Politika

Filmimet e kamerave të vendosura në makinat e policisë, zbulojnë deputetë dhe prokurorë “gangsterë”

300 ditë rend 

Shfaqen në publik videot. Një qytetar u arrestua se i dha policit rrugor ryshfet

Nga Silvana Muça

Tri video, të fiksuara nga kamerat e vendosura në makinat e policisë, kanë zbuluar se persona të veshur me imunitet thyejnë rregullat e qarkullimit rrugor. Madje, një prokuror dhe një deputet, janë përplasur me efektivët e rrugores, duke mos pranuar të japin shpjegime. Në takimin e 300 ditëve të Ministrisë së Brendshme, u publikuan këto video, ku tregohen “gangsterët”, ndërsa në një rast, një qytetar është arrestuar se dha ryshfet.

Video I

Një qytetar arrestohet nga reparti “Shqiponja”, pasi ka tentuar që t’u japë lekë oficerëve të policisë. Këta të fundit kanë tentuar që të bëjnë një kontroll në mjetin tip BMW dhe gjithashtu i kanë kërkuar dokumentet e identifikimit drejtuesit të mjetit. Qytetari u ka thënë atyre se ka 400 mijë lekë borxh dhe për të shpëtuar nga policia, ka tentuar që t’i korruptojë, duke u dhënë lekë. Oficeri që bisedon me qytetarin, e ka shoqëruar në komisariat, për korrupsion. Biseda mes policit dhe qytetarit është e regjistruar në një video që zgjat 1.27 minuta.

Polici: Policia e Shtetit, skuadra “ Shqiponja”. Më jep patentën. Si e ke emrin ti? Dil nga mjeti dhe vëri duart mbrapa!

Qytetari: Do më arrestoni…?

Polici: Ke pirë?

Qytetari: Jo mo. Jam i shoqëruar. Kam 400 mijë lekë gjobë ndaj…

Polici: Do bëhet kontrolli i mjetit.

Qytetari: Po, pa merak kontrolloje. Vetëm 400 mijë lekë gjobë kam

Qytetari i ofron lekë policit.

Polici: Ore kujt i jep lekë ti?

Qytetari: Ma bëj hallall…!

Polici: Do shoqërohesh në komisariat për korrupsion. Në rregull?

Do vini me vajzën atje. Do sqarohen në Komisariat.

Qytetari: Ta marrim mjetin, bashkë me të.

Polici: Mbaji, mbaji këto të gjitha…bashkë me lekët! Mbaji dhe lekët!

Video II

Në videon e dytë shfaqen deputetët e PD-së, të cilët pengojnë me dhunë policinë që të kryejë detyrën. Incidenti është zhvilluar gjatë kohës që po bëhej një grevë urie te Piramida, për të larguarit nga puna. Policia u përpoq që të ndalonte grevën, duke e cilësuar fillimisht si të paligjshme dhe në ditët e para është konfliktuar me një djalë të ri. Aty shfaqet një person në moshë të re, që godet policinë. Ai mbështetet fort nga deputetët e PD-së, të cilët kanë si qëllim të përbashkët, zhvillimin e grevës së urisë. Deputetët Flamur Noka, Eduart Halimi dhe Aldo Bumçi, kanë penguar policinë në arrestimin e qytetarit. Në video që zgjat një minutë e 43 minuta shihen deputetët që përplasen fizikisht me punonjësit e policisë, të cilët janë në krye të detyrës. Incidenti ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve, të cilët i kanë parë politikanët me një sjellje jo të hijshme. Pavarësisht përpjekjeve, policia arreston personin që qëlloi mbi ata.

Video III

Patrulla e Policisë ka ndaluar në rrugët e Tiranës një automjet, i cili lëvizte me fenelinat e policisë. Në momentin që policia i ka kërkuar dokumentet e identifikimit, ai i është prezantuar si prokuror. Oficeri nuk është bindur dhe ka këmbëngulur që ai t’i dorëzojë një dokument. Pasi ka marrë në dorë dokumentin, në video shihet se efektivi, e ka lënë të lirë, zyrtarin, duke mos kryer ashtu siç duhet detyrën e tij. Për veprimet që ka kryer, Ministria e Brendshme bën me dije se ka nisur procedimi disiplinor ndaj punonjësve të policisë, që shfaqen në këtë video. Ndërkohë, Tahiri thotë se ka shpresë që Prokurori i Përgjithshëm të marrë masa disiplinore edhe ndaj prokurorit.

Polici: Mirëmbrëma! Si jeni, mirë? Të lutem! Do më japësh një dokument? Dokumente makine, dokumente të tjera…

Prokurori: Varet se përse i do…

Polici: Si për çfarë i dua?

Prokurori: Për çfarë i do?

Polici: Dua t’i kontrolloj….

Prokurori: Mua… jo o vlla!

Polici: Pse kush je ti?

Prokurori: Si kush jam?!

Polici: Po nuk të njoh. Kush je?

Prokurori: Unë jam prokuror.

Polici: Po pra të thashë më jep një dokument. Në qoftë se je zyrtar, më jep një dokument që unë ta di.

Polici: Arsyeja se përse të ndalova, e di se cila është? Nuk ka nevojë të zbresësh mor burrë! Të ndalova vetëm për fenelinat. Më jep një dokument që është e prokurorit dhe të them natën e mirë

Prokurori i jep dokumentin policit.

Prokurori: Urdhëro! Në rregull?

Polici: Faleminderit, na fal!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button