Ekonomia

Flluska 150 milionë euro e borxheve bashkiake, kryeson Tirana

Blerina Hoxha

Fill pas reformës së re territoriale, ku njësitë vendore u përqendruan në 61 bashki, një proces auditimi në formën e një inventari për llogaritë financiare dhe ato kapitale, tashmë ka përfunduar. Projekti i iniciuar nga qeveria shqiptare, nën drejtimin e Grand Thorton, nëpërmjet projektit STAR, ka gjetur një kaos të vërtetë në bilancet e pushtetit vendor dhe një mungesë totale orientimi nga qeveria qendrore.

Raportet e kontrollit që tashmë janë publike, kanë zbuluar një rrëmujë totale në bilance dhe një kala detyrimesh, që vetëm në 12 bashkitë më të mëdha në vend arrijnë 21 miliardë lekë, ose rreth 150 milionë euro. Nga kjo shumë, 16.3 miliardë lekë, ose rreth 78%, i përkasin Tiranës

Nga shumta totale, rreth 5.9 miliardë lekë janë detyrime të prapambetura, ndërsa pjesa tjetër i detyrohet qeverisë qendrore, ose të tjera, si sigurime. Mbi të gjitha, njësitë e reja janë totalisht të paqarta për asetet që disponojnë dhe nuk kanë inventarë të rregullt.

Bashkia e Tiranës, 16 miliardë lekë detyrime
Raportimi i auditit ka zbuluar se më 31 korrik 2015, detyrimet totale të Bashkisë së Tiranës janë 16,3 miliardë lekë. Ndërsa detyrimet në vonesë të bashkisë raportohet të jenë 3,6 miliardë lekë. Audituesit pohojnë se, informacioni është shpesh jo i plotë dhe nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe rreziqet që vijnë nga vonesat në shlyerjen e tyre. Për më tepër, nuk ka një ndarje të detyrimeve, të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore.

Në fund të evidentimit të detyrimeve, ekspertët i kanë rekomanduar bashkisë të bëjë një analizë të detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre. Kjo analizë do të japë një pamje më të qartë të radhës së shlyerjes së detyrimeve për bashkinë dhe burimet e financimit.

Detyrimet kanë pësuar ulje prej 3% gjatë periudhës ushtrimore të mbyllur më 31 korrik 2015, krahasuar me vitin paraardhës 2014. Ndërkohë që vihet re një rritje e huamarrjes me 69.8%.

Pjesa më e madhe e detyrimeve të Bashkisë së Tiranës janë afatshkurtra dhe arrijnë një shumë prej 15.5 miliardë lekësh deri në mes të vitit 2015. Por pjesën më të madhe të detyrimeve prej 10.6 miliardë lekësh, bashkia më e madhe në vend ia ka qeverisë qendrore.

Ndërsa 2.6 miliardë lekë, ose rreth 20 milionë euro, janë detyrime që bashkia i ka ndaj furnitorëve të saj dhe ofruesve të shërbimeve – thuhet në raport. Pjesa tjetër janë detyrime ndaj kreditorëve të ndryshëm dhe sigurime shoqërore dhe shëndetësore të papaguara.

“Ne na është dhënë një regjistër me të dhënat e detajuara të çdo kreditori për shërbime, mallra, punime, çështje gjyqësore apo ndihma sociale e të ngjashme me to. Megjithatë, për shumë prej tyre, mungon NIPT-i dhe për shumicën e tyre mungojnë të dhëna si numri i faturës, data e faturimit dhe natyra e kreditorit.

Gjithashtu ka edhe disa vlera të konsiderueshme që nuk është identifikuar emri i kreditorit, evidenca e detajuar e debitorëve në fund të pasqyrave financiare të 2015-s. Gjithashtu, në bashkinë e kryeqytetit mungojnë evidencat për debitorët dhe kreditorët, sipas listës së detajuar nga ana e njësisë vartëse”, thuhet në raportin e audituesve. Mungojnë detajimet për kreditorë të tjerë, për një shumë totale 94.4 milionë lekë.

