Evazioni grek, hetim ish-kreut të gjigandit bankar UBS
Organet greke të Tatimtaksave, në një operacion të zhvilluar para disa ditësh në kuadër të luftës kundër evazionit fiskal kanë hyrë në shtëpinë e ish-kreut të kolosit financiar UBS, Christos Sklavounis dhe kanë konfiskuar disa disqe elektronike me arkiva, kompjutera dhe shkresa që ndodheshin atje.
Lajmin e bën të ditur britanikja “Financial Times”, që jep dhe një profil të këtij personi, i njohur në Greqi për postin e shefit të Departamentit të Investimeve të huaja në këtë bankë, por sidomos për vendin që ka zënë menjëherë pas largimit në vitin 2013 deri në mars 2015, në kohën e qeverisjes së koalicionit Samaras-Venizelos, si drejtor i Fondit Financiar të Stabilitetit, një organizëmi i cili posedonte kapitalet për shpëtimin dhe rikapitalizimin e bankave greke në atë periudhë.
S’ka ende një akuzë nga organet greke për zotin Sklavunis, i cili nuk ka pranuar të deklarojë asgjë deri në përfundimin e hetimeve që janë në zhvillim.
Fillimi i hetimeve për ish-bankierin mbështetet tek një bazë të dhënash të degës së kësaj banke në Gjenëve, të cilat i kanë organet gjermane në vitin 2012 dhe ia kanë dorëzuar Athinës, e cila ka zbuluar deri tani të paktën 1.000 evazorë fiskalë.
Ndërkohë, sipas gazetës britanike, po kërkohet të hidhet dritë në rolin e bankës UBS dhe të bankierëve të saj duke kërkuar një akses më të madh në zyrat e saj ne Zyrih, Lugano, Singapor dhe Luksemburg.
Siç ka theksuar zëdhënëjsa e qeverisë, ky hetim tregon se si Athina zyrtare ka marrë përsipër përgjegjësinë për të goditur rreptësisht korrupsionin dhe evazionin fiskal.