MADRID – Sanchez: Hyrja e emigrantëve në Ceuta, “sulm” ndaj Spanjës
MADRID, 31 korrik /ATSH-DPA/- Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez e ka përshkruar mbërritjen e dhjetëra mijëra emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës, në Afrikën e Veriut, si një “sulm” dhe “shkelje të integritetit territorial të Spanjës”.
Gjatë një vizite sot në enklavë, Sanchez u garantoi rreth 85 000 banorëve të Ceutës mbështetjen e plotë të të gjithë vendit.
“E gjithë Spanja është në krahun tuaj. Ne marrim përgjegjësinë për këtë situatë”, deklaroi ai.
Sipas raportimeve të medias spanjolle, bazuar në burime qeveritare dhe policore, rreth 50 000 emigrantë kanë hyrë në Ceuta nga Maroku gjatë ditëve të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare më të fundit, të paktën 28 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve, për të arritur territorin e Bashkimit Evropian.
Shumica e emigrantëve hynë në territor të mërkurën dhe dje, duke notuar drejt bregut, ndërsa shumë të tjerë kaluan duke u ngjitur mbi gardhet kufitare. Mes të ardhurve ka edhe shumë gra dhe fëmijë.
Situata e përshpejtuar ka shkaktuar një krizë, duke bërë që Spanja të angazhojë ushtrinë për të ndihmuar në sigurimin e kufirit me Marokun – për herë të parë që nga maji i vitit 2021, kur më shumë se 8 000 persona hynë në Ceuta brenda 36 orësh.
Gjatë vizitës së tij, Sanchez njoftoi masa të tjera për forcimin e kontrollit të kufirit, i cili është gjithashtu kufi i jashtëm i Bashkimit Evropian.
Sipas planit, përgjatë brezit kufitar detar, mes bregut maroken dhe plazhit Tarajal në Ceuta, do të vendosen barriera lundruese për të penguar emigrantët të kalojnë duke notuar drejt territorit spanjoll.
Sanchez premtoi gjithashtu, procedura të përshpejtuara për kthimin e emigrantëve që kanë hyrë në mënyrë të parregullt në vend.
“Shumë emigrantë tashmë po largohen”, tha ai, duke theksuar se Spanja po bashkëpunon me Marokun për këtë çështje.
“Edhe pse një numër i madh personash kaluan kufirin sot në mëngjes, shumë të tjerë u kthyen në të njëjtën kohë drejt Marokut, çka ndihmoi në qetësimin e situatës”, raportoi transmetuesi shtetëror spanjoll RTVE. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.