Audituesit kanë lënë detyra që Bashkia e Tiranës të marrë masat e nevojshme që të gjithë institucionet e varësisë me mbylljen e pasqyrave financiare të vitit ushtrimor 2015, të kenë saktësuar dhe detajuar të gjithë librat e kreditorëve apo debitorëve dhe për çdo diferencë, të shtojë apo pakësojë gjendjen e tyre në fund të vitit 2015.

Bashkia e Tiranës e ka një database për debitorët e taksës së ndërtesës, ku janë paraqitur të gjithë debitorët për këtë lloj takse, kjo si rrjedhojë e funksionimit të hipotekës me pushtetin vendor dhe përpilimit të librit të përgjithshëm të pronave nga hipoteka. Por nuk ka informacion se kur këto borxhe do të kthehen.

Gjithashtu, bashkia nuk i analizon sesa të vjetra janë këto të arkëtueshme dhe nuk llogarit dhe regjistron zhvlerësimin e të arkëtueshmeve që janë në dyshim për t’u mbledhur.

Raporti i auditimit tregon se Ministria e Financave ka lëshuar udhëzime të paqarta mbi raportimin dhe buxhetimin. Janë parë udhëzime kontradiktore në lidhje me metodën e mbajtjes së kontabilitetit. Nuk ka udhëzime nga Ministria e Financave në lidhje me trajtimin e investimeve në filiale dhe nuk është e qartë nëse ka një vlerë për investimet.

Raporti thotë se nuk ka udhëzime nga MF në lidhje me njohjen, matjen dhe paraqitjen e provigjoneve. Audituesit kanë konstatuar se bashkia e madhe nuk ishte në gjendje që të mbyllte pasqyrën e lëvizjes së fondeve në një mënyrë të kuptueshme dhe konsistente.

Pasqyrat financiare nuk janë mbështetur me një bazë gjithëpërfshirëse të dhënash dhe për pasojë, ka devijime nga baza e përllogaritjes për shpenzimet dhe kreditorët. Bashkia e Tiranës nuk ka mbajtur një regjistër për aktivet fikse. Zyrtarët e bashkisë u kanë thënë audituesve se ende nuk janë transferuar të gjitha asetet nga komunat.

Durrësi, 960 milionë lekë borxhe
Më 31 korrik 2015, detyrimet totale të bashkisë raportohet të jenë 968,9 milionë lekë, ndërsa detyrimet në vonesë të bashkisë raportohet të jenë 372 milionë lekë. Raporti i auditit tregon se informacioni është shpesh jo i plotë dhe nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe rreziqet që vijnë nga vonesat në shlyerjen e tyre.

Për më tepër, nuk ka një ndarje të detyrimeve, të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore. Ata kanë rekomanduar një analizë të detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre. Kjo analizë do të japë një pamje më të qartë të radhës së shlyerjes së detyrimeve për Bashkinë dhe burimet e financimit.

Llogaritë e pagueshme kanë pësuar një rritje prej 37% gjatë periudhës ushtrimore të mbyllur më 31 korrik 2015, krahasuar me vitin paraardhës 2014.

Gjatë vitit 2015, të ardhurat tatimore dhe jo tatimore ishin 30% të të ardhurave totale, për shkak të normës së ulët të mbledhjes së të ardhurave. Audituesit kanë rekomanduar që bashkia të vendosë procedura strikte për analizën dhe monitorimin e rregullt të ecurisë financiare aktuale kundrejt buxhetit.

Ndjekja e analizës do të çojë në rritje të nivelit të taksave të mbledhura për bashkinë dhe rritje të kapaciteteve për shpenzime. Një listë e plotë dhe e saktë e të arkëtueshmeve nga taksat e individëve dhe biznesit duhet të krijohet.

Listat do të bëjnë që bashkia të ketë një gjurmë të detajuar të të arkëtueshmeve dhe të përmirësojë normat e mbledhjes së tyre.

