Helikopterët e KFOR-it fluturojnë mbi Veri, pas aksionit të Policisë së Kosovës
Policia e Kosovës është tërhequr nga Veriu, pas përfundimit të aksionit dhe arrestimit të dhjetëra personave, shumica e të cilëve janë pjesëtarë serbë e boshnjak të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë tashmë KFOR-i ka filluar patrullimet me helikopterë nga ajri, për të parë nga afër gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, pas përfundimit të aksionit policor. Në një komunikatë të lëshuar pak më parë për media, KFOR ka ftuar palët që të ruajnë qetësinë, duke sqaruar se në këtë aksion përveç Policisë së Kosovës nuk është e përfshirë as FSK-ja e as KFOR-i.
Ata kanë treguar se janë të gatshëm për të ndërhyrë, nëse i kërkohet një gjë e tillë.
Reagimi i plotë i KFOR-it pas aksionit të PK-së: Lidhur me situatën aktuale, KFOR-i informon se Policia e Kosovës po kryen një operacion policor në tërë Kosovën, pas fletëarrestimeve të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës në lidhje me një hetim mbi korrupsionin.
KFOR-i inonfirmon se kjo është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës. Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar.
KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të intervenojë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha Komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.