bë në 3 nëntor. Policia shpalli në kërkim pronarin e Banaking, Trifon Murataj ndërsa në pranga ranë 3 persona pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e kokainës.
Pasi kontejneri me drogë u skanua, dyshohet se të arrestuarit manipuluan pamjet për të dalë të pastra.
Kjo nuk është hera e parë që në kontejnerët e “Banaking” përveç bananeve gjendet edhe kokainë. Rasti më flagrant ishte në 30 dhjetor të vitit të shkuar ku vetë pronari I kompanisë Trifon Murataj kontaktoi 10 orë me vonesë policinë e shtetit se kontejneri me banane I ishte sulmuar në Romanat nga persona të armatosur të cilët u larguan pa marrë asgjë nga ngarkesa. Nga kontrolli I kryer në magazinën e kompanisë në Vaqarr policia sekuestroi 119 kg kokainë dhe vuri në pranga administratorin e firmës Marson Murataj, nipi i Trifon Muratajt dhe dy shoferët e kamionit Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.
Një rast I dyshuar për trafik të lëndëve narkotike u shënua në korrik të këtij viti ku nga kontejnerët e Banaking u vodhën rreth 49 arka Brenda të cilave nuk dihet çfarë ngarkese kishte. Lidhur me këtë rast, policia e Durrësit ka arrestuar shoferi i kompanisë Nazmi Algjata dhe agjentin e shitjeve të kësaj kompanie Altin Muhametaj. Njëherësh policia arrestoi dhe 20 punonjës të doganës në Portin e Durrësit, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre.