Ekonomia

Gara për blerjen e INSIG nis me 15.3 mln euro, në ankand 100% e aksioneve

Nga Zamir Alushi

Caktohet dita për tenderin e shitjes së kompanisë shtetërore të sigurimeve INSIG. Drejtoria e Pronës Publike në Ministrinë e Financave publikoi dje njoftimin se më 10 mars do të shiten 100 për qind të paketës së aksioneve të zotëruara nga shteti në këtë shoqëri. Brenda 45 ditëve, shteti duhet të arkëtojë të paktën 15.3 milionë euro, ndërkohë që kontrata nuk do të kalojë në Kuvend, por do të miratohet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Përgatitjes për privatizim i parapriu një ligj i Kuvendit që e heq këtë shoqëri nga lista e sektorëve strategjikë dhe më pas vlerësimi i aksioneve të kompanisë, që është kryer nga kompania “BDO International”. Shoqëria INSIG ka shtrirje të aktivitetit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Formula e privatizimit të paketës së aksioneve të shoqërisë do të jetë shitja 100% e paketës shtetërore, ndërsa vlera e 100% e aksioneve është 15 305 000 euro (ose e konvertuar në lek, me kursin e këmbimit të datës së publikimit të “Ftesës për ofertë”, 25 janar 2016). Sipas Ministrisë së Financave, forma e shitjes do të jetë tenderi i hapur. Dosja e shoqërisë përmban listën e pasurive të paluajtshme, afatet dhe kushtet e shitjes, duke përfshirë aplikimin e metodave të pagesës dhe një sistem të mundshëm të kërkesave lidhur me politikën e biznesit, politikën e punësimit dhe zhvillimit, garancitë e nevojshme dhe sanksionet në lidhje me detyrimet. Gjithashtu, në informacionin e ofruar përfshihen bilancet për tri vitet e fundit të aktivitetit të shoqërisë. Informacione të tjera të disponueshme janë: vlera e paketës së aksioneve të shoqërisë tregtare që ofrohet në tender; vlera e kapitalit themeltar të shoqërisë; procedurat e vlerësimit të dokumentacionit dhe kriteret. Më 10 mars 2016, ora 10:00, të interesuarit do të paraqesin dorazi ofertat e tyre në Ministrinë e Financave Tiranë, para komisionit të vlerësimit.

Oferta e paraqitur nga kandidati duhet të përmbajë, ndër të tjera, dokumentin bankar që vërteton ngrirjen, për periudhën deri në nënshkrimin e kontratës së shitjes së pagesës paraprake në lekë ose garanci bankare me vlerën 30 milionë lekë. Kjo shumë ngrihet për llogari të Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, pranë Ministrisë së Financave. Ndërkaq, kompanitë që do të hyjnë në garë duhet që çmimin e blerjes ta paraqesin vetëm në lekë. Bashkë me referencat, një rëndësi të veçantë ka plani i biznesit. Në të duhet të pasqyrohen mendimet e kandidatit mbi veprimtarinë aktuale, si dhe ndryshimet e mundshme. Plani i biznesit duhet të reflektojë investimet që do të kryhen, si edhe çdo çështje tjetër që konsiderohet e rëndësishme për perspektivën. Kalendari i procedurave të tenderit parashikon 30 ditë për publikimin e ftesës, 45 ditë deri në dorëzimin e ofertave para komisionit, 45-55 ditë për vlerësimin e ofertave (19 mars 2016, 56-62 ditë përgatitja e projektvendimit dhe relacionit mbi tenderin). Ndërsa pagesa e vlerës së plotë dhe lidhja e kontratës së shitjes do të zgjasë 30 ditë pas shpalljes së vendimit të Këshillit të Ministrave për fituesin e tenderit. Ministria bën publike edhe kriteret e vlerësimit të ofertave. Kështu, çmimi më i lartë i ofruar merr 80 për qind të pikëve, plani i biznesit dhe cilësia teknike e propozimit merr 10 për qind të pikëve, si dhe cilësia e investitorit 10 për qind (merr pikët maksimale kandidati që ka eksperiencë në tregun e sigurimeve, shtrirje rajonale dhe ndërkombëtare). Nga 10 kompani që veprojnë aktualisht, INSIG, sipas raportit të AMF-së për vitin 2015, renditet i shtati, duke zënë 5.84 për qind të tregut të sigurimeve. Në vitin 2014, INSIG-u zotëronte një pjesë më të madhe të tregut të sigurimeve (6.22 për qind), megjithëse të ardhurat nga primet e shkruara bruto ishin më të larta vitin e fundit. Kështu, gjatë vitit 2015, INSIG shënoi 762 194 000 lekë nga primet e shkruara bruto. Këto të ardhura vlerësohen mbi 15 për qind se viti 2014, duke reflektuar rritjen e përgjithshme të tregut, si pasojë e politikës së ngritjes së çmimeve të kontratave për sigurimet e detyrueshme motorike. Për sigurimet vullnetare të jojetës, INSIG-u shënoi një rënie në treg nga 6.8 për qind që ishte në 2014-n, në 4 për qind në 2015-n. Privatizimi i shoqërisë INSIG ka qenë edhe në planet e qeverive të kaluara, si pjesë e strategjisë për liberalizimin e tregut të sigurimeve, por gjithnjë kanë dështuar përpjekjet. Në vitin 2009, “American Rezerve Life Insurance” ofroi 25 milionë euro për 61 për qind të aksioneve. Kompania u godit nga kriza dhe nuk arriti të paguante shumën e ofruar. Në atë kohë, INSIG zotëronte 15.5 për qind të tregut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button