Ekonomia

Euro zbret sërish nën 136 lekë, niveli më i ulët nga fillimi i vitit

Monedha e përbashkët ka shënuar sërish një rënie të fortë sot në tregun e brendshëm valutor, duke zbritur sërish nën 136 lekë, dhe duke arritur në nivelin më të ulët që nga fillimi i këtij viti.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye me 135.85 lekë, 0.23 lekë më pak se një ditë më parë.

Ndikimin kryesor ditën e sotme e ka dhënë rënia e euros në tregun ndërkombëtar. Një euro u këmbye me $1.0660 EUR=, duke rënë me 0.2%, si rrjedhojë e shqetësimeve për një rigjallërim të krizës politike në projektin e monedhës së vetme. Gjatë dy ditëve të fundit kanë dalë në pah gara e zgjedhjeve presidenciale në Francë si dhe pikëpyetjet mbi mbështetjen e mëtejshme financiare për Greqinë. Në Francë, sondazhet e opinionit treguan se Emmanuel Macron i qendrës kryeson lehtë ndaj konservatorit Francois Fillon në raundin e parë, por shumë afër është liderja e frontit kombëtar Marine Le Pen, e cila është zotuar që të nxjerrë Francën nga eurozona dhe të realizojë një votim për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Indeksi i dollarit ka shënoi ditën më të mirë të muajit të martën dhe u rrit me 0.3% në tregtimet e hershme në Europë të mërkurën.

Por, në tregun vendas edhe dollari është dobësuar, duke u këmbyer me 127.53 lekë, 0.03 lekë më pak se një ditë më parë, duke treguar se në tregun e brendshëm monedha vendase mbetet e fortë.

Nga faktorët e brendshëm, që po ndikojnë në dobësinë e monedhës së përbashkët aktorët e tregut renditin ofertën e lartë për valutë në treg, kërkesën e dobët të bizneseve, hyrjen në treg të TAP, që me afrimin e pagimit të taksave (data 14 për TVSh dhe 20 për sigurimet) rrit kërkesën për lekë në treg etj.

Të paktën deri në datën 20, kur paguhen sigurimet, aktorët e tregut presin që monedha vendase të vijojë të jetë e fortë.

Në të njëjtën periudhë të një vit më parë, një euro këmbehej me 138.5 lekë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button