Opinion

Gazetaria online duhet mbrojtur prej lexuesve rrugaçë

Mustafa Nano

Mustafa-NanoU bë kohë, tanimë, që nuk më shkon mendja t’u hedh ndonjë sy komenteve të lexuesve në fund të shkrimeve të mia të publikuara në website të ndryshme. Kërshërinë e kam ende, ngaqë do të doja të dija se ç’mendojnë të tjerët lidhur me qëndrimet e opinionet që unë kam, por ideja se të shumtat e këtyre komenteve (rëndom të shkruara nga pak vetë, të cilët shfaqen me emra të ndryshëm) janë fyerje, shpifje e shfryrje gjithfarësoji të natyrës vulgare, ma largon këtë dëshirë. Do të ishte një ushtrim i kotë mazokist t’i lexoje ato komente. Unë ia kam lejuar vetes një periudhë mazokizmi kësodore, por nuk m’u desh shumë kohë që të lodhesha nga kjo gjë. E kështu, çfarë shkruhet për mua, e injoroj. Madje, edhe kur më telefonon dikush për të më informuar “dashamirësisht” se çfarë është thënë mbi mua në një website të caktuar, nuk e lejoj ta bëjë këtë. Dhe nuk është se pres të marr vesh nëse janë komente pozitive apo negative. Jo, ia pres hovin qysh në fillim me fjalët: “Jo, faleminderit, komentet e lexuesve online janë gjëja e fundit që më intereson”. E di që nuk është e drejtë, pasi mes lexuesve ka dhe njerëz që bëjnë komente normale, nga të cilat kam se ç’të mësoj, por turbullimi që më provokojnë internautët rrugaçë është më i madh sesa kënaqësia që më japin komentet normale.

E çështja nuk është, kjo merret vesh, veç te një turbullim imi, apo i autorëve në përgjithësi. Çështja është që këto website kanë marrë formën e “mureve të haleve publike” – këtë krahasim e bënte italiani Beppe Severgnini në një artikull të publikuar dje në “Corriere della Sera” – brenda të cilave njerëzit, o për shkak të censurës, o për shkak të një morali të caktuar publik, o për shkak të një qasjeje të fëlligshtë të vetë këtyre, ndiheshin më të lirë për të shprehur ca mesazhe që nuk mund t’i shprehnin dot në publik. Ato mure halesh – po mbetem pak te kjo gjetje e Severgnini-t – kanë qenë një ngushëllim i përkryer e një terapi e shkëlqyer për ata që kanë pasur nevojë t’u japin një zë apo t’u hapin një portë daljeje lapërdhive të tyre të të gjitha llojeve. Vendin e atyre haleve e kanë zënë sot website-t, ku lexuesit e kanë mundësinë për t’u shfryrë si t’u vijë për mbarë, e në këtë mes qari është mbi të gjitha i atyre që, për një rrethanë, për një formim, a për një disponim të tyrin të lindur, kanë shumë zemërim me botën. Dhe nuk ka dyshim se kjo shfryrje u bën mirë. U bëhet gjak e dhjamë.

Mirëpo, ky “gjak e dhjamë” i tyre ka një kosto të madhe. Është një kosto që theksohet edhe prej motivimit të komentuesve perversë që, për arsye nga më të ndryshmet, e tejkalon disa fish motivimin e palës tjetër që, ashtu si puna ime, i kanë dhënë dum punës “të rrinë të tërhequr në shenjtërinë e tyre” e të mos i japin peshë kësaj dukurie. Mirëpo, është një dukuri që meriton vëmendje. Ne që bëjmë gazetari online nuk kemi në dorë që t’i bëjmë këta njerëz t’u rikthehen mureve të haleve ngaqë, edhe nëse u mbyllim dyert e website-ve tona, ata do të gjejnë llagëme të tjera në botën e web-it, ku mund të zbrazen. Por ne duhet të mbrojmë gazetat tona online prej të gjitha përpjekjeve që bëhen për t’na i ndotur. Komentet e ndyra, që nuk synojnë të merren me thelbin e çështjeve të shtruara në shkrimin e një autori të caktuar, duhen censuruar. Ok, ne i jemi gëzuar shpikjes së web-it edhe ngaqë për shkak të tij kanë marrë zë njerëz që më parë nuk kanë pasur zë; kjo ka rritur, dhe e ka bërë më të njëmendtë, pjesëmarrjen në demokraci, gjë që nuk është një arritje e vogël, sidomos kur mbajmë parasysh ndonjë përthyerje që kjo shpikje ka pasur në jetën reale politike, e jo vetëm politike, në vende të ndryshme. Por censurimi i komenteve të ndyra nuk e komprometon këtë arritje. Vështirë të besosh se, me këtë censurim, i bëhet ndonjë atentat demokracisë, apo të drejtave të njeriut, apo nevojës për transparencë të qeverisjes, apo kërkesës për llogaridhënie që ekziston ndaj atyre që kanë në dorë vendimmarrjen, apo vetë gazetarisë serioze e kështu me radhë. Jo, këto komente nuk kanë lidhje me këto kokëçarje të fundit.

Problemi me këta njerëz nuk qëndron vetëm te palavitë që u prodhon truri, por edhe te fakti që në mesazhet e tyre nuk bartin asnjë ide e nuk lënë të nënkuptohet asnjë dëshirë e tyrja për të marrë pjesë në një diskutim serioz e publik. Nëse do të kishin ide për të shprehur e nëse do të kishin dëshirë e aftësi, për të marrë pjesë në diskutime publike, do të bënin shkrime vetë e nuk do të mjaftoheshin me komente-pusi në fund të shkrimeve të të tjerëve. E më në fund, problemi me këta njerëz qëndron edhe te fakti tjetër (që mua më duket me shumë rëndësi) që ata, në ndryshim nga ne që nxjerrim fytyrën në shesh, fshihen pas emrave të rremë. Siç shihet, “gara” mes tyre e autorëve publikë është jo vetëm një garë e kotë dhe e padrejtë, por edhe e pabarabartë. Si mund të hahesh me një njeri të pafytyrë? (“i pafytyrë” në këtë rast duhet marrë edhe në kuptimin literal, d.m.th. i maskuar, edhe në kuptimin metaforik, d.m.th. i paturpshëm).

Është e mundur të biem dakord të gjithë me censurimin e këtyre komenteve? Apo s’është e thënë që të biem dakord që të gjithë? Në fakt, ekzistojnë disa website shqiptare që bëjnë censurimin e komenteve të ndyra, por në rrethana të tilla ekziston mundimi i zgjedhjes mes audiencës së madhe nga njëra anë e standardit etik nga ana tjetër. Audienca e madhe e një website që, sipas shumë gjasash, vjen edhe prej lirisë që kanë lexuesit për t’u shprehur pa kufizime në atë website (audienca nuk shpjegohet veç me këtë, sidoqoftë), shoqërohet me përfitime të natyrës financiare (në formë reklamash), ndërsa respektimi i një standardi etik shoqërohet me kënaqësi e mirënjohje të natyrës jo materiale. Kuptohet, nuk është e lehtë ta zgjedhësh këtë të dytën. Por një gjë duhet bërë, megjithatë. Lexuesit gojëndyrë duhen mbajtur larg prej gazetave online. Në mos, ka për të ardhur një ditë që gazetaria online do të jetë e tëra në funksion të tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button