Kronika

Gjirokastër, kampe dhe kontejnerë për 5 mijë refugjatë nga Siria

Nga Mariglen Mullai

Kur dëbora të mbulojë linjën kufitare Greqi-Maqedoni, flukset e emigrantëve sirianë pritet të shkarkohen në Gjirokastër. Për këtë shkak, Policia e Shtetit dhe pushteti vendor po përgatiten për të strehuar 5 mijë refugjatë në ndërtesa shtetërore, kampe apo kontejnerë. E gjithë infrastruktura mikpritëse do të instalohet në zonat e Gjirokastrës dhe kapaciteti maksimal i Shqipërisë është 5 mijë persona. Momentalisht nuk ka të dhëna për mbërritjen e refugjatëve në vendin tonë, pasi vijon mësymja drejt Maqedonisë, për të kaluar përmes Kroacisë, por me uljen e temperaturave, kur ajo linjë të vështirësohet së tepërmi sirianët pritet t’i drejtohen Gjirokastrës. Të dhënat i bën të ditur për gazetën “Shqip” drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kufitare, Genc Merepenza, i cili konfirmoi se gjithçka po organizohet në kuadër të përgatitjes, në mënyrë që pala shqiptare të mos kapet në befasi nëse na prek vala e emigrantëve. Nga ana tjetër, ndonëse shifra prej 75 mijë klandestinësh është mohuar nga autoritetet shtetërore, nga dhjetori i këtij viti e deri në fundshkurt të 2016-s, pritet që në Shqipëri të strehohet përkohësisht një numër i madh emigrantësh. Gjithnjë do të synohet strehimi momental, ushqyerja dhe veshmbathja dhe pas identifikimit do të ndihmohen për të kaluar në shtetet e BE-së, ku ata e kanë destinacionin.

Kampet – Gjirokastra pritet të shndërrohet në një vend me kampe masive, të përbëra nga çadra apo kontejnerë, ku do të strehohen refugjatët

OJF-të – Për t’u siguruar ushqim, veshmbathje dhe medikamente këtyre refugjatëve janë vetofruar OJF dhe organizata humanitare.

Antiterrori – Një rol të rëndësishëm pritet të ketë Drejtoria Antiterror, për të identifikuar elementët e dyshuar me lidhje terroriste në Siri.

Linja – Për shkak të uljeve të temperaturave në zonën kufitare mes Greqisë dhe Maqedonisë, linja pritet të zhvendoset në Shqipëri.

Fluksi – Piku i mbërritjeve ishte shtatori 2014 deri në maj të këtij viti, pasi në këtë hark kohor janë kapur qindra klandestinë në pikat kufitare

Plani për strehim

Autoritetet përkatëse kanë mohuar lajmin e mediave ndërkombëtare, sipas të cilave Shqipëria do të strehonte 75 mijë sirianë në kazermat ushtarake. Drejtori i Kufirit sqaron se këto kazerma ushtarake do të përjashtohen si mundësi për strehim, pasi aty ka bazë ushtarake dhe efektivë. Sipas tij, Shqipëria ka një kapacitet maksimal prej 5 mijë refugjatësh. “Kemi identifikuar disa ndërtesa shtetërore, të cilat mund të përdoren për këtë rast”, thekson Merepenza. Përveç tyre, emigrantët do të strehohen në kampe të improvizuara, si dhe në kontejnerë, që do të instalohen në zonat përreth Gjirokastrës. Më tej, në bashkëpunim me pushtetin lokal po shihet mundësia e shfrytëzimit të ndërtesave të tjera shtetërore. Për të përballuar një fluks të madh, për të shmangur sëmundjet apo epidemitë dhe për të siguruar ushqim dhe veshmbathje, përpos angazhimit të Emergjencave Civile vihet re interesimi i OJF-ve të ndryshme dhe organizatave humanitare. “Jemi në kontakt me “Kryqin e Kuq”, “Karitasin”, “IOM”-in etj., të cilat kanë ofruar ushqim dhe veshmbathje në rast se do të kërkohet”, konfirmon Merepenza. Ndërkaq, burime pranë Policisë së Gjirokastrës shtuan për gazetën se eprorët janë interesuar për kapacitetet e kufitarëve atje si dhe po merren kontakte me aktorë të ndryshëm zyrtarë apo civilë, për të hartuar sa më shpejt një plan masash.

Identifikimi

Për të mundësuar pasjen e të dhënave të sakta apo të përafërta të refugjatëve, Policia e Shtetit do të synojë mbajtjen e një procesverbali me identitetet e tyre. “Duam që t’i identifikojmë emigrantët, duke mësuar të dhënat për ta”, shton drejtori i Kufirit. Ndërkaq, pyetjes se si do të operohet në rast se ata nuk disponojnë dokumente, Merepenza i përgjigjet se “Do t’u marrim shenjat e gishtërinjve”. Nga ana tjetër, burime pranë Policisë së Shtetit i thanë gazetës se në rast të një fluksi të madh refugjatësh, përpos angazhimit të Policisë Kufitare, OJF-ve apo pushtetit lokal, një rol tepër kyç pritet të ketë Drejtoria Antiterror. Alarmi se mes refugjatëve ka elementë të ISIS-it, të cilët synojnë Europën, për t’u organizuar më tej në sulme terroriste, ka ndikuar në shtimin e vëmendjes prej kësaj drejtorie. Në bashkëpunim me partnerët, pritet një skanim i plotë i emigrantëve dhe verifikim i listave me personat e dyshuar.

Kufijtë dhe azili

Situata me fluksin e refugjatëve në Shqipëri

Deri më tani, situata e emigrantëve në Shqipëri ka qenë brenda të gjitha parametrave normalë. Para pak javësh pati përforcim në kufij, por ende nuk është dukur ndonjë refugjat. Piku i mbërritjeve ishte shtatori 2014 deri në maj të këtij viti, pasi në këtë hark kohor janë kapur qindra klandestinë që duke hyrë nga Kakavija synonin Malin e Zi. Shumica u kthyen në pikën hyrëse, ndërsa një pjesë e vogël kërkoi azil në Shqipëri, për ta tërhequr më pas kërkesën, pasi synonin Gjermaninë. Kështu, momentalisht asnjë sirian nuk ka kërkuar azil në vendin tonë. Me krijimin e mundësive për të kaluar lehtësisht nga Greqia në Maqedoni, emigrantët po kursejnë rrugë. Por pikërisht dëbora dhe akulli që pritet si gjithnjë të pushtojë këtë rrugë, do të sjellë edhe shkarkesën e valvulës në një pikë kufitare si ajo e Kakavijës, ku temperaturat janë më të larta. Përpos sirianëve, klandestinët e tjerë të identifikuar janë nga Eritrea, Somalia, Iraku etj., pra vende në konflikt. Ministria e Brendshme ka ngritur kampin e strehimit të tyre dhe atë të azilkërkuesve, ku po trajtohen kërkesat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button