Ekonomia

ERE nis shqyrtimin e rregullave për funksionimin e Bursës së Energjisë

Enti Rregullator i Energjisë ka filluar procedurën e shqyrtimit dhe miratimit të rregullave të tregut të energjisë bazuar në funksionimin e Bursës së Energjisë. Deri në krijimin e Bursës si një platformë e veçantë, tregu funksionon me rregullat e përkohshme që hynë në fuqi në fund të vitit të kaluar. Bordi i Entit Rregullator, në mbledhjen e fundit, vendosi të fillojë procedurën për shqyrtimin dhe miratimin e Rregullave të Tregut Shqiptar të Energjisë Elektrike. Në themel do të jenë specifikat se si do të funksionojë Bursa e Energjisë.

Do të specifikohen produktet dhe do të miratohen rregullat e Tregut Shqiptar të Ditës në Avancë dhe rregullat e tregtimit brenda ditës. Enti ka nisur shqyrtimin e rregullores se “Administrimit të tregut” dhe Rregullat për Pagesat dhe Faturimin.

Enti ka përfshirë në proces miratimi zonat e import-eksportit. Shqipëria paraqitet mjaft e vonuar në liberalizimin e tregut të energjisë dhe për këtë mosveprim mori kritika në raportin e fundit të progresit të BE-së.

Modeli i tregut të Ditës në Avancë (Day-Ahead) është arena kryesore në rajonin nordik dhe baltik për tregtimin e energjisë. Në këtë model tregu, kontratat bëhen ndërmjet shitësit dhe blerësit për dorëzimin e mallit një ditë më parë.

Me këtë model, një blerës duhet të vlerësojë se sa energji do t’i duhet për të përmbushur kërkesat të nesërmen dhe sa është i gatshëm të paguajë për këtë vëllim, orë pas ore. Shitësi, për shembull, pronari i një hidrocentrali, duhet të vendosë se çfarë sasie mund të dorëzojë dhe me çfarë çmimi, orë pas ore. Këto nevoja pasqyrohen përmes urdhrave nga blerësit dhe shitësit në sistemin e tregtimit në Bursën e Energjisë.

Çmimet e çdo ore janë shpallur në mënyrë tipike në treg në 12:42 ose më vonë. Pasi çmimet e tregut janë llogaritur, nga ora 00:00 të nesërmen, kontratat e energjisë janë dorëzuar fizikisht (që do të thotë se malli është siguruar për blerësit) orë për orë sipas kontratave të rëna dakord.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button