Fajon: Evropa po humb kredibilitetin, qytetarët e Kosovës shpresën
Parlamenti Evropian ka diskutuar të mërkurën rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe në mesin e diskutimeve mes përfaqësuesve evropianë, ka pasur dallime të qarta në qëndrime për këtë çështje.
Megjithatë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës.
“Rritja e radikalizmit nuk ka të bëjë me kufizimin e udhëtimit sidomos për të rinjtë dhe për qëllime të vizitave. Mirëpo po, rritja e radikalizimit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshprimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj”, është shprehur ajo.
Përveç kësaj raportuesja për Kosovën ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën”.
Pas këtyre diskutimeve, Parlamenti Evropian pritet të votojë të enjten për hapat e ardhshëm të këtij procesi.
Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012. Bashkimi Evropian i kishte vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.
Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian kishte votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen.