Gjermania, në alarm nga refugjatët: 300 mijë incidente në dy vite
Në Gjermani vihet re një shtim i kriminalitetit te refugjatët. Më shumë se një milion vetë kanë kërkuar azil dy vitet e fundit në vendin më të fuqishëm ekonomisht të bllokut europian.
Por, me mbërritjen e tyre duket se janë shtuar edhe problemet. Përpara dy javësh, – kujton “Deutsche Ëelle”, – një person përdhunoi një 23-vjeçare në Bon, e cila ndodhej në një çadër me të dashurin e saj. Autori i dyshuar është azilkërkues nga Gana.
Raste të tilla, së bashku me sulmet masive seksuale ndaj vajzave natën e Vitit të Ri të 2015-s në Këln, kanë ndezur një debat të gjerë mediatik. Raporti i fundit i Zyrës Federale të Policise Kriminale (BKA) flet për rritje të incidenteve nga individë që kërkojnë mbrojtje, apo ata që kanë marrë azil, si dhe persona që janë pjesë e një kontigjenti refugjatësh, viktima të luftrave civile, apo të tjerë që nuk kanë të drejtë qëndrimi.
Sipas Zyrës Federale janë regjistruar 300 mijë raste, në të cilat për vepër penale është arrestuar të paktën një i ardhur nga jashtë. Ekspertët mendojnë se sjellja e refugjatëve varet shumë nga mundësitë e qëndrimit.
Ata sjellin si shembull afrikano-veriorët, që pas mbërritjes në Gjermani e kanë kuptuar se i kanë të pakta gjasat për azil. Ata janë shpesh të zhgënjyer e të zemëruar dhe kalojnë në sjellje ekstreme. Ndërsa refugjatët nga Iraku dhe Siria kanë kryer më pak vepra penale, pasi nuk duan të rrezikojnë mundësitë e qëndrimit.