Eksportet e nisin ters vitin, bien në janar me 7.3%; Në rënie dhe tregtia me Kosovën
Eksportet e nisën vitin duke shënuar rënie në janar në krahasim me një viti më parë, ndryshe nga viti i kaluar kur ato u rritën me ritme dyshifrore.
Sipas të dhënave të INSTAT, Në Janar 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 22 mld lekë, duke u ulur me 7,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe rritur me 0,9 %, në krahasim me Dhjetor 2018, të udhëhequra nga rënia e fortë e eksporteve të materialeve të ndërtimit dhe metaleve.
Importet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u ulur me 6,3 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 30,0 %, në krahasim me Dhjetor 2018.
Deficiti tregtar i këtij muaji është 20 mld lekë, duke u ulur me 5,2 %, krahasuar me Janar 2018 dhe me 47,5 %, në krahasim me Dhjetor 2018.
Në rënie kanë qenë eksportet e pothuajse të gjitha grupeve. Sipas INSTAT, Ulja vjetore e eksporteve prej 7,3 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,4 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,1 pikë përqindje“. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,8 pikë përqindje.
Ulja vjetore e importeve prej 6,3 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -1,3 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me -1,0 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqime, pije, duhan” me +0,1 pikë përqindje, etj.
Ulen dhe eksportet drejt Kosovës
Shqipëria duket se nuk po arrin të përfitojë nga taksa që Kosova i vuri Serbisë, teksa në janar, eksportet drejt këtij vendi ranë me gati 20%, duke zbritur në 1.1 miliardë lekë, nga 1.3 miliardë lekë në janar të një viti më parë. Efektin e ka dhënë tkurrja e shitjeve të materialeve të ndërtimit dhe metaleve, që është produkti kryesor që eksportohet në shtetin fqinjë.
Në muajin Janar 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Janar 2017 janë: Turqia (175,3 %), Austria (104,4 %) dhe Mbretëria e Bashkuar (34,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-2,4 %), Spanja (-22,2 %), dhe Kosova (-19,7 %).
Në muajin Janar 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Janar 2017 janë: Kina (18,8 %), Rusia (59,9 %) dhe Kroacia (3,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-14,1 %), Greqia (-1,6 %) dhe Turqia (-8,3 %).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 65,3 %, të gjithë tregtisë. Në Janar 2019, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 84,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 55,6 % të importeve gjithsej.
Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (34,9 %), Kina (8,0 %), Greqia (7,1 %), dhe Turqia (6,0 %).
Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës, të varura nga çeliku, jo nga taksa me Serbinë
Shqipëria ka eksportuar në vitin 2018 mallra e produkte me vlerë prej rreth 206 milionë eurosh në Kosovë, duke shënuar nivelin më të lartë historik, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Statistikore e Kosovës. Në raport me një vit më parë është shënuar rritje e ndjeshme prej 35.6%. Por të dhënat e detajuara mujore dhe sipas kapitujve, tregojnë se kjo rritje lidhet më shumë me gjallërimin e aktivitetit të kompanisë shqiptare të prodhimit të çelikut Kurum, e cila në 2018-n rriti ndjeshëm aktivitetin dhe eksportet, pasi doli me sukses nga një procedurë falimentimi e nisur në mars 2016.
Këtë e tregon dhe fakti që në dhjetor, eksportet nga Shqipëria drejt Kosovës ishin 17 milionë euro, nga 22 milionë euro që rezultuan në gusht, kur nuk kishte hyrë në fuqi taksa me Serbinë. Ky grup zë 41% të eksporteve shqiptare drejt Kosovës, sipas INSTAT. Kosova është një nga destinacionet kryesore të eksportit për Kurum dhe kërkesa ka qenë në rritje si rrjedhojë e ndërtimeve rezidenciale dhe projekteve të mëdha të infrastrukturës. Eksportet e Gizës dhe çelikut nga Shqipëria në Kosovë u rritën me 52% në 2018-n.
Grupi i dytë me rritjen më të lartë është ai i lëndëve djegëse minerale, me 15% të totalit. Ky grup shënoi rritje prej gati 80% të eksporteve në 2018-n. Ndërsa “Alumini dhe artikuj prej tij” dhe “Zarzavatet” ranë përkatësisht me 7% dhe 0.3% me bazë vjetore.
Ecuri pozitive kishin eksportet e “mobilieri e dyshekë”, me një zgjerim prej 40%.