Gjithashtu, ato do të lejojnë një trajtim të drejtë të taksapaguesve dhe do të japin një bazë të dokumentuar për veprimet kundër atyre që nuk paguajnë.

Janë identifikuar praktika dhe politika kontabël të ndryshme dhe jo të njëtrajtshme të përdorura nga NJA të ndryshme. Në disa njësi, shpenzimet janë njohur mbi bazë konstatimi, kurse në disa të tjera mbi bazë pagese.

Audituesit kërkojnë nga qeveria qendrore që të plotësojë legjislacionin aktual me rregulla për aplikimin e politikave kontabël të unifikuara, si dhe për mbajtjen e një libri të madh efektiv. Regjistrimet kontabël të mbajtura me dorë apo elektronikisht duhet të ndjekin një proces arkivimi në përputhje me politikat e arkivimit.

Përdorimi i një programi kompjuterik të njëtrajtshëm për të gjitha NJA-të mund të ishte i dobishëm në përmirësimin e mbajtjes së kontabilitetit dhe raportimit financiar.

Elbasani, detyrimet 1.1 mld lekë
Detyrimet totale të Bashkisë së Elbasanit raportohet të kenë arritur në 1,1 miliardë lekë në mes të vitit 2015, ndërsa borxhet me vonesë të bashkisë raportohet të jenë 484,9 milionë lekë.

Audituesit shprehen se informacioni është shpesh jo i plotë dhe nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe rreziqet që vijnë nga vonesat në shlyerjen e tyre. Për më tepër, nuk ka një ndarje të detyrimeve të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore. Audituesit kanë rekomanduar një analizë të detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre.

Kjo analizë do të japë një pamje më të qartë të radhës së shlyerjes së detyrimeve për bashkinë dhe burimet e financimit.

Borxhet më të mëdha janë akumuluar ndaj furnitorëve, me rreth 385 milionë lekë ose 3 milionë euro. Ndërsa rreth 9 milionë lekë janë akumuluar si detyrime për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Sipas raportit, inventarizimi nuk do të ketë për qëllim vetëm verifikimin e aktiveve që janë aktualisht të regjistruara, por identifikimin e aktiveve të tjera që janë në pronësi të njësive, si dhe identifikimin e aktiveve të regjistruara, por që mund të jenë të dëmtuara apo që nuk ekzistojnë. Kërkohet gjithashtu një bashkëpunim i ngushtë me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme.

Për vitin 2015, Bashkia e Elbasanit kishte fondet buxhetore korente 1,3 miliardë lekë. Financimi është mbështetur pothuajse tërësisht nga qeveria qendrore. Grantet qeveritare zunë 95.3% të burimeve të shpenzimeve.

Shpenzimet për paga të punonjësve, shpenzimet për blerje e shërbime zënë pjesën më të madhe të shpenzimeve gjithsej. Këto shpenzime janë paguar duke përdorur grantin e pakushtëzuar dhe të ardhurat e veta. Ashtu si për bashkitë e tjera, edhe për atë të Elbasanit, mungojnë udhëzimet nga Ministria e Financave mbi raportimin dhe buxhetimin.

Pasqyrat financiare nuk janë mbështetur me një bazë gjithëpërfshirëse të dhënash, duke krijuar devijime nga baza e përllogaritjes për shpenzimet dhe kreditorët.

“Bashkia nuk na ka dhënë një protokoll të numërimit dhe verifikimit fizik të inventarit të mallrave dhe të Aktiveve të Qëndrueshme të Trupëzuara. Mungesa e këtij inventarizimi sjell një pasiguri në lidhje me ekzistencën e inventarëve. Bashkia duhet të kryejë një verifikim fizik të inventarëve dhe AQT për t’u siguruar për ekzistencën dhe gjendjen fizike të tyre”, thuhet në raport.

