Opinion

Edhe kur të thonë s’behet, ëndrra jote ka vlerë!

(Nje përsiatje personale)

Nga NEVRUS NAZARKO

Direktiva e fundit e Departamentit Amerikan të Shtetit për pezullimin e vizave për rreth 75 vende, mes tyre edhe Shqipëria, më riktheu ne kujtime 35 vite pas, në një dhomë te madhe të zyrës konsullore amerikane në Athinë.

Isha i ri, i arratisur pak muaj me heret nga Shqipëria dhe kisha bere kerkese për azil politik në SHBA. Nuk dija as anglisht, as greqisht ndaj intervista ne konsullaten Amerikane ne Athine zhvillohej me përkthyes. Përkthyesi ishte një burrë paksa i moshuar, i shkurtër, pa flokë, dhe ne pamje te pare nje burre i qete e serioz. Konsulli amerikan përballë nesh ishte shtatlartë, hijerëndë, i qetë, ulur pas tavolinës, duke shkruar pothuajse gjatë gjithë kohës.
Pyetjet e konsullit ishin të shumta, dhe kuptohet me vinin nepermjet perkthyesit qe fliste nje shqipe te ngjashme me minoritaret e jugut te Shqiperise, me nje theks te vecante. Njëra prej tyre ishte e thjeshtë në dukje, por qe me ç’akordoi komplet:
“Çfarë pune do bësh kur të shkosh në Amerikë?”
Pa u menduar dy herë, iu përgjigja sinqerisht:
Jam gati të bëj çdo punë që më ofrohet, por dëshira ime më e madhe është të mbaroj një universitet në Amerikë. Këtu filloi problemi: Jo me konsullin, por me përkthyesin.
Teksa konsulli vazhdonte të shkruante, përkthyesi u kthye nga unë me një përzierje përçmimi dhe qortimi: A e di ti, more, sa e vështirë dhe sa e kushtueshme është shkolla në Amerikë?
U tremba, mendova se thashe dicka gabim, se kisha shkatërruar shansin tim të vetëm, e sytë mu errësuan. Gjunjet mu drodhën dhe me gjysmë zëri i thashë: Kjo është dëshira ime… por jam gati të bëj edhe punët më të rënda: ndërtim, restorant, bujqësi… çdo gjë. Mbas kesaj nuk mbaj mend asgje deri sa dola nga konsullata.
34 vjet me vone:
Erdha në Amerikë, punova, studiova, sakrifikova, krijova familje e shoqeri te zgjeruar.
Mbarova studimet universitare, ashtu si e kisha enderruar, pse jo edhe me mire se aq.
Jo sepse ishte e lehtë, jo sepse ishte e lirë, jo sepse nuk kerkonte impenjim ndonjehere pertej imagjinates. Por sepse ishte e mundur, kur dikujt i jepet oportuniteti, kur dikush ka vullnet, disiplinë dhe një shoqëri që, pavarësisht burokracive e veshtiresive, ende i hap dyert endrres dhe konkurrences se lire.
Ndaj modestisht do desha te them dy fjale inkurajimi per ata mijera aspirues per nje bote me te mire, dhe kjo jo per te promovuar emigrim, apo deshperim, thjesht per te ndjekur enderrat, se ato jane kudo.
Do ketë gjithmonë njerëz që do thonë: “S’bëhet, eshtë shumë e vështirë, nuk është për ty, por mos i lini të vendosin dhe tregojne kufijtë tuaj.
Nëse sot jeni në Shqipëri, ose diku tjetër në emigracion, pa para, pa lidhje, ndoshta edhe pa besim te vetja, dijeni këtë: Suksesi, puna e palodhur dhe arsimi nuk jane luks, jane rrugëdalje.
Amerika, Europa, apo kudo ku jeni, nuk u ndërtuan nga njerëz që hoqën dorë nga ëndrra, por nga ata që guxuan ta thoshin me zë të lartë, edhe kur zëri u dridhej. Mos kini frikë të ëndërroni, mos kini frikë të punoni fort për endrren tuaj.
Sot, kur dëgjoj për kufizime vizash, për dyshime kolektive, për trajtim statistikor të njerëzve, nuk mund të mos mendoj: Sa histori si kjo e imja rrezikojnë të mos ndodhin më? Amerika nuk u ndërtua nga njerëz që iu thanë emigrantëve: mos ëndërro. U ndërtua nga njerëz që erdhën me frikë, por edhe me shpresë. Me duar bosh, por me mendje të etur për dije. Dhe ndonjëherë, një fjali e thënë në një zyrë konsullore, nga një i ri që mezi merr frymë nga ankthi, mund të jetë fillimi i një jete të tërë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button