Dua Lipa, koncert në Prishtinë
Dua Lipa ka planifikuar të mbajë një koncert “live” në Prishtinë. Lajmin e ka bërë të ditur vet këngëtarja, përmes një postimi në profilet e saj të rrjeteve sociale: Facebook dhe Instagram.
Në to ajo njofton se të gjithë fansat dhe ata që pëlqejnë muzikën e saj do të mund ta ndjekin në vendlindje, në një koncert “live” që do të mbahet më 9 gusht.
Lajmin e mirë, Dua e ka shoqëruar edhe me komentin “Më në fund një koncert në vendlindje”, çfarë lë të kuptohet se prej shumë kohësh e ka pritur këtë rast.
Dua Lipa, ndonëse vetëm 20 vjeç, vijon të shijojë sukseset e njëpasnjëshme të hiteve të saj, duke numëruar 201 mijë ndjekës në “Instagram “ dhe 186 mijë në “Facebook”.
Hitet “Be the one”, “New Love” apo “Last dance” kanë kryesuar për një kohë të gjatë klasifikimet botërore, fatin e të cilëve po ndjek edhe hiti më i fundit i Duas, ai me titull “Hotter than hell”, i cili ka vetëm një muaj që është publikuar, ndërsa është klikuar nga rreth 4 milionë e 600 mijë njerëz.
Sa i takon koncertit, ende nuk bëhen të ditura detajet e tij, por mësohet nga vet këngëtarja dhe postimi i saj se, koncerti do të mbahet në Parkun Kombëtar të Gërmisë, mbrëmjen e 9 gushtit.