Fieri, detyrimet 479 milionë lekë
Auditorët kanë gjetur se deri në mes të korrikut të vitit që shkoi, detyrimet totale të Bashkisë së Fierit ishin 479,8 milionë lekë dhe detyrimet në vonesë të bashkisë raportohet të jenë 305 milionë lekë.

Raporti thekson se informacioni është shpesh jo i plotë dhe nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe rreziqet që vijnë nga vonesat në shlyerjen e tyre. Për më tepër nuk ka një ndarje të detyrimeve, të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore. Ata i kanë rekomanduar Bashkisë së Fierit të bëjë një analizë të detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre.

Kjo analizë do të japë një pamje më të qartë të radhës së shlyerjes së detyrimeve për bashkinë dhe burimet e financimit. Gjatë kontrollit të njësive rezultoi se disa nga këto nuk kishin një listë të plotë dhe të saktë të të arkëtueshmeve nga taksat nga individët dhe biznesi.

Auditorët i kanë rekomanduar bashkisë të vendosë procedura strikte për analizën e ecurisë financiare kundrejt buxhetit. Ndjekja e analizës do të çojë në rritje të nivelit të taksave të mbledhura për bashkinë dhe rritje të kapaciteteve për shpenzime.

Një listë e plotë dhe e saktë e të arkëtueshmeve nga taksat e individëve dhe biznesit duhet të krijohet. Listat do të bëjnë që bashkia të ketë një gjurmë të detajuar të të arkëtueshmeve dhe të përmirësojë normat e mbledhjes së tyre. Gjithashtu, ato do të lejojnë një trajtim të drejtë të taksapaguesve dhe do të japin një bazë të dokumentuar për veprimet kundër atyre që nuk paguajnë.

Korça, 827 milionë lekë detyrime
Detyrimet totale të Bashkisë së Korçës për të njëjtën periudhë raportohet të jenë 827,233 mijë lekë dhe borxhet e vonuara raportohet të jenë 150,365 mijë lekë. Auditorët raportojnë se informacioni është shpesh jo i plotë dhe nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe rreziqet që vijnë nga vonesat në shlyerjen e tyre.

Për më tepër nuk ka një ndarje të detyrimeve, të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore. Ata rekomandojnë një analizë të detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre. Kjo analizë do të japë një pamje më të qartë të radhës së shlyerjes së detyrimeve për bashkinë dhe burimet e financimit.

Gjithashtu, rekomandohet që bashkia të vendosë procedura strikte për analizën dhe monitorimin e rregullt të ecurisë financiare aktuale kundrejt buxhetit. Sipas auditorëve, ndjekja e analizës do të çojë në rritje të nivelit të taksave të mbledhura për bashkinë dhe rritje të kapaciteteve për shpenzime. Një listë e plotë dhe e saktë e të arkëtueshmeve nga taksat e individëve dhe biznesit duhet të krijohet.

Listat do të bëjnë që bashkia të ketë një gjurmë të detajuar të të arkëtueshmeve dhe të përmirësojë normat e mbledhjes së tyre. Ato do të lejojnë një trajtim të drejtë të taksapaguesve dhe do të japin një bazë të dokumentuar për veprimet kundër atyre që nuk paguajnë, rekomandohet në raport.

Audituesit shprehen se, aplikimi jo i njëtrajtshëm i politikave kontabël dhe praktikave dhe procedurave kontabël nga njësi të ndryshme mund të ndikojnë në plotësinë dhe saktësinë e të dhënave kontabël të përdorura në konsolidim.

Rrjedhimisht, njësitë administrative janë të ekspozuara ndaj rrezikut të humbjes së të dhënave, gjë që mund të ndikojë negativisht në aktivitetet ditore të tyre dhe të çojë në humbje financiare. Ndaj ata kanë rekomanduar që qeveria të plotësojë legjislacionin aktual me rregulla për aplikimin e politikave kontabël të unifikuara, si dhe për mbajtjen e një libri të madh efektiv.

