Kronika

Edhe Apeli i Posaçëm kundër pjesmarrjes së Berishës në parlament

Në Shqipëri, Gjykata e posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, duke refuzuar kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha, që t’i lejohet pjesmarrja në seancat parlamentare. Që prej 30 dhjetorit zoti Berisha ndodhet në arrest shtëpie, pasi më parë kishte refuzuar t’i bindej urdhërit të Gjykatës për “detyrim paraqitje” pranë një oficeri të policisë gjyqësore, me pretendimin se masa e sigurisë ndaj tij ishte dhënë në shkelje të kushtetutës së vendit.

Në muajin Janar, Prokuroria nuk pranoi kërkesën e ish kryeministrit që ai të mund të merrte pjesë në punimet e parlamentit. Prokurorët, iu referuan Kodit të Procedurës penale sipas të cilit “në kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi, vlejnë rregullat e paraburgimit”, e për pasojë “e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë dhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për Kuvendin, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”.

Prokurorët kishin mbështetur po ashtu idenë, se në asnjë dispozitë ligjore nuk është parashikuar mundësia e dhënies së një leje të tillë e sipas tyre edhe në kërkesën e avokatit të zotit Berisha “nuk evidentohet asnjë dispozitë mbi të cilën të mbështetet kërkesa për dhënien e kësaj leje”.

Qëndrimi i Prokurorisë u mbështet më pas dhe nga Gjykata e posaçme, e sot edhe nga Apeli. Por për avokatin Genc Gjokutaj ky vendim është në shkelje të Kushtetutës. Sipas tij, rasti i zotit Berisha nuk mund të trajtohej si për të burgosurit apo të arrestuarit e tjerë, por do të duhej të shihej i lidhur me mandatin e tij si deputet.

Zoti Berisha është në hetim për procedurat e ndjekura në rastin e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani. Ai dyshohet të ketë favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, u ngrit një kompleks pallatesh.

Avokati i tij mbrojtës përsëriti sot se ish kryeministri duhet të lirohet pasi “nuk ka vepër penale, nuk ka akuzë, nuk ka prova”, deklaroi zoti Gjokutaj. Deri më tani, tre tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, kanë refuzuar kërkesat e zotit Berisha për heqjen e masave të sigurisë ndaj tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button