Kronika

Greqi, shtyhet ende pa filluar gjyqi i “Ilia Karelit”

Pas kërkesës së një grupi avokatësh, Gjykata e Selanikut ka shtyrë mëngjesin e së mërkurës për një tjetër datë, fillimin e gjyqit ndaj rojeve të burgut, që akuzohen për bashkëfajësi në aktet barbare të torturave, që shkaktuan vdekjen e të dënuarit shqiptar, Ilia Kareli, marsin e vitit të kaluar në Burgun e Nigritës.

Kërkesa për anulim, e paraqitur nga pala mbrojtëse e të akuzuarve, përmbante faktin se një prej avokatëve të të pandehurve mungonte.

Në sallë dhe jashtë ndërtesës së gjykatës ishin të pranishëm edhe kolegë të gardianëve të akuzuar, kryesisht sindikalistë. Gjithashtu, të ftuar si dëshmitarë ishin edhe anëtarë të familjes Kareli, të cilëve gjykata u ka caktuar një avokat grek, sipas ligjeve ekzistuese.

Ndërsa përshtypje të madhe ka krijuar fakti se, procesin në fjalë, një nga më të bujshmit në Greqi, janë ftuar ta ndjekin shumë studentë të Fakultetit të Juridikut të Selanikut, pasi një nga anët e veçanta të tij është edhe pjesëmarrja e një jurie gjykimi.

Sipas informacioneve që ka siguruar Top Channel, çështja e procesit gjyqësor ka kohë që ndiqet prej përfaqësisë diplomatike shqiptare në këtë qytet, e cila gjatë kontaktit të saj me drejtues të organeve më të larta gjyqësore ka marrë prej tyre garancinë se, në çështjen në fjalë drejtësia në të gjitha stadet do të jetë e paanshme.

Çështja “Kareli” konsiderohet si çështja më e bujshme e torturave ndaj një të burgosuri në burgjet greke. Ajo i ka fillesat e saj më 25 mars të vitit të kaluar, kur i burgosuri shqiptar Kudret Kume, i njohur si Ilia Kareli, ka plagosur për vdekje një roje grek në burgun e Malandrinos.

Tre ditë më pas, gjatë transferimit të tij në institucionin penitenciar të Nigritës, 90 km larg Selanikut, rojet e këtij burgu, duke dashur ta ndëshkojnë për vdekjen e kolegut të tyre, e kanë torturuar në mënyrë të vazhdueshme, duke shkaktuar tek ai dëmtime të shumta dhe të rënda trupore, si dhe thyerje të brinjëve të kafazit të kraharorit, të cilat sollën pas disa orësh edhe vdekjen e Ilia Karelit.

6 prej 13 rojeve të Burgut të Nigritës, që ndodhen në bankën e të akuzuarve, u liruan me kusht nga Burgu i Diavatasë në Selanik, muajin e kaluar, pasi u mbaroi afati i paraburgimit. Përveç tyre, në gjyq do të dalë edhe ish-drejtori i këtij burgu, që përballet me veprën penale të nxitjes së aktit dhe të mbështetjes së fajtorëve. Data e re e fillimit të gjyqit pritet të caktohet në ditët e ardhshme.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button