Shkodra, 349 mln lekë detyrime
Detyrimet totale të bashkisë raportohet të jenë 349,8 milionë lekë dhe ato me vonesë 138,8 milionë lekë.
Në raport thuhet se nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe rreziqet që vijnë nga vonesat në shlyerjen e tyre.

Për më tepër nuk ka një ndarje të detyrimeve, të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore. Rekomandohet një analizë e detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre.

Struktura e totalit të debitorëve të Bashkisë e Shkodrës përbëhet nga 77.7% nga debitorët e Bashkisë së Shkodrës, 17.7% nga debitorët e njësisë së Velipojës dhe pjesa tjetër nga rrethinat.

Është parë se nuk ka udhëzime nga Ministria e Financave në lidhje me trajtimin e investimeve në pjesëmarrje dhe nuk është e qartë nëse një vlerë për këto investime duhet të paraqiten tek aktivet dhe sesi duhet të matet vlera e tyre.

Është gjetur se shumë aktive të tjera mbahen jashtë bilanci dhe nuk kanë një vlerë kontabile. Audituesit kanë sugjeruar të bëhet inventarizimi i aktiveve të qëndrueshme sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky inventarizim do të shërbejë si bazë për përgatitjen e inventarëve të aktiveve të qëndrueshme që do të përdoren për përgatitjen e pasqyrave financiare të vitit që mbyllet më 31 dhjetor 2015.

Inventarizimi nuk do të ketë për qëllim vetëm verifikimin e aktiveve që janë aktualisht të regjistruara, por gjithashtu identifikimin e aktiveve të tjera që janë në pronësi të bashkisë apo njësive, si dhe identifikimin e aktiveve të regjistruara, por që mund të jenë të dëmtuara apo që nuk ekzistojnë. Kërkohet gjithashtu një bashkëpunim i ngushtë me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme.

Berati, detyrimet 380 mln lekë
Detyrimet totale të Bashkisë së Beratit raportohet të jenë 380,6 milionë lekë dhe ato me vonesë, 264,3 milionë lekë.
Informacioni është shpesh jo i plotë dhe nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe rreziqet që vijnë nga vonesat në shlyerjen e tyre. Rekomandohet një analizë e detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre. Struktura e totalit të debitorëve të Bashkisë së Beratit përbëhet 73.2% nga debitorët e Bashkisë së Beratit dhe pjesa tjetër nga njësitë.

Gjatë vitit 2015, të hyrat tatimore dhe jotatimore ishin 26% të të ardhurave totale, kjo për shkak të normës së ulët të mbledhjes së të ardhurave. Gjatë kontrollit të njësive rezultoi se disa prej tyre nuk kanë një listë të plotë dhe të saktë të të arkëtueshmeve nga taksat nga individët dhe biznesi.

Audituesit rekomandojnë që bashkia të vendosë procedura strikte për analizën dhe monitorimin e rregullt të ecurisë financiare aktuale kundrejt buxhetit. Ndjekja e analizës do të çojë në rritje të nivelit të taksave të mbledhura për bashkinë dhe rritje të kapaciteteve për shpenzime.

Një listë e plotë dhe e saktë e të arkëtueshmeve nga taksat e individëve dhe biznesit duhet të krijohet. Listat do të bëjnë që bashkia të ketë gjurmë të detajuar të të arkëtueshmeve dhe të përmirësojë normat e mbledhjes së tyre. Gjithashtu, ato do të lejojnë një trajtim të drejtë të taksapaguesve dhe do të japin një bazë të dokumentuar për veprimet kundër atyre që nuk paguajnë.

Është vënë re që prezantimi i raportimit financiar ka qenë relativisht standard, kjo edhe për shkak të njëtrajtshmërisë së formateve financiare të qarta dhe përshkruese të përdorura gjatë raportimit nga bashkia dhe njësitë. Të gjitha NJA dhe QB kanë raportuar në përputhje me listën e llogarive të udhëzuara nga Ministria e Financave.

