Fjala sot quhet krim
Nga Ylli Manjani
Një seancë pyetjesh e zhvilluar në GJKKO, ku prokurori i drejtohet të pandehurit me pyetjen: “Çfarë ke dashur të thuash me këto fjalë?”, është ndoshta fotografia më e qartë e mënyrës se si po funksionon sot ndjekja penale në Shqipëri.
Vetë pyetja është shqetësuese. Jo sepse prokurori nuk ka të drejtë të pyesë, por sepse objekti i hetimit nuk është më një veprim, një pasojë apo një dëm konkret. Objekti është fjala.
Në praktikë po ndodh diçka që deri dje do të dukej e paimagjinueshme. Sekuestrohen me lehtësi memoriet elektronike të telefonave celularë dhe, pasi hapen, bisedat private, komentet, batutat, shprehjet e pakujdesshme apo mendimet e shkëmbyera mes njerëzve shndërrohen në material akuze.
Çfarë pasoje penale kanë prodhuar ato fjalë, shpesh nuk ka më rëndësi. Mjafton që ato ekzistojnë në një komunikim elektronik dhe fillon ndërtimi i një narrative kriminale.
Ky është një ndryshim i thellë në filozofinë e së drejtës penale.
Historikisht, e drejta penale është ndërtuar për të ndëshkuar veprime ose mosveprime që cenojnë një të mirë juridike dhe sjellin një pasojë të dënueshme. Edhe kur ndërhyn para se pasoja të ndodhë, si në rastin e tentativës, ligji kërkon gjithsesi ekzistencën e veprimeve konkrete që e afrojnë autorin me realizimin e krimit.
Sot duket se po mjafton fjala.
Jo veprimi.
Jo pasoja.
Jo dëmi.
Por fjala.
Nëse kjo logjikë pranohet si normale, atëherë drejtësia penale largohet nga ndëshkimi i fakteve dhe afrohet me ndëshkimin e mendimeve. Dhe ky është një kufi që çdo shtet demokratik duhet ta ruajë me fanatizëm.
Sigurisht, askush nuk pretendon se fjalët nuk mund të kenë rëndësi juridike. Ka raste kur ligji sanksionon nxitjen e drejtpërdrejtë për kryerjen e veprave penale, kërcënimin, shantazhin apo forma të tjera të parashikuara qartë nga Kodi Penal. Por këto janë përjashtime të përcaktuara me rigorozitet, jo një licencë për ta kthyer çdo komunikim privat në provë kriminaliteti.
Pikërisht këtu qëndron shqetësimi.
Kodi Penal, në disa dispozita të tij, ka lënë hapësira interpretimi aq të gjera, sa në praktikë është bërë e lehtë të ndërtohen akuza mbi fjalë, mbi interpretime dhe mbi nënkuptime, më shumë sesa mbi veprime konkrete.
Kur kjo bashkohet me praktikën e sekuestrimit të telefonave celularë, shpesh të justifikuar me formulën standarde se “ka urgjencë”, krijohet një mekanizëm tepër i rrezikshëm. Mjafton të marrësh memorien elektronike të një qytetari dhe aty mund të gjesh materiale të mjaftueshme për të ndërtuar histori të pafundme akuzash.
Pastaj vjen faza tjetër.
Publikimi selektiv i bisedave.
Copëza komunikimesh private shfaqen në media, në portale, në rrjete sociale. Gjykimi publik paraprin gjykimin penal. Turma argëtohet. Portalet fitojnë klikime. Reputacioni i individit shkatërrohet shumë kohë përpara se një gjykatë të japë një vendim.
Në Kanun thuhet se “fjala mort nuk ban”.
Në drejtësinë e sotme, të paktën sipas kësaj praktike, fjala jo vetëm që “ban”, por të bën edhe kriminel.
Kjo nuk është një çështje që prek vetëm të akuzuarit. Është një çështje që prek çdo qytetar që mban një telefon në xhep dhe komunikon lirshëm me familjen, miqtë apo kolegët.
Nëse nesër çdo bisedë private mund të interpretohet sipas dëshirës së hetuesit, atëherë liria e komunikimit nuk ekziston më. Ajo zëvendësohet nga autocensura. Njerëzit nuk do të kenë më frikë nga krimi, por nga fjalët e tyre.
Dhe një shoqëri që ka frikë nga fjalët nuk është më e lirë.
Kjo praktikë mund të quhet me shumë emra. Mund të quhet eficiencë hetimore, spektakël penal apo populizëm juridik.
Por drejtësi, jo.
Ndoshta ajo kënaq turnet e uritura për thashetheme dhe etjen e opinionit publik për skandale të reja. Por nuk ndërton një shtet të së drejtës. Nuk mbron dinjitetin njerëzor. Nuk forcon besimin tek drejtësia.
Përkundrazi, e dobëson atë.
Dhe ironia më e madhe është se sot kjo mënyrë veprimi ka filluar të prekë edhe vetë ata që e ngritën dhe e duartrokitën këtë sistem.
Ndoshta vetëm tani po kuptojnë se drejtësia, kur humbet kufijtë, nuk zgjedh viktimat. Sot godet kundërshtarin. Nesër troket në derën e kujtdo.
Dhe në fund një histori nga koha e komunizmit. Kur njerëtit filluan të mos spiunonin më njëri-tjetrin për fjalët që thuheshin në mjedise të ndryshme, Enver Hoxha nxori slloganin e ri “indiferenti është më i keq se armiku”…
Me këtë ritëm së shpejti do kthehet prap ky sllogan…



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.