Gruaja e Bitrajt: Ardiani i la paratë e Thesarit në baste, kurse unë punoja pa pushim
Dëshmia
“Im shoq më rrëfeu vjedhjen një natë para arrestimit”
Prokuroria administron dëshminë e Nerida Bitraj, e konsideruar një nga nëntë dëshmitarët kyç
Ardian Bitraj është rrëfyer te gruaja e tij para se të tregojë tek eprorët vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari dhe më pas ka pranuar gjithçka edhe në polici. Në një kohë që oficerët e policisë gjyqësore po zbardhin tabulatet dhe qelizat e telefonit se me kë ka folur dhe ku ka qenë Ardian Bitraj katër muaj para se të arrestohej për vjedhjen e 713 milionë lekëve, prokuroria ka marrë në pyetje edhe bashkëshorten e tij. Nerida Bitraj, e konsideruar si një ndër nëntë dëshmitarët më të rëndësishëm në procesin hetimor, ka deklaruar se ishte vënë në dijeni për përvetësimin e parave nga i shoqi, një natë përpara se ai të arrestohej.
Dëshmia e gruas
Një pjesë e dëshmisë së saj është bërë publike nga grupi hetimor, ku Nerida tregon gjithçka di në lidhje me paratë e vjedhura në Thesarin e Shtetit. “Unë jam vënë në dijeni të faktit se bashkëshorti im, Ardian Bitraj, kishte përvetësuar shuma të mëdha parash dhe këto para më tej i kishte luajtur në baste sportive, ku ai vetë më ka thënë. Kjo ka ndodhur një natë përpara se të shkonte dhe të raportonte tek eprorët e tij. Ka qenë një moment në shtëpi, i cili më ka kërkuar të ulesha, pasi kishte diçka serioze për të diskutuar me mua dhe më ka thënë që kishte marrë shuma të mëdha parash nga arka e shtetit. Më tha që do të kërkojë që këtë t’ia thotë guvernatorit nëse do të kishte mundësi ta takonte, në rast të kundërt do të fliste me eprorët”, ka deklaruar ajo para oficerit të policisë gjyqësore. 35-vjeçarja tha në prokurori se miliona euro nuk u përdorën për shpenzimet e familjes, pasi, sipas saj, kur Ardjan Bitraj luante miliona në baste, ajo punonte nga mëngjesi deri në orën gjashtë të pasdites, pa bërë asnjë ditë pushim. Bashkëshortja e të akuzuarit kryesor të vjedhjes së 713 milionë lekëve, tha në prokurori gjithashtu se Ardjan Bitraj ishte një njeri i vetmuar, pa miq dhe çdo pasdite qëndronte nëpër lokale bastesh. “Unë e dija që ai luante në këto lloj lojërash sportive, por asnjëherë nuk kam ditur se sa ka qenë shuma që ai luante. Ai qëndronte gjithmonë poshtë, te lokalet e lagjes, ku ishin edhe këto lokalet e basteve. Periudhën kur ka qenë kampionati botëror, ai ka qëndruar kryesisht poshtë në lagje, ku edhe shihte ndeshjet me dy çunat e mëdhenj. Kjo i ishte kthyer në një rutinë të përditshme, pasi ishte shumë i pasionuar pas futbollit dhe kishte qejf edhe të luante baste”, ka deklaruar Nerida Bitraj. Ajo ka thënë gjithashtu se i shoqi nuk shoqërohej me persona të tjerë përveç nipit të tij të arrestuar Klevis Bejtja. Para prokurorit të çështjes, Nerida Bitraj ka treguar se bashkëshorti, kohët e fundit merrte mjekime për tension, por në asnjë rast nuk kishte vërejtur ndonjë gjë të pazakonte tek ai apo të ketë parë shuma të mëdha parash nëpër shtëpi.
Hetimi vazhdon
Bashkëshortja e Bitrajt mësohet se është pyetur edhe për detaje të tjera të kësaj çështjeje, megjithëse nuk janë dhënë detaje nga grupi hetimor. Sipas hetimeve, Bitraj mendonte për nxjerrjen e parave nga Thesari dhe më pas ishte Klevis Bejtjaj, ai që kujdesej për transportimin e tyre. Një konstatim i tillë, ku brenda ditës ish-përgjegjësi i Thesarit, Ardian Bitraj, hynte dhe dilte nga godina, duke qëndruar brenda në makinë, është bërë nga kamerat e sigurisë së godinës së Thesarit të Shtetit. Mirëpo për të hedhur dritë lidhur me personin që qëndronte brenda në makinë, Task-Forca ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve filmike të një supermarketi, që ndodhet në rrugës që të çon te Thesari i Shtetit. Oficeri Elidon Hysenaj është paraqitur tek administratorët e supermarketit duke sekuestruar pamjet filmike të intervalit kohor nga 15:40 deri në 15:50 të datës 16 korrik 2014. Pasi janë verifikuar me imtësi këto pamje filmike, është mësuar dhe targa e automjetit tip “Benz”, e cila i përkiste shtetasit Klevis Bejtaj. Menjëherë është urdhëruar arrestimi i tij në mesnatë, ndërkohë që momentalisht ndaj Bejtajt rëndon akuza e “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit” në bashkëpunim. Ndërkaq, ende nuk ka përfunduar verifikimi i tabulateve telefonike të marrë nga prokuroria, me qëllim verifikimin e komunikimeve të gjashtë muajve të fundit të Bitraj.