Listat e llogarive është integruar mirë me formatet e raportimit financiar të përshkruara nga Ministria e Financave. Megjithatë, politikat kontabël për përgatitjen e pasqyrave financiare dhe mbajtjen e kontabilitetit të NJA-ve dhe QB-së janë të kufizuara.

Dibër
Më 31 korrik 2015, detyrimet totale të bashkisë raportohet të jenë 154,3 milionë lekë dhe detyrimet në vonesë të bashkisë raportohet të jenë 69 milionë lekë.

Informacioni është shpesh jo i plotë dhe nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe rreziqet që vijnë nga vonesat në shlyerjen e tyre.

Për më tepër nuk ka një ndarje të detyrimeve, të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore. Struktura e totalit të debitorëve të Bashkisë së Peshkopisë përbëhet nga 82.9% nga debitorët e Bashkisë së Peshkopisë dhe pjesa tjetër nga njësitë.

Rekomandohet një analizë e detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre. Kjo analizë do të japë një pamje më të qartë të radhës së shlyerjes së detyrimeve për bashkinë dhe burimet e financimit. Gjatë vitit 2015, të hyrat tatimore dhe jotatimore ishin 6% të të ardhurave totale, kjo për shkak të normës së ulët të mbledhjes së të ardhurave.

Gjatë kontrollit të njësive rezultoi se disa prej tyre nuk kanë një listë të plotë dhe të saktë të të arkëtueshmeve nga taksat nga individët dhe biznesi.

Audituesit rekomandojnë që bashkia të vendosë procedura strikte për analizën dhe monitorimin e rregullt të ecurisë financiare aktuale kundrejt buxhetit. Ndjekja e analizës do të çojë në rritje të nivelit të taksave të mbledhura për bashkinë dhe rritje të kapaciteteve për shpenzime.

Një listë e plotë dhe e saktë e të arkëtueshmeve nga taksat e individëve dhe biznesit duhet të krijohet. Listat do të bëjnë që bashkia të ketë një gjurmë të detajuar të të arkëtueshmeve dhe të përmirësojë normat e mbledhjes së tyre. Gjithashtu, ato do të lejojnë një trajtim të drejtë të taksapaguesve dhe do të japin një bazë të dokumentuar për veprimet kundër atyre që nuk paguajnë.

Gjirokastër, borxhi 99 mln lekë
Më 31 korrik 2015, detyrimet totale të bashkisë raportohet të jenë 99 mln lekë dhe detyrimet në vonesë të bashkisë raportohet të jenë 33,6 milionë lekë. Por është gjetur se nuk ka një ndarje të detyrimeve të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore.

Struktura e totalit të debitorëve të Bashkisë së Gjirokastrës përbëhet 69,22% nga debitorët e Bashkisë së Gjirokastrës dhe pjesa tjetër nga njësitë.

Rekomandohet një analizë e detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre. Gjatë vitit 2015, të ardhurat tatimore dhe jotatimore ishin 18% të të ardhurave totale, kjo për shkak të normës së ulët të mbledhjes së të ardhurave.

Gjatë kontrollit të NJA-ve rezultoi se disa nga njësitë nuk kanë një listë të plotë dhe të saktë të të arkëtueshmeve nga taksat nga individët dhe biznesi. Rekomandohet që bashkia të vendosë procedura strikte për analizën dhe monitorimin e rregullt të ecurisë financiare aktuale kundrejt buxhetit.

Ndjekja e analizës do të çojë në rritje të nivelit të taksave të mbledhura për bashkinë dhe rritje të kapaciteteve për shpenzime. Një listë e plotë dhe e saktë e të arkëtueshmeve nga taksat e individëve dhe biznesit duhet të krijohet. Janë politika dhe praktika kontabël jo të njëtrajtshme.

“Kemi vënë re që prezantimi i raportimit financiar ka qenë relativisht standard, kjo edhe për shkak të njëtrajtshmërisë së formateve financiare të qarta dhe përshkruese të përdorura gjatë raportimit nga bashkia dhe njësitë”, – thuhet në raportin e auditimit.

