Forumi i Sigurisë, Tabaku propozon mekanizëm të përhershëm bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Kongresit Amerikan
Në Forumin e Sigurisë të zhvilluar në Tiranë me pjesëmarrjen e kongresmenëve amerikanë, eurodeputetëve dhe parlamentarëve nga rajoni, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku propozoi krijimin e një strukture të përhershme bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit Amerikan për çështje të sigurisë ekonomike, investimeve strategjike, energjisë dhe teknologjisë.
Në ndërhyrjen e saj, Tabaku u ndal tek ndryshimi i arkitekturës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke argumentuar se rajoni nuk shihet më vetëm si një projekt demokratizimi, por si një hapësirë konkurrence strategjike për energjinë, infrastrukturën, teknologjinë dhe ndikimin gjeopolitik.
Ajo theksoi se korrupsioni dhe institucionet e dobëta nuk janë më vetëm problem i brendshëm politik, por vulnerabilitete që mund të shfrytëzohen nga aktorë dhe interesa armiqësore. Sipas Tabakut, prokurimet e errëta, investimet pa transparencë dhe mungesa e kontrollit mbi asetet strategjike përbëjnë sot rrezik për sigurinë kombëtare.
Në këtë kontekst, deputetja e PD foli edhe për propozimin e saj për një ligj mbi kontrollin e investimeve strategjike, të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian dhe partneritetin me SHBA-në, duke theksuar se “portet, energjia, telekomunikacioni dhe infrastruktura dixhitale nuk janë më vetëm ekonomi, por çështje sigurie”.
Tabaku ngriti gjithashtu pyetjen pse Shqipëria nuk duhet të përfshihet në marrëveshje më të thella strategjike dhe tregtare me SHBA, në një kohë kur Uashingtoni po zgjeron bashkëpunimin ekonomik me vende të tjera të rajonit.
Sipas saj, partneritetet strategjike nuk mund të mbështeten vetëm tek diplomacia apo marrëdhëniet mes qeverive, por duhet të ndërtohen institucionalisht dhe afatgjatë, përmes bashkëpunimit parlamentar dhe mekanizmave të qëndrueshëm mes aleatëve.
Forumi i Sigurisë në Tiranë mblodhi figura politike dhe parlamentare nga SHBA, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi rolin e NATO-s dhe partneritetin transatlantik në arkitekturën e re të sigurisë europiane.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.