Kosova

Haradinaj: Në vitin 2019 duhet ta kemi statusin e kandidatit për BE

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), të arriturat e deritanishme, të gjeturat për vitin 2018.

Në këtë prezantim u paraqitën synimet e Qeverisë lidhur me punën për integrimet evropiane. Kryeministri Ramush Haradnaj tha se prioritet kyç i qeverisjes së tij është integrimi evropian. Qeveria e tij synon që në vitin 2019 të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), raporton EO.

Prandaj sipas kreut të Qeverisë, duhet të zbatohet MSA, duke dëshmuar se “punën e kemi marrë seriozisht”.

Haradinaj foli edhe për takimin e Komisionit për Stabilizim Asociim Kosovë-BE që do të mbahet në Strasburg. Ai tha se kanë përgatitur një raport sa u përket punëve që ka bërë kjo Qeveri lidhur me agjendën evropiane e sidomos zbatimin e MSA-së.

“Ne kemi identifikuar prioritetet kyçe për vitin 2018. Prioritet kyç është agjenda evropiane e Kosovës dhe synimi ynë është që Kosova sa më shpejt me marr statusin vendit e kandidatit. Ajo që kemi bërë së bashku me ministrat dhe ministren Hoxha keni ardhur deri te një dakordim që në takimin që është me këshillin raportues të MSA-së jo vetëm të shkojmë me një raport, por të shkojmë me një raport që na mundëson që ta marrim statusin e kandidatit në vitin 2019. Qëllimi është që të dëshmojmë që i kemi marrë punët seriozisht sidomos në integrimet evropiane dhe të mos na japin veç detyra por që të marrim vetë përgjegjësitë tona”.

Edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se Kosova duhet të marrë statusin e kandidatit në vitin 2019. Por ai ka një dyshim se aplikimi për statusin e vendit kandidat mund të mos ketë përkrahjen e partnerëve të Kosovës.

Hoxhaj u shpreh i bindur se Qeveria nuk do të ndalë përpjekjet në këtë drejtim.

“Kjo qasje është një moment i ri se si ta zbatojmë MSA-në dhe ERA-n, në nëntor të 2016 është miratuar ky projekt dhe në këtë afat nuk kanë ndodhur, shumë afate janë shtyrë, por kryeministri vendosi që më 2018 të zbatohen krejt masat. Caku ynë është aplikimin ynë për statusin e kandidatit, por partnerët mund të dalin me një narrativ, por ne nuk mund të ndalemi dhe të ndjekim punën tona”.

Ndërsa ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka sqaruar se janë duke analizuar punën që është bërë në secilin sektor e ministri sa i përket kësaj çështje, në mënyrë që të kenë të qartë se cilat janë masat që janë zbatuar e cilat jo, raporton EO.

Ajo u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të përshpejtojnë hapat në zbatim dhe të dalin me rezultatet konkrete.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button