Listat e llogarive është integruar mirë me formatet e raportimit financiar të përshkruara nga Ministria e Financave. Megjithatë, politikat kontabël për përgatitjen e pasqyrave financiare dhe mbajtjen e kontabilitetit janë të kufizuara.

Por janë identifikuar praktika dhe politika kontabël të ndryshme dhe jo të njëtrajtshme të përdorura nga NJA të ndryshme. Në disa NJA, shpenzimet janë njohur mbi bazë konstatimi, kurse në disa të tjera mbi bazë pagese. Gjithashtu, diferenca të ndryshme me klasifikime dhe paraqitje të pasakta janë identifikuar gjatë krahasimit të pasqyrave financiare me shënimet mbështetëse.

Kukësi, borxhi 181 mln lekë
Detyrimet totale të bashkisë raportohet të jenë 181,9 milionë lekë dhe detyrimet në vonesë të bashkisë raportohet të jenë 40 milionë lekë. Informacioni nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe rreziqet që vijnë nga vonesat në shlyerjen e tyre.

Për më tepër nuk ka një ndarje të detyrimeve, të paktën sipas kategorive, ndaj rekomandohet një analizë e detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre.

Audituesit rekomandojnë që bashkia të vendosë procedura të sakta për analizën dhe monitorimin e rregullt të ecurisë financiare aktuale kundrejt buxhetit. Ndjekja e analizës do të çojë në rritje të nivelit të taksave të mbledhura për bashkinë dhe rritje të kapaciteteve për shpenzime. Një listë e plotë dhe e saktë e të arkëtueshmeve nga taksat e individëve dhe biznesit duhet të krijohet.

Listat do të bëjnë që bashkia të ketë një gjurmë të detajuar të të arkëtueshmeve dhe të përmirësojë normat e mbledhjes së tyre. Gjithashtu, ato do të lejojnë një trajtim të drejtë të taksapaguesve dhe do të japin një bazë të dokumentuar për veprimet kundër atyre që nuk paguajnë.

Aplikimi jo i njëtrajtshëm i politikave kontabël dhe praktikave dhe procedurave kontabël nga NJA të ndryshme mund të ndikojnë në plotësinë dhe saktësinë e të dhënave kontabël të përdorura në konsolidim.

Rrjedhimisht, njësitë administrative janë të ekspozuara ndaj rrezikut të humbjes së të dhënave, gjë që mund të ndikojë negativisht në aktivitetet ditore të tyre dhe të çojë në humbje financiare. Struktura e totalit të debitorëve të Bashkisë së Kukësit përbëhet nga 87.06% nga debitorët e Bashkisë së Kukësit dhe pjesa tjetër nga njësitë.

Borxhi i Lezhës, 381 mln lekë
Detyrimet totale të Bashkisë së Lezhës raportohen të jenë 381,456 mijë lekë, ndërsa detyrimet e prapambetura, raportohet të jenë 210,340 mijë lekë.

Audituesit kanë gjetur se informacioni është shpesh jo i plotë dhe nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe nuk ka një ndarje të detyrimeve të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore.
Rreth 37.12% e totalit të detyrimeve e zënë llogaritë Bashkia e Lezhës, 30,13% nga njësia e Shëngjinit dhe pjesa tjetër nga njësitë e tjera.

Auditorët rekomandojnë një analizë të detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre. Kjo analizë do të japë një pamje më të qartë të radhës së shlyerjes së detyrimeve për bashkinë dhe burimet e financimit.

Gjatë vitit 2015, të hyrat tatimore dhe jotatimore ishin 18% të të ardhurave totale, kjo për shkak të normës së ulët të mbledhjes së të ardhurave.

Rekomandohet që bashkia të vendosë procedura strikte për analizën dhe monitorimin e rregullt të ecurisë financiare aktuale kundrejt buxhetit. Ndjekja e analizës do të çojë në rritje të nivelit të taksave të mbledhura për bashkinë dhe rritje të kapaciteteve për shpenzime.

