Maqedonia

Fushata zgjedhore në Maqedoni: Mungon vizioni i liderëve për të ardhmen, mungojnë duelet në medie

Më  11 dhjetor zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të drejtën për të votuar e kanë mbi 1 milion e 800 mijë qytetarë. Në këto zgjedhje për herë të tretë votojnë edhe shtetasit e Maqedonisë në diasporë.

Në pamjen e përgjithshme zgjedhjet e parakohshme, që zhvillohen më 11 dhjetor në Maqedoni, kanë pothuajse të njëjtët aktorë politikë.

Edhe sloganet, që ata përdorin nëpër mitingje, apo debatet mediatike në fushatën zgjedhore prej 20 ditësh, si dhe premtimet, janë gati të njëjta: “Angazhim për realizimin e projekteve qeveritare“(VMRO-DPMNE), „ Demokraci koncesuale dhe zhillim ekonomik të barabartë”(BDI), “Marrëveshja që njëri nga tre postet e shtetit të jetë shqiptar”(PDSH), “ Plan për jetë.Rritje të rrogës minimale dhe sundimi i së drejtës”(LSDM), “ Ridefinim të shtetit”(Lëvizja BESA), “Parlament dydhomësh edhe ndarje proporcionale të buxhetit shtetëror”( Alenaca për shqiptarët) etj.

Partitë shqiptare në Maqedoni për herë të parë janë duke nisur fushatën, duke pasur si kartë premtimin e ridefinimit të shtetit dhe tërheqjen e 25 për qind-shit nga buxheti i shtetit për shqiptarët. Ajo që i bashkon të gjithë është thirrja për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Këto parti politike nënshkruan ditë më parë Kodin e Sjelljes gjatë zgjedhjeve parlamentare, pas apelit për sjellje korrekte zgjedhore nga SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe OSBE-ja.

Klima politike mes partive maqedonase është mjaft e ashpër. Mungon vizioni i tyre për të ardhmen, mungojnë duelet në medie, mekanizmat konkretë për realizimin e programeve të tyre etj. Kjo ka krijuar pakënaqësi tek njerëzit thonë analistët duke shtuar se njerëzit janë të pakënaqur me këtë fushatë zgjedhore, sepse ajo është karakterizuar nga tone negative. Kjo është zhgënjyese, sidomos për votuesit e pavendosur.

Edhe për analistët fushata zgjedhore ka qenë pa ide, e shoqëruar me zënka banale deri në fyerje personale mes liderëve të partive nga blloku maqedonas dhe nga një fjalor pa mesazh të qartë nga blloku politik shqiptar. Gjatë fushatës nuk u trajtuan problemet reale, që kanë qytetarët, që ka Maqedonia. Partitë politike, si ato maqedonase edhe ato shqiptare, këto probleme i kaluan në heshtje.

Fituesin e presin detyra të vështira- Kjo për arsyen se gjendja ekonomike në Maqedoni është shumë larg nga mesatarja e BE-së. Papunësia është mbi 30 për qind dhe shumë qytetarë jetojnë në varfëri.Paga mesatare është rreth 335 euro. Perspektiva e të rinjve për të ardhmen është jo e mirë. Mungon interesi i investitorëve të huaj për të qenë më aktiv në këtë vend. Një anëtarësim i vendit në BE dhe NATO duket se i ka bërë skeptikë qytetarët e Maqedonisë, për shkak të çështjes së pazgjidhur të emrit të shtetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button