Kosova

Haradinaj: Kam gabuar, por AAK do të ndryshojë

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj pranoi sot se ka bërë gabime në politikë. Ai paralajmëroi ndërtimin e një ekipi të ri, ndërsa u shpreh i ashpër me ata, që i quajti profiterë,e nga të cilët kërkoi që mos të shkelin në AAK. Haradinaj thotë se as ai e as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të jenë më të njëjtë.

haradinaj-kam-gabuar-por-aak-do-t-euml-ndryshoj-euml_hdE pranon se ka bërë gabime në politikë. “Por, do të reformohemi dhe do të ndryshojmë. Fuqishëm dhe pandalshëm. Ky ndryshim do të jetë i plotë: Reformë e politikave dhe reformë organizative”.

“Ne e vlerësojmë mbështetjen e qytetarëve që na është dhënë për 15 vjet me radhë. Do të angazhohemi për të ndërtuar një momentum të ri. Do të përgatitemi intensivisht për të merituar besimin të plotë dhe të fuqishëm të qytetarëve”, deklaroi Haradinaj në një takim me të gjitha strukturat e AAK-së.

“Do të fillojmë menjëherë me punë për të ndërtuar një forcë politike për të gjithë qytetarët e Kosovës, ngado që janë, të të dy gjinive, të të gjitha moshave, të të gjitha profesioneve”.

Haradinaj tha se qysh tash do ta intensifikojë angazhimin për të ndërtuar ekipin e ri.

“Kërkoj angazhimin tuaj. Të të gjithëve. Të secilës dhe secilit që ka vendosmëri për të sjellë ndryshimin e vërtetë”.

“Ne do të ndërtojmë Aleancën e të gjithë qytetarëve të ndershëm dhe të përkushtuar për jetë të mirë. Të të gjithë atyre grave e burrave të Kosovës që besojnë në demokraci, shtet ligjor dhe funksionim të shtetit”.

Haradinaj ua tha troç anëtarëve të strukturave të tij se Aleanca nuk ka vend për asnjë shkelës të ligjit.

“ Aleanca nuk ka vend për gangsterë që përfitojnë në emër tonin e të Aleancës. Aleanca ka vendosur të pastrojë oborrin e vet.

“Aleanca i shpallë të përjashtuar qysh sot këdo që ka keqpërdorur detyrën zyrtare apo buxhetin qoftë në nivel komunal, qoftë në nivele tjera”.

“Për Aleancën, kushdo jashtë strukturës apo brenda strukturës së Aleancës, që mënyrë të jetës e ka haraçin dhe fajdet është kriminel dhe duhet të shkojë në burg”.

Haradinaj tha se u thotë sot të gjithë njerëzve të tillë publikisht:

“Largoni këmbët e duart larg nga zyrat e strukturat e Aleancës. Nuk na duhet vota juaj, nuk na duhet vota e kriminelëve!”.

“Harrojeni, kushdo që jeni, se mund të silleni me papërgjegjësi para qytetarëve e duke u thirrë në emër të Aleancës. Kushdo, ama kushdo që sillet ashtu, nuk është Aleancë. Nuk ka qenë kurrë Aleancë dhe nuk do ta lejojmë afër nesh”.

“Personat e tillë duhet ta kenë vendin në burg, jo në Aleancë dhe askund nëpër parti politike. Fatkeqësia është se shteti nuk po funksion, sepse përndryshe të papërgjegjshmit dhe gangsterët do të përballeshin me ligjin!”.

“Po ju them qartë dhe prerë: Aleanca nuk është streha e profiterëve. Asnjëherë nuk ka qenë, por ndoshta ndokush edhe brenda strukturave të Aleancës nuk e ka kuptuar këtë!

“Përkundrazi: Aleanca po përgatitet për të ndryshuar Kosovën, por së pari do ta ndryshojmë veten. Po e hapim partinë për intelektualë, për profesorë e aktivistë të shoqërisë civile. Po e hapim partinë për nivelin më të lartë të dijes në Kosovë”.

Haradinaj tha se po e hap partinë për të gjithë. E anëtari i Aleancës duhet të jetë “I ndershëm, i pakorruptuar, i sinqertë, i arsimuar dhe kompetent e i gatshëm për të shërbyer për popullin”.

“Ky është anëtari apo anëtarja e Aleancës. Dhe, të tillë Kosova ka shumë. Qytetarët e Kosovës janë të mirë, të ndershëm, punëtorë. E tillë do të jetë Aleanca e Ndryshimit. E mirë, e ndershme, punëtore”, deklaroi Haradinaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button