Fituam – Po fitojmë – Na dërgoni ndihmë!

Kjo është batuta më e fundit ironike që po qarkullon në rrjet në të gjithë botën, e drejtuar ndaj njeriut më të fuqishëm, presidentit amerikan Donald Trump. Është paradigma e qëndrimit amerikan në harkun e tre javëve luftë me Iranin, të cilat e kanë futur të gjithë botën në një tunel të errët krize dhe pasigurie. Është gjithashtu një dëshmi dëshpëruese e politikës së jashtme të improvizuar të kreut të Shtëpisë së Bardhë, i cili e ka marrë për dore vendin e tij në një konflikt tejet delikat, pa asnjë plan dhe asnjë perspektivë të besueshme zgjidhjeje. Ajetollahu i zëvendësua nga një tjetër ajetollah, ndërkohë që bazat ushtarake amerikane në rajon janë shkatërruar, Tel Aviv dhe të tjera pjesë të Izraelit po njohin bombardime masive kurse ekonomika botërore ndodhet në pragun e një katastrofe të afërt.
Në tre javë Amerika ka vendosur të shkojë edhe një herë tjetër pas strategjisë së luftës totale në Lindjen e Mesme të Benjamin Netanjahut, duke ju bindur qorrazi projektit të rrëzimit të regjimit të ajetollahëve. Çka po rezulton, me mënyrën sesi merr formë, një gabim trashanik dhe me pasoja fatale për të ardhmen e rajonit por edhe të të gjithë botës.
Ishte thënë deri në mërzi që Irani nuk është as Irak dhe as Siri. Aq më pak është Venezuelë apo Kubë. Ishte e ditur se iranianët e kanë perfeksionuar taktikën e luftës asimetrike, ku dronët 10 mijë dollarësh interceptohen nga raketa që shkojnë deri në 3-4 milion dollarë. Ishte e ditur se ata kanë një arsenal raketash balistike që mund të hedhë në erë të gjithë rajonin e më gjerë. E megjithatë Trump u dha pas modelit të fitores së lehtë venezueliane, pa llogaritur se çfarë po bën.
Kjo luftë duhej të zgjaste vetëm pak ditë sipas Presidentit Trump. Ndërkohë titulli i shkrimit përmban edhe evolucionin e qëndrimit të aleatëve izraelo-amerikanë ndaj vetë luftës. Nga fitore e mbaruar në ditën kur fshinë me një valë bombardimesh thuajse të gjithë lidershipin e Iranit, tek fitorja në proces në javën pasardhëse e cila komunikohej përmes gjesteve prej adolëeshenti të sekretarit të luftës Hegseth, e deri tek thirrja javën e tretë për ndihmë ndaj Kinës, Evropianëve e gjithë të tjerëve. Mbeti vetëm Bordi i Paqes pa u thirrur nën armë!
Sulmi ndaj Iranit është një operacion ushtarak tipik nga ata që përmban manuali historik i luftës i Izraelit në Lindjen e Mesme. Një aventurë e radhës ushtarake e cila i shkon për shtat një vendi që i ka sulmuar të gjithë me strategjinë e parandalimit, duke shpërfillur ligjin ndërkombëtar dhe të gjitha konventat e imagjinueshme që mbajnë në këmbë rendin botëror të pas Luftës së Dytë Botërore.
E reja në këtë rast është se kësaj aventure rajonale i është bashkuar edhe Presidenti i Paqes Donald Trump i cili ka muaj që reklamon një çmim Nobel për konfliktet që ka zgjidhur. Kthimi i shpinës i aleatëve, rivalëve e armiqve tregon përmasat e gabimit strategjik që Trump ka bërë duke e futur SHBA e bashkë me të edhe botën në një luftë të paligjshme, të pamenduar dhe me potencialin e një fiaskoje historike.
Konflikti me Iranin mund të zgjidhet artificialisht, ashtu siç nisi. Me një deklaratë nga ato që shpërfillin logjikën dhe ligjet e gravitetit nga presidenti i SHBA. Nga ato deklarata ku ai shpall fitore të padiskutueshme, ku thotë se ka bërë të vetmen gjë të mundshme, pra të sulmojë Iranin dhe të fitojë ndaj tij. Paçka se opinioni pubik botëror do të nisë të qeshë e të shpotisë, është urgjente që të kemi më mirë një skeptakël gënjeshtre sesa një kalvar gjaku dhe krize që nuk dihet kur dhe me çfarë kostosh mbaron. Paçka se tashmë Trump ka hyrë në histori si Presidenti i SHBA që ju drejtua publikisht kinezëve për ndihmë në një konflikt ushtarak! Më mirë t’i përkëdhelet edhe një herë sedra prej fëmije presidentit të SHBA sesa të vuajë e gjithë bota.
Deri në atë moment që vetëm subkoshienca e Donald Trump e di se kur do të vijë, bota mban frymën në pritje të një lajmi të mirë. Përndryshe, nëse konflikti vazhdon, ky ka për të qenë jo vetëm Vietnami i Presidentit Trump por dhe mjerimi i të gjithë planetit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.