Ekonomia

Financat auditojnë punimet në Bypass Vlorë: Kontrata ka dështuar, fajësohet Autoriteti Rrugor

Drejtoria e Inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave ka ushtruar një audit në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe te sipërmarrësi i punimeve “Serenissima Construksioni” në lidhje me verifikimin e ligjshmërisë së zbatimit të kontratës në projektin e Bypass në Vlorë.

Në raportin e auditit, Ministria e Financave e akuzoi Autoritetin Rrugor Shqiptar për veprimet dhe mosveprimet që lidhen me moszbatimin e kontratës së Projektit Bypass Vlorë, sipas grafikut të punimeve dhe afatit kontraktor, me një vlerë mbi 42 milionë euro.

Teksa është konsumuar koha kontraktore, rezultojnë punime të realizuara në masën rreth 4% të volumit total të punimeve (punime të dokumentuara me dy situacione).

Në fund të muajit gusht 2016, supervizori konfirmoi se progresi financiar është 14.5% dhe progresi fizik 5,6%, por punimet janë të pasituacionuara.

Sipas raportit të auditit, ARRSH nuk ka vepruar për paralajmërimet për prishje të kontratës në kohën që kontraktori po dëshmonte për dështim të realizimit të kontratës dhe ishte në kushte të plota për prishjen e kontratës.

“Paralajmërimi i parë dhe i fundit i bërë më datë 13.06.2016 për kontraktorin për ‘Prishje të kontratës nga Punëdhënësi’, për shkak të vonesave në kohën e realizimit të punimeve, kur performanca e vazhdueshme e kontraktorit nuk përkonte me detyrimet kontraktuale, rezulton në kohën kur kishte kaluar rreth 50% e kohës kontraktore dhe punimet në fakt rezultojnë në masën rreth 4%, kundrejt detyrimit në masën rreth 55% të punimeve”, – thuhet në konkluzionet e auditit.

Ministria e Financave thotë se Autoriteti Rrugor nuk ka vepruar për vlerësimin e plotësimit të kushteve dhe rishikimin e pozicionit për në vijim, pas përcaktimit të afatit të fundit të përmirësimit të situatës në kantier, që lidhet me datën 11.07.2016.

Gjithashtu sipas Financave ARRSH nuk ka vepruar në aplikimin e penaliteteve për punime të kryera me vonesë kundrejt grafikut të punimeve, pjesë e kushteve të veçanta të kontratës dhe e tenderit, ndonëse ka paralajmëruar disa herë kontraktorin.

Mosveprimi në kohën e duhur për zbatimin e penaliteteve deri në prishjen e kontratës, ka rritur riskun e mosrealizimit të kontratës, vë në dukje dikasteri i financave.

Kontrata për projektin është lidhur në kohë përpara ratifikimit me ligj të marrëveshjes financiare të grantit, e cila vlerësohet me risk të lartë.

Kontrata për Projektin nuk referon kushtet dhe procedurat ligjore që duhet të zbatojë Huamarrësi, ARRSH dhe Bankat respektive që bashkëfinancojnë këtë projekt, në zbatim të marrëveshjeve financiare të ratifikuara me ligjet respektive, lidhur me bërjen efektive të kredive dhe kushtet e disbursimit.

Kontrata për projektin përcakton kohën e pagesës së paradhënies për kontraktorin pa konsideruar procedurat ligjore të parashikuara në ligjet ratifikuese të marrëveshjeve financiare, duke sjellë pasoja financiare për vonesa në pagesat për kontraktorin.

Audituesit thonë se sipërmarrësi i punimeve, kontraktori “SerenissimaCostruksioni” S.p.a nuk ka realizuar kontratën e projektit sipas grafikut të punimeve, pjesë e kontratës dhe dokumenteve të tenderit, si dhe afatit të kontratës.

Kompanisë tashmë i është ndërprerë kontrata nga Autoriteti Rrugor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button