Ekonomia

Gjiknuri takon bordin e kompanisë shtetërore holandeze të gazit

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri priti sot në takim një delegacion të kompanisë shtetërore të gazit në Hollandë “Gasunie”.

Grupi kryesohej nga shefi ekzekutiv, Han Fennema dhe përbëhej nga anëtarët e bordit drejtues.

Gjiknuri njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet e fundit në Shqipëri sa i takon infrastrukturës së gazit.

Ai vlerësoi si mjaft të rëndësishëm faktin se projekti i Korridorit Jugor të Gazit, pjesë e të cilit është edhe Gazsjellësi TransAdriatik, tashmë po bëhet realitet.

Gjiknuri tha se ndërtimi i gazsjellësit në territorin shqiptar po ecën normalisht dhe sipas parashikimeve.

Më tej, Gjiknuri u ndal tek puna që po bëhet me synim gazifikimin e vendit. Ai njohu drejtuesit e kompanisë “Gasunie” me ecurinë e punës për përfundimin e Masterplanit të Gazit në Shqipëri, studimit të fizibilitetit dhe evidentimin e projekteve kryesore të investimit.

Qeveria shqiptare ka miratuar tanimë ngritjen e kompanisë shtetërore të gazit Albgaz e cila do të ketë një rol të rëndësishëm në procesin e gazifikimit.

Në këtë linjë, drejtuesit e kompanisë “Gasunie” shfaqen gatishmërinë e tyre për të vendosur një partneritet me kompaninë shtetërore shqiptare “Albgaz” ashtu sikurse shfaqen interes për tu njohur me planet e projekteve kryesore në kuadër të zhvillimit të infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

Ministri Gjiknuri theksoi se partneriteti mes “Gasunie” dhe “Albgaz” do të jetë një shtysë e rëndësishme për të marrë përvojën dhe eksperiencat më të mira me synim përmbushjen e objektivit të gazifikimit të vendit.

Bashkëbiseduesit u ndalën më pas tek projektet e tjera të cilat në vijim të gazsjellësit TAP mund të ndryshojnë edhe më tej hartën energjitike të Shqipërisë, mes tyre ai i gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button