Një listë e plotë dhe e saktë e të arkëtueshmeve nga taksat e individëve dhe biznesit duhet të krijohet. Prezantimi i raportimit financiar ka qenë relativisht standard, kjo edhe për shkak të njëtrajtshmërisë së formateve financiare të qarta dhe përshkruese të përdorura gjatë raportimit.

Megjithatë, politikat kontabël për përgatitjen e pasqyrave financiare dhe mbajtjen e kontabilitetit janë të kufizuara. Rekomandohet që qeveria të plotësojë legjislacionin aktual me rregulla për aplikimin e politikave kontabël të unifikuara, si dhe për mbajtjen e një libri të madh efektiv.

Vlora
Më 31 korrik 2015, detyrimet totale të bashkisë raportohet të jenë 272,1 milionë lekë, nga të cilat borxhet në vonesë 23,0 milionë lekë. Nuk ka një ndarje të detyrimeve, të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore. Si dhe për bashkitë e tjera audituesit kanë rekomanduar një analizë të detajuar për të identifikuar strukturën e vjetërsisë së detyrimeve dhe natyrës së tyre.

Detyrimet kanë shënuar rritje prej 4% gjatë periudhës ushtrimore të mbyllur më 31 korrik 2015 krahasuar me vitin paraardhës 2014. Rreth 53.45 të totalit të detyrimeve i ka Bashkia e Vlorës dhe pjesën tjetër, njësitë administrative që tashmë janë nën kontrollin e bashkisë së re.

Gjatë vitit 2015, të ardhurat tatimore dhe jotatimore ishin 31% të të ardhurave totale, kjo për shkak të normës së ulët të mbledhjes së të ardhurave. Gjatë kontrollit të njësive rezultoi se disa nuk kanë një listë të plotë dhe të saktë të të arkëtueshmeve nga taksat nga individët dhe biznesi.

“Gjatë punës sonë kemi identifikuar pak nga njësitë që përdorin programe kompjuterike kontabiliteti, që u mundëson ndërtimin e një bilanci verifikues të plotë dhe të njëtrajtshëm. Në shumë raste kemi identifikuar humbje të dokumenteve kontabël të periudhave të mëparshme si detajime inventarësh dhe debitorësh apo kreditorësh thuhet në raport.

FMN: Borxhet e bashkive, rreziku i ri fiskal
Teksa qeveria shqiptare, në fund të vitit që shkoi pastroi mbi 60 miliardë lekë detyrime të prapambetura, borxhe të reja po duken në sfond. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën në mbyllje të Misionit për shqyrtimin e shtatë të Marrëveshjes, vuri në dukje se borxhet e prapambetura të pushtetit lokal janë një rrezik i ri fiskal. FMN, duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Çështjeve Vendore, ka zbuluar disa detyrime që mund të jenë të prapambetura, prej rreth 0,6% të PBB-së, sipas të dhënave deri në mes të vitit 2015.

Sipas të dhënave të qeverisë shqiptare, borxhi i prapambetur i zbuluar nga një proces auditi në njësitë e reja vendore kap shumën e 65 milionë eurove.

“Rekomandohet që autoritetet t’u kërkojnë njësive të qeverisjes vendore të kryejnë auditime dhe të hartojnë plane veprimi për t’i zgjidhur këto detyrime të prapambetura, duke siguruar integritetin e procesit përmes audituesve të jashtëm. Për të zbutur risqet fiskale nga decentralizimi fiskal në proces dhe për të përmirësuar raportimin dhe monitorimin, është mirë të përshpejtohet shqyrtimi i ligjit për financat publike vendore”, sugjeron FMN.

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka këshilluar qeverinë se, për të parandaluar rikrijimin e detyrimeve të reja të prapambetura, është mirë të vihen sa më shpejt në zbatim tavanet e angazhimeve shumëvjeçare dhe zgjerimi i institucioneve përdoruese të sistemit të ri informatik të thesarit. Prioritet është miratimi i ligjit organik për buxhetin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button