Politika

Efektet e zgjedhjeve në Kolonjë

Zgjedhjet në Kolonjë u mbyllën: pa risi dhe pa surpriza. E majta vijon të jetë dominuese në atë bashki prej vitit 1992.

Gjithsesi, disa detaje të rezultatit të zgjedhjeve kanë rëndësi të shihen. Lajm i mirë që vota u administrua shpejt (në orët e para të mëngjesit rezultati ishte zyrtar), që KQZ nuk pati probleme, që midis kandidatëve nuk pati retorikë të ashpër, dhe dy kandidatët nuk vinin nga bota e krimit.

Lajm i keq që shteti u investua shumë në Kolonjë, që dita e votimit në Kolonjë ishte më me shumë incidente sesa dita e votimit në Dibër. Një sërë deklaratash e akuzash u hodhën nga palët si dhe policia u përfshi në retorikat midis tyre.

Ndryshe nga Dibra, opozita nuk e deklaroi votimin në Kolonjë si test politik, madje opozita e ka thelluar humbjen në Kolonjë, nga 727 në 2101 vota, pra rreth 3 herë. Nga 2015 nuk ka pasur ndryshime aleancash politike, ndaj mbeten të njëjtat prurje në dy koalicionet e mëdha.

Në një vend serioz e politikë serioze kjo rritje e dukshme e diferencës meriton analizë serioze dhe reflektim serioz, sidomos kur vendi është rreth 7 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare.

Kolonja është bashkia e radhës në një listë të gjatë institucionesh politike, ku mjekë/doktorë lënë profesionin dhe i hyjnë politikës. Është një dukuri dukshëm shqiptare dhe natyrisht, nuk është dukuri pozitive.

E fundit, palët eksperimentuan me kandidatët; ata nuk u zgjodhën në ndonjë garë partia,e thjesht u emëruan nga politika në Tiranë, madhe e majta me një jo të majtë, e djathta me një kandidat të majtë, – tregues se partitë nuk kanë mekanizma zgjedhorë brenda tyre.

Efektet? PS fitoi atë që kishte nën drejtim prej 26 vitesh, PD vijon të humbë, PAA pati rastin të bindet se ka dallim midis miqësive politike në Tiranë dhe luftës për pushtet në bazë.

Për Kolonjën nuk do ndryshojë asgjë. Për administratën në bashki duhet parë nëse fituesi nga PS do ruajë administratën e dominuar nga LSI, kurse për projektet e nisura gjatë fushatës le të shpresojmë se do të mbarohen në kohë e cilësi, ndryshe nga sa po ndodh me disa prej tyre në Dibër.

/Nga Instituti i Studimeve Politike/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button