Gazetari tregon çfarë pritet pas vendimit të Gjykatës së Lartë: Ky ishte treni i fundit për Veliajn
Gazetari i Euronews Eni Ferhati foli në një lidhje direkte për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, ku tregoi detaje nga seanca në Gjykatën e Lartë, ku kryebashkiaku Erion Veliaj kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Ferati bëri me dije se tre gjyqtarët kanë qenë unanimë në qëndrimin e tyre për të mos pranuar rishqyrtimin dhe për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit të marsit 2025, për vijimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Gazetari e cilësoi këtë vendimmarrje si “trenin e fundit” për Veliajn sa i përket mundësisë për një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se pas vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, gjykatat e posaçme në shkallët e tjera nuk kanë gjasa të ndryshojnë masën e sigurisë.
“Vendimi që u dha sot duhet të kemi parasysh që ishte në një seancë në dhomë këshillimi. Tre gjyqtarët, që sipas informacioneve kanë qenë unanimë në qëndrimin e tyre, refuzuan, mospranuan rishqyrtimin dhe lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit të marsit të vitit 2025, për vijimin e masës së arrestit me burg. Në vetvete sot gjykata ka shqyrtuar rekursin, po themi, sepse Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin lidhur me rekursin e Gjykatës së Lartë, që më herët po ashtu kishte lënë në fuqi masën e arrestit me burg. Kështu që, ishte një rekurs, por nga pikëpamja procedurale dhe hierarkisë së sistemit tonë gjyqësor, mund të them fare mirë që sot ky ishte treni i fundit për zotin Veliaj, në kuptimin e një mase më të butë sigurie. Për sa kohë që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese nuk kanë një vendimmarrje të tillë, ta harrojmë që Gjykata e Posaçme dhe Apeli i Posaçëm, nisur këtu edhe nga precedentët, të kenë guximin apo qasjen që në të ardhmen, apo në muajt në vijim, të pranojnë një kërkesë të radhës të zotit Veliaj për zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest në burg’. Dhe treni i fundit, jo vetëm në kuptimin e pozitës penale të zotit Veliaj, por ashtu siç e shikoj unë, ishte edhe treni i fundit në kuptimin e një qasjeje politike që ndoshta zoti Veliaj, këto shtatë apo tetë muaj sa i kanë mbetur në mandatin e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, të gjejë edhe busullën e tij politike apo të bëjë edhe një lloj oponence, apo një lloj qasjeje që zoti Veliaj do të kishte në raport edhe me figurën e tij politike, jo vetëm me çështjen penale, që sigurisht është në radhë të parë. Veliaj gjatë këtyre kohëve rimori kontrollin e Bashkisë së Tiranës. Pra, e gjithë çështja tashmë mbetet te arsyetimi dhe ne duhet të lexojmë se pse masat e tjera nuk janë proporcionale apo të përshtatshme. Nuk është kërkesa e parë kjo që rrëzohet dhe janë të tjera kërkesa që zoti Veliaj i ka depozituar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, por për sa kohë Gjykata e Lartë nuk merr një vendim të tillë, unë besoj që te shkallët e tjera nuk ka shpresë. Nisur edhe nga precedentët, ku në të kaluarën nuk është se gjykatat e posaçme, qoftë shkalla e parë dhe shkalla e dytë, kanë planifikuar, po themi, për të zbutur masën e sigurisë”, tha gazetari.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.