Gatishmëria për zonat bregdetare, OSHEE: Situatë normale e furnizimit me energji
Në kuadër të sezonit turistik, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka ngritur shtabin e gatishmërisë, i cili monitoron 24 orë pa ndërprerje të gjithë situatën e furnizimit me energji elektrike, nga Velipoja deri në Ksamil.
OSHEE ka angazhuar rreth 500 punonjës, të vendosur në gatishmëri të plotë 24 orë, ndërkohë që ka bërë publik edhe 19 numra telefoni që administrohen nga inxhinierë dhe përgjegjës për rreth 25 zona turistike bregdetare.
Nga monitorimi i deritanishëm, rezulton një situatë e përgjithshme normale dhe pa probleme të furnizimit me energji elektrike. Në rastet sporadike, të veçuara, brigadat e OSHEE kanë bërë të mundur riparimin e defektit brenda 25 minutash.
Remontet në zonën bregdetare të Jugut kanë përfunduar dhe nuk ka më ndërprerje të detyruara të energjisë, kurse investimet në zonat Vlorë, Dhërmi, Himarë, etj., janë mbyllur dhe po vendosen në funksion linjat e reja elektrike (pas 40 vitesh!!).
Për remontet në zonat e tjera të vendit, OSHEE dhe OST janë dakordësuar të punojnë gjatë natës. Kështu p.sh, në zonën e Golemit dhe Gjirit të Lalsit janë kryer remonte në orare 00.30 deri në 05.00 dhe 07.00 të mëngjesit, në datat 7 dhe 8 korrik.
Pavarësisht mirëmenaxhimit nga ana e OSHEE-së, kompania ngre sërish shqetësimin në lidhje me papërgjegjshmërinë që tregojnë palë të treta në dëmtimin e aseteve të OSHEE, duke sjellë ndërprerje të energjisë elektrike. Janë evidentuar disa raste, për të cilat kompania është duke proceduar penalisht ndaj subjekteve private përgjegjëse.
Tjetër shqetësim lidhet me kabinat dhe linjat në pronësi të subjekteve private, sidomos atyre në zonat turistike, për të cilat kompania vijon të bëjë apel për t’i mirëmbajtur, madje është ofruar edhe asistenca e OSHEE-së.
Me këtë rast, OSHEE u bën thirrje subjekteve ndërtuese, të cilët punojnë për projekte publike dhe private, pa asnjë dallim, të bëjnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet teknike të punimeve në terren, për të evituar dëmtimin e kabllove elektrikë. Për çdo rast të konstatuar, me procesverbal dhe analizë faktesh, do të përballen me ligjin, sikurse ka ndodhur deri më tani.