“Gala Operistike”, TKOBAP nis sezonin e ri me zërat dhe kryeveprat e repertorit operistik
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor çeli mbrëmjen e djeshme sezonin e ri artistik me “Gala Operistike”, një mbrëmje e veçantë kushtuar muzikës lirike, ku zërat, muzika dhe emocionet u ndërthurën në skenë.
Nën tingujt e repertorit operistik artistët sollën për publikun një program të pasur me kryevepra të repertorit botëror, duke shënuar nisjen e një sezoni të ri që premton të jetë i mbushur me shfaqje, koncerte dhe ngjarje të rëndësishme artistike.
“Gala Operistike” u konceptua si një përshëndetje artistike për nisjen e sezonit, duke vendosur në qendër fuqinë e zërit dhe të muzikës, përmes interpretimit të artistëve të skenës së Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u shpreh se “hapja e mbrëmjes gala me solistët në në zë të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare premton një sezon të mbushur me art, emocione dhe momente të paharrueshme”.
Mbrëmja solli në skenë emocione të veçanta për artdashësit, ndërsa repertori operistik dhe interpretimet e artistëve krijuan një atmosferë mbresëlënëse në çeljen e sezonit të ri.
Nën drejtimin e dirigjentit Simone Di Felice, artistët sollën një mbrëmje të pasur vokale dhe skenike.
Mezzosopranoja Vikena Kamenica solli për artdashësit arien e Dalilës nga Samson dhe Dalila, sopranoja Eva Golemi interpretoi Leonorën nga Forza del Destino, së bashku me Stefan Po.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte edhe rikthimi i baritonit Armando Likaj me arien e Figaros nga “Dasma e Figaros”, pas rreth 12 vitesh. Publiku duartrokiti gjithashtu kuartetin e famshëm të “Rigolettos”.
Sezoni i ri artistik i TKOBAP pritet të vijojë me një program të larmishëm, që përfshin opera, balet, koncerte dhe aktivitete të tjera, duke synuar të pasurojë jetën kulturore dhe artistike në vend.
Përmes këtij sezoni, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor synon të vijojë misionin e tij në promovimin e artit skenik, ruajtjen e repertorit klasik dhe prezantimin e krijimtarisë artistike para publikut shqiptar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.