Kosova

Edita Tahiri në Izrael, u tregon edhe për rrugën e popullit shqiptar për Pavarësinë e Kosovës

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri gjatë qëndrimit të saj në Izrael, ka zhvilluar një varg takimesh me organizata dhe personalitete që angazhohen për paqe, duke përfshirë përfaqësues të Qendrës për Paqe “Shimon Peres”, të Lëvizjes së Grave për Paqe (Women Wage Peace) si dhe me analistë dhe gazetarë të Izraelit.

Sipas një njoftimi, ministrja Tahiri vizitoi Qendrën për Paqe “Shimon Peres” në Tel Aviv ku u prit nga Lara Portnoy, koordinatore për marrëdhënie me jashtë, nga e cila u njoftua për veprimtarinë e kësaj qendre të themeluar në vitin 1996 nga vet presidenti i nëntë i Izraelit dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqen, Shimon Peres.

“Portnoy theksoi se Qendra për Paqe angazhohet për të jetësuar vizionin e ish-presidentit dhe liderit të paqes Shimon Peres për një Izrael të begatë brenda një Lindje të Mesme paqësore. Ajo njoftoi rreth programeve konkrete të kësaj qendre të përqendruar në ndërtimin e paqes duke krijuar mundësi të avancuara dhe inovative të dialogimit mes individëve nga një spektër i shumëllojshëm, duke përfshirë: hebrenjtë dhe arabët, izraelitët dhe palestinezët”.

“Duke u fokusuar në interesa të përbashkëta, Qendra për Paqe vazhdon të krijojë me sukses partneritete dhe miqësi të qëndrueshme duke hequr barrierat dhe frikën, si dhe duke i hapur rrugën një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme midis popujve”, thuhet në njoftim.

Më tej shtohet se ministrja Edita Tahiri nga ana e saj theksoi se presidenti Shimon Peres ka qenë një lider vizionar dhe inspirues për një botë më paqësore dhe më të drejtë, nga idetë e të cilit edhe vet Kosova është frymëzuar në përpjekjet për krijimin e shtetit të Kosovës dhe të paqes në rajon, mbi parimin e njohjes reciproke mes shteteve dhe të fqinjësisë paqësore në rajon.

Në vazhdim të vizitës në Izrael, po sipas njoftimit, ministrja Edita Tahiri mori pjesë në takimin e lëvizjes paqësore të grave Gratë Punojnë për Paqen (WWP) që është një lëvizje e re e grave, por mjaft e fuqishme në Izrael, që promovon paqen dhe zgjidhjen paqësore të konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Gjithashtu thuhet se ministrja Tahiri mbajti një fjalim para shumë pjesëmarrësve të takimit, ku me këtë rast theksoi se paqja është e mundshme prandaj duhet punuar me vendosmëri dhe guxim për një ardhmëri në paqe. Ajo foli për rrugën e popullit shqiptar për Pavarësinë e Kosovës.

“Ishte një rrugë e gjatë me sakrifica më sublime, por ia dolëm ta fitojmë lirinë dhe shtetin, që t’ua lëmë gjeneratave të reja ta gëzojnë dhe përparojnë. Gratë shqiptare ishin të guximshme sikur edhe ju që jeni dhe ne asnjëherë nuk reshtëm së punuari për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ne i arritëm qëllimit dhe tani po punojmë për ardhmërinë euroatlantike të Kosovës, ndërsa përvojat tona të luftës dhe paqes jemi të gatshme t’i ndajmë me të tjerët, me porosinë time për ju se proceset e vështira kërkojnë angazhime afatgjate por sjellin suksese të qëndrueshme”, ka thënë ajo.

Në kuadër të këtij takimi, pas përfundimit të fjalimit të saj, ministrja Tahiri zhvilloi biseda me disa nga udhëheqëset e kësaj organizate Lilian Weisberger, Anat Saragusti, Anat Negev, Huda Abu al-Arqub, Yael Admi, Yahaloma Zchut, Hiam Tanus, Saviona Rotlevi. Gratë udhëheqëse të Women Wage Peace theksuan se po punojnë për të sjellë një marrëveshje të qëndrueshme paqësore.

“Ne synojmë që ta vendosim mundësinë e një zgjidhje paqësore në krye të agjendës nacionale të Izraelit, pasi është rezultati i vetëm që ofron jetë dhe shpresë, një realitet të ri dhe të ndryshëm në Lindjen e Mesme, besojmë se është e mundshme dhe ne duhet të përpiqemi për të”, citohet të kenë thënë ato.

Ministrja Tahiri po ashtu ka zhvilluar bisedime me analistë dhe gazetarë izraelitë, përfshirë këtu Alon Ben David, nga Channel 10 News, Eran Cicurel, Radioja Nacionale e Izraelt, Adar Primor, I123 News, Anat Saragusti.

“Në përfundim të vizitës së saj në Izrael, ministrja Edita Tahiri vizitoi Muzeun e Holokaustit të Hebrenjve “Yad Vashem” në Jerusalem, një muze që memorizon historinë tragjike dhe të vuajtjeve të papara të popullit hebrenj. Duke rikujtuar vuajtjet e freskëta të popullit shqiptar, ministrja Tahiri deklaroi se është koha që të themelojmë, një Yad Vashem në Kosovë, një muze të holokaustit shqiptarë, mbi historinë e gjenocidin serb kundër shqiptarëve, duke thënë se një propozim të tillë e kishte dhënë në Parlamentin e Kosovës qysh në vitin 2003”, përfundohet